Pas 26 korrikut “topi” sërish te Presidentja, juristi zbërthen hapat kushtetues për zgjidhjen e ngërçit

Politika

Pas 26 korrikut “topi” sërish te Presidentja, juristi zbërthen hapat kushtetues për zgjidhjen e ngërçit

Nga: M.L. Më: 17 korrik 2025 Në ora: 15:59
Foto ilustrim

Edhe pak ditë kanë mbetur deri në përfundimin e afatit ligjor që Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Sot (e enjte) u tentua për të 48-tën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës, ndërsa rrugëdalja nga kriza politike duket të jetë larg.

Vendimi i Kushtetueses në lidhje me procesin e votimit të fshehtë ka lënë shumë hapësira për interpretim. Nga ana tjetër, 26 korriku është afati i fundit për konstituimin e Kuvendit dhe ende mbetet e paqartë se çka do të ndodhë pas kësaj date.

Zgjidhje të kësaj situate nuk po sheh as juristi Muhamet Kelmendi, duke theksuar se zgjedhjet janë hapi i fundit ligjor.

Në këtë situatë pa zgjidhje, ai thotë se i takon presidentes Osmani që të veprojë.

Image
Muhamet Kelmendi

 

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që brenda afatit njëmujor, nga 26 qershori kur u nxor vendimi, të konstituohet Kuvendi, është obligativ për deputetët e Kuvendit.

Çka do të bëhet pas afatit njëmujor, nuk është deklaruar nga gjykata. Nuk kemi qëndrim mbi përfundimet që do të dalin dhe pasojat juridike për deputetët e Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese nuk mund t’ua heqë deputetëve mandatin e fituar. Nuk është në kompetencë të gjykatës.

Deputetët i nënshtrohen votës që e kanë marrë dhe angazhohen në bazë të vendimit të Gjykatës, duke u mbështetur në Kushtetutë dhe në Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës. Por, çështja nuk mund të shkojë kështu. I takon Presidentes të veprojë”, shprehet ai.

Sipas Kelmendit, presidentja duhet që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim, ndërsa thotë se caktimi i datës së zgjedhjeve do të bëhët i pashmangshëm.

“Veprimi i parë është që të kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese për afatin njëmujor, në mënyrë që të tregohen veprimet.

Së dyti, kërkohet që Presidentja t’i mbledhë udhëheqësit e partive politike parlamentare dhe të kërkojë bashkëpunim midis tyre për konstituimin e Kuvendit.

Së treti, në bashkëpunim me partitë, të shkohet në zgjedhje të reja dhe të jashtëzakonshme parlamentare.

Presidentja ka për obligim kushtetues të garantojë funksionimin e organeve të Republikës.

Mosfunksionimi i tyre e detyron Presidenten të veprojë. Ndërsa veprimi që mund të bëhet tash, nëse nuk zhbllokohet konstituimi i Kuvendit, është caktimi i zgjedhjeve të reja parlamentare. Rrugë tjetër nuk ka”, përfundoi Kelmendi.

Ndryshe, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë lidhur me krizën institucionale dhe moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka rekomanduar afatin 30 ditor për konstituimin e Kuvendit dhe se kjo datë po afrohet.

“Është përgjegjësi e liderëve politikë që ta konstituojnë Kuvendin dhe të formojnë një qeveri stabile, në përputhje me Kushtetutën”. thuhet në një deklaratë të ambasadës për rtv21.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat