Kuvendi nuk është konstituuar as pas një takimi të zhvilluar të shtunën mes kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Hollësitë e takimit nuk janë bërë të ditura, ndonëse për momentin mënyra e vetme për të dalë nga ngërçi është bashkimi i LVV me Nismën, derisa të gjitha partitë të tjera po e refuzojnë partinë fituese.
Limaj ka tash e një kohë që ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Kurtin për të formuar institucionet e reja, derisa ende nuk ka një marrëveshje konkrete mes dy palëve.
E në lidhje me takimin e zhvilluar mes dy liderëve të partive, ka folur edhe bashkëkryetari i partisë Guxo, Faton Peci, ku tha se ka pasur ofertë për Nismën.
Ndër të tjera, ai ka thënë se partia e tij, në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Alternativën, kanë bërë shumë përpjekje për konstituim të Kuvendit, dhe u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve për të reflektuar mbi situatën e krijuar.
“Përpjekjet vazhdojnë. Kryeministri në detyrë ka pasur ofertë konkrete për disa parti politike. Aktualisht ka dhënë ofertë për Nismën Socialdemokrate, ndërsa në një fazë më të hershme ka pasur ofertë për të diskutuar për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës”, ka thënë Peci para gazetarëve duke përmendur se edhe me Kushtetutë, kryetari i Kuvendit i takon grupit më të madh, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje.
Më vonë gjatë ditës Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se LVV ka dhënë ofertën e vet ndaj NISMA-s për konstituim të Kuvendit, teksa s’ka dhënë detaje më shumë. Ai ka thënë se do të ulen sërish të bisedojnë me Fatmir Limajn.
“Me kryetarin e NISMA-s, Fatmir Limajn, kemi zhvilluar një takim pardje me ç’rast kemi diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë. VV ka shprehur jo vetëm interesimin por edhe bashkëpunimin e gatishmërinë për të bashkëqeverisur me NISMA-n dhe në përputhje me këtë kam bërë edhe ofertë konkrete në mënyrë që gjithçka të mbyllet sa më shpejtë dhe ta kemi konstituimin e Kuvendit dhe qeverinë e re”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se takimet ende nuk janë përmbyllur.
“Për hollësitë e përmbajtjes së ofertës sonë, që do të duhej të rezultonte me marrëveshje, mund të flasin vetëm atëherë kur bisedimet janë finalizuar me atë marrëveshje. Është për të ardhur keq që konstituimi i Kuvendit të Kosovës po vonon nga data 19 prill. Para kësaj date, s'mund të flasim që mund të konstituohet Kuvendi, ndonëse zgjedhjet u mbajtën me 9 shkurt”, ka thënë ai.
Mirëpo, sa janë gjasat që të shkohet drejt një marrëveshje politike LVV-NISMS, folën njohësit e çështjeve politike.
Bisedimet Kurti-Limaj, Mehmeti: Kam bindjen se do të arrijnë marrëveshjen
E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Gani Mehmeti.
Si fillim, ai u shpreh se beson që do arrihet një marrëveshjes mes Kurtit dhe Limajt për konstituim të Kuvendit.
Këtë bindje, tha se e ka si shkak i deklaratave dhe gatishmërisë së Limajt për të ndihmuar në konstituim të Kuvendit.
“Sa u përket bisedimeve mes Albin Kurtit dhe Fatmir Limaj për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, disi kam bindjen se do të arrijnë marrëveshjen.
Këtë e them, duke u bazuar në deklaratat dhe ofrimin e Limajt menjëherë pas zgjedhjeve se do të bashkëpunojë me këdo për formimin e institucioneve të Kosovës”, nënvizoi ai.
Po ashtu, opinionisti nuk sheh diçka të keqe nëse Limajt veç i ofrohet posti i kryeparlamentarit, pasi siç tha mjafton të ketë qëllimin e mirë.
Në këtë rast, përmendi edhe kohën kur në të kaluarën postin e kryeministrit të vendite kishte partia me më së paku deputetë.
“Nëse Limaj e ka qëllim kryesor për formimin e institucioneve, ai duhet të hyjë në koalicion edhe pa e marrë postin e kryekuvendarit. Por, së fundmi le ta marrë edhe atë post me qëllimin më të mirë, që ai të punojë me sinqeritet e jo vetëm për përfitime personale e partiake.
Ne kemi shembullin kur kryeministri ishte me dy a tre deputetë!
Albin Kurti të formojë qeverinë, por me aleatët të forcojë bashkëpunimin, në veçanti me SHBA”, përfundoi Gani Mehmeti për “Bota sot”.
Zogaj: Oferta e Fatmir Limajt për marrëveshje me VV është shumë pozitive
Ndërsa, publicisti Skënder Zogaj kishte kritika për gjendjen e krijuar, derisa tha se duket që të zgjedhurit e popullit nuk janë të vetëdijshëm se kanë për detyrë të zgjidhin probleme dhe jo t’i krijojnë ato.
Në këtë rast, ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se vetëm Limaj tregoi gatishmëri për të bashkëpunuar me partinë fituese me qëllim për dalje nga kriza, kur asnjë tjetër nuk pranoi një gjë të tillë.
“E keqja më e madhe që po i ndodh Kuvendit dhe gjithë Kosovës është bllokada që po e krijojnë subjektet politike parlamentare, të gjitha pa dallim, të cilat nuk janë të vetëdishme se populli i ka zgjedhur për të zgjidhur probleme e jo për të krijuar probleme! Në këtë situatë Fatmir Limaj është i vetmi i cili ka treguar vigjilencë shtetërore ndaj nevojës që duhet sakrifikuar të gjitha interesat personale e partiake për të mirën e vendit e të popullit!
Prandaj oferta e Fatmir Limajt për marrëveshje me VV është shumë pozitive dhe e meriton një vendim xhentëlmen, sepse, nëse ndodh do të kemi zhbllokim dhe të paktën do të shihet se kush e ka seriozisht e kush po tallet me vendin”, nënvizoi ai.
Krahas kësaj, Zogaj përmendi edhe mundësinë që Limaj të zgjedhet krye parlamentar, derisa ai personalisht nuk sheh diçka të “keqe” në këtë gjë.
Sipas tij, do të ishte lëvizje e mirë politike, nëse VV do t'ia ofronte Limajt postin e krye parlamentarit.
“Vërejtja që po theksohet shpesh - se subjekti partiak i Limajt i ka vetëm 3 deputet në Kuvend, unë mendoj se është qëndrim i gabuar, sepse, deputetët në Kuvend janë të zgjedhur individualisht kështu që, numri i tyre është i rëndësishëm për partitë politike e jo për kualitetin institucional, ku individi është vlera kryesore që duhet të kihet parasysh! Limaj është figurë e dëshmuar e luftës dhe e paqes, madje figurë shumë reflektuese që, ka marrë vendime të forta e të rëndësishme, edhe kur nuk kanë qenë të pafavorshme për të, por të vlefshme për vendin. Në pikën më të fort të karrierës Limaj ka braktisur partinë kryesore të krahut të luftës dhe ka dalur në opozitë, që është vigjilencë për t'u çmuar! Nëse VV do t'ia ofronte Limajt postin e kryeparlamentarit unë personalisht mendoj se do të ishte potez i mirë dhe i duhur për gjendjen absurde në të cilën ndodhet shteti i Kosovës”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.