“Bllokada në Kuvend është e planifikuar!”/ Veprimtari nga Gjermania zbulon prapaskenat dhe ofron zgjidhjen

Politika

“Bllokada në Kuvend është e planifikuar!”/ Veprimtari nga Gjermania zbulon prapaskenat dhe ofron zgjidhjen

Nga: A.M. Më: 16 korrik 2025 Në ora: 15:03
Kuvendi i Kosovës

Situata në Kosovë mbetet e bllokuar, tash e sa muaj.

 

Për të 47-ën herë me radhë, përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës përfundoi pa sukses më 15 korrik.

E gjithë kjo ka krijuar një ngërç institucionale e me pasoja të mëdha, ku pavarësisht kësaj partitë refuzojnë të marrin përgjegjësi dhe fajësojnë njëra-tjetrën për bllokadën në Kuvend.

E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli veprimtari nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.

Si fillim, ai fajtor për këtë ngërç i konsideron ish partitë në opozitë, e madje sipas tij kjo bllokadë ishte paraparë që më herët, pa filluar ende fushata zgjedhore.

“Fajësia e përgjithësuar, është ikje nga emërtimi i fajtorit. Edhe mos konstituimi i organeve të Kuvendit, pas 47 herë të vazhdimit të një seance të vetme, ka një fajtor faktik: Dhe kjo është opozita, humbëse e përsëritur të zgjedhjeve parlamentare. Opozita kishte humbur shpresën për fitore, qysh kur LVV, edhe pse rrezikoi shumë, ngulmërisht, arriti të marrë një seri veprimesh, për ta zhbërë pushtetin paralel në veriun e Kosovës. "Komandantët" e shantazhuar të PAN-it, kryesuar nga Hashim Thaçi, në këmbim të lirisë personale e grupore, kishin lejuar dualizimin e pushtetit në veri, madje për ta zyrtarizuar tradhtinë e tjetërsimit të një pjese të territorit, filluan lobimin e paguar. Për këtë janë zbuluar, madje edhe me fatura të nënshkruara. Ishte një tradhti e ngeshme, me një angazhim zyrtar të kupolës shtetërore, unike në botë!

Bllokda nuk ka lindur në Kuvend. Përkundër, bojkoti është planifikuar ende pa filluar fushata parazgjedhore. Koalicioni PDK-AAK-NISMA, pothuaj se, e legalizoi koalicioni pas zgjedhor, duke bërë shkelje të Kushtetutës, sepse të ligjshme janë vetëm koalicionet parazgjedhore. LDK-ja u pozicionua si neutrale, por klani Mustafa, gjithnjë aktiv, përtëriu miqësinë e vjetër, për t`u bërë sërishmi -bisht e patericë- e persekutorës të saj PDK. Kjo shokoi jo vetëm anëtarësinë dhe elektoratin e saj, por edhe shqiptarët e përbotshëm. LDK-ja me Listen Serbe, janë përcaktuese të rikthimit të PAN-it kriminal në pushtet. Dhe, kjo penalizon dhe do ta godiste, me fund, partinë zëmadhe të Presidentit Rugova”.

Image
Idriz Zeqiraj

Krahas kësaj, Zeqiraj nuk konsideron se ka krizë objektive, pasi zgjedhjet ishin të lira dhe rezultati është pranuar pa kundërshtime, thjeshtë duhet të vazhdohet me proceset e tjera.

Ai kritikoi partitë që po refuzojnë votimin e fshehtë, e që potencon se kjo gjë edhe po e bllokon konstituimin e Kuvendit.

“Kosova nuk ka kurrfarë krize objektive. Kjo e ashtuquajtur "krizë", është e stisur, e shpikur, e shpifur. Sepse zgjedhjet e lira dhe demokratike, të 9 shkurtit 2025, kanë përcaktuar fituesin bindshëm, pothuaj se, plebishitar, Lëvizjen Vetëvendosje. Dhe, rezultati është pranuar pa asnjë mëdyshje. Kjo është e mjaftueshme, për të vazhduar me proceset tjera, të krijimit të organeve kuvendore dhe të institucioneve tjera qeveritare.

Pesë muaj të kaluar nga zgjedhjet e shkurtit, ishte kohë e humbur, kot se koti. Mohimi i votimit të fshehtë nga opozita, edhe pse i parashikuar nga Kushtetuta, ka bllokuar punën normale të Kuvendit. Kjo "krizë vazhdon të dëmtojë Kosovën, e cila ka procese të bollshme, që presin zgjidhje. Njëri nga dëmet është edhe pamundësia e shfrytëzimit të donacioneve ndërkombëtare, të destinuara për Kosovën. Por që rregullat dhe ligjet përkatëse e kushtëzojnë me krijimin e institucioneve kuvendore dhe qeveritare. Pra, destinimi kërkon adresim dhe nënshkrime valide, nga përfaqësues qeveritar dhe shtetëror. Kjo është në aspektin politik, aq më parë kur Kosova është në thjerrëzën monitoruese ndërkombëtare”, shtjelloi ai.

Më tej, publicisti nga Gjermani u shpreh se çelësi për zgjidhje të bllokadës janë partitë politike, të cilat duhet të pranojnë humbjen e zgjedhjeve edhe konkretisht dhe jo vetëm me fjalë.

Ai konsideron se opozita po synon të rikthehet në pushtet për atë edhe po bllokon gjithë procesin e formimit të Kuvendit.

“Gjithçka varet nga partitë politike. Ato janë çelësi i zgjidhjes të "krizës". Opozita pranoi humbjen e zgjedhjeve juridikisht, ligjërisht, por jo edhe faktikisht, konkretisht! Pranimi i humbjes u bë lehtësisht, por zbatimin ligjor, obligativ po e mohon, duke luajtur "kartën" e bojkotit, për krijimin e institucioneve, fillimisht, kuvendore, në plan, për të vazhduar me ato qeveritare, madje në pritje për bllokadë presidenciale, bazuar në një -palo- Kushtetutë, të imponuar nga Serbia dhe BE-ja! Ironikisht dhe cinikisht, shteti feston datën Kushtetuese, huazuar nga qeveria moniste e filosllavit Enver Hoxha!

Opozita e koalicionuar e PAN-it, përkatësisht, subjektet politike PDK-AAK-NISMA, është mërdhezur, për të rikthyer pushtetin e uzurpuar, me dhunë e gjak, për dy dekada radhazi. Ajo, falsifikueshëm, përvetësoi luftën e pa bërë, për të justifikuar tenderimet korruptive e privatizime të egra e grabitçare, zhvati Kosovën me hajni zyrtare, duke uzurpuar fabrika, ndërmarrje shtetërore, ferma bujqësore, toka e troje, ndërtesa shtetërore dhe banesa të braktisura të qytetarëve të Kosovës, pavarësisht përkatësive etnike, nga disa "komandantë" mujsharë e kriminelë, me bandat e tyre të harlisura dhe jashtë çdo norme njerëzore e morale”, nënvizoi Zeqiraj.

Ndër të tjera, ai përmendi edhe bashkësinë ndërkombëtare dhe punën e tyre ndër vite në Kosovë, ku theksin e kishin te luftimi i korrupsionet na ish-qeveritë e kaluara.

Në këtë pikë, veprimtari nënvizoi veriun, çështje të cilën, sipas tij, LVV e gjeti në gjendje të ndërlikuar kur erdhi në pushtet.

“Ndërkombëtarët, kryesisht, miqtë e pakët të Kosovës, për ta futur Kosovën në organizmat e ndryshme evropiane e botërore, sugjeruan reforma të thella, me theks të veçantë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit industrial, hajnisë zyrtare. Shtetarë e pushtetarë, kryesisht, "komandantët" hileqarë dhe cuba klasikë, kishin rrënuar, qëllimshëm, Sistemin e Drejtësisë", duke kapur e korruptuar Prokurorinë dhe Gjykatat, gjithnjë në bashkëpunim me Serbinë dhe aleatët e saj, Rusinë dhe të tjerët. Krerët shtetërorë dhe pushtetarë, me shantazhimet me dosjet penalizuese të luftës dhe të pas luftës, kryesisht, maltretime dhe vrasje të kundërshtarë politikë shqiptarë, opozitës PAN-iste, i bëri të "heshtnin si peshqit!"

Qeveria e LVV e gjeti Kosovën "hallakamë", me veriun e saj "mollë e ndaluar" për shqiptarët. Parësi e saj ishte çarje e bllokadës në veriun e Kosovës. Përmes pengesave shumëpalëshe: Serbisë, me aleatët e saj besnike, Rusinë, një pjesë e BE-së, me Borellët e Lajçakët, argatë të Serbisë, arriti të bëjë mrekullinë, shtrirjen e sovranitetit në veri, qoftë edhe të brishtë. Në këto veprime të Kurtit, opozita e Kosovës po e kundërshton atë, madje edhe për ndërtimin e urave të reja mbi Lumin Ibër, është bërë palë me armiqtë të Kosovës. Kjo është kulmore, që dëshmon se opozita e Kosovës, është bërë "përrallë me tupan", që kalon nga përralla në tradhti kombëtare. Megjithatë, provoni të reflektoni, qoftë edhe prag të fundosjes politike e morale”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat