25 vite padrejtësi për Shaban Manajn/ Veprimtarët kërkojnë përgjegjësi nga institucionet

Politika

25 vite padrejtësi për Shaban Manajn/ Veprimtarët kërkojnë përgjegjësi nga institucionet

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 23 korrik 2025 Në ora: 07:54
Avokati Shaban Manaj dhe presidenti Rugova

Sot më 23 korrik 2025 shënohen plot 25 vjet nga vrasja tinëzare e Shaban Manajt, veprimtarit të shquar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe një zëri të fuqishëm të rezistencës paqësore shqiptare gjatë viteve të 90-ta.

Vrasja e tij, e ndodhur në një periudhë të trazuar politike dhe shoqërore, mbetet edhe sot e kësaj dite e pazbardhur, një prej dhjetëra vrasjeve politike që lanë gjurmë të thella në historinë e pasluftës në Kosovë.

Vrasja e tij tronditi opinionin publik dhe u pa si një përpjekje për të heshtur njerëzit që kishin mendim ndryshe dhe që vepronin me guxim për të mirën e përbashkët. Por, asnjëherë, as për Manajn, e as për shumë të tjerë si ai, nuk pati përgjigje përfundimtare nga drejtësia.

Prokuroria Speciale në Prill të vitit 2017 kishte marrë nën hetim rastin e vrasjes së Shaban Manajt, i cili është gjetur i vrarë me datë 23.07.2000, në fshatin Ozdrim të Komunës së Pejës.

“Lidhur me këtë çështje jemi në fazën e mbledhjes së dosjeve dhe të gjitha të dhënave që kanë të bëjnë me hetimin e kryer nga hetuesit e policisë së atëhershme të UNMIK-ut, prokurorëve të saj por edhe të të gjitha të dhënave nga gjykatat lidhur me ecurinë e kësaj çështje.

Pas sigurimit të dhënave më pas do të vendoset për veprimet e mëtejme të kësaj prokurorie”, thuhej në një përgjigje të Prokurorisë për gazetën “Bota sot” vite më parë.

Por, çerek shekulli më pas, familja e tij, miqtë dhe bashkëveprimtarët ende presin zbardhjen e të vërtetës.

E të gjendur sot në 25 vjetorin e kësaj vrasje tinëzare, cilat janë të rejat rreth zbardhjes së vrasjes së Shaban Manajt dhe çka po bëjnë organet e drejtësisë në këtë drejtim?

Tahiraj: Pa vendosjen e drejtësisë në vendin e duhur për të gjitha vrasjet politike liria nuk është e plotë

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur veprimtari Saim Tahiraj.

Veprimtari thotë se edhe pas 25 vjetësh, organet e drejtësisë nuk kanë bërë përparim konkret në zbardhjen e vrasjes së Shaban Manajt, pavarësisht se kjo çështje hyn brenda mandatit kohor të Gjykatës Speciale.

Image
Saim Tahiraj

Ai nënvizon kërkesën e vazhdueshme të familjes, LDK-së dhe shoqërisë civile që kjo vrasje me motive politike të hetohet seriozisht dhe të mos mbetet në harresë.

Çfarë po bëjnë organet e drejtësisë?

“• Deri më tani, nuk ka rezultate konkrete: As kriminelët, as autorët e urdhëruesve nuk janë zbuluar apo ndëshkuar për vrasjen e Shaban Manajt, ngjarje makabre e ndodhur në korrik–gusht 2000. Patrioti dhe veprimtari i madhë Shaban Manaj u zhduk më 23 korrik 2000 dhe trupi i djegur u gjet më 5 gusht. Kjo çështje mbetet e papërfunduar.

• Familja Manaj, LDK dhe shoqëria civile kanë kërkuar me insistim që kjo vrasje të merret në trajtim nga Dhomat e Specializuara (Gjykata Speciale), që sipas mandateve të saj mund ta hetojë ngjarje të tilla me motive politike gjatë periudhës 1998‑2000 .

• Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (Christopher Bennett) ka konfirmuar se data e vrasjes (23‑24 korrik 2000) bie brenda mandatit kohor të kësaj gjykate, por institucionet nuk komentojnë për të dhëna specifike rreth hetimit .

• Edhe pas 25 vjetëve, zëri i familjes dhe i LDK-së mbetet i fortë për angazhim institucional dhe përfshirje të Gjykatës Speciale në këtë rast”, shpjegoi veprimtari.

Si kujtohet Shaban Manaj?

Tahiraj shton që Shaban Manaj ishte figurë kyçe e LDK-së dhe simbol i rezistencës paqësore, i nderuar si “Hero i Kosovës”. Ai nënvizon se përkujtimi i tij është një kërkesë e vazhdueshme për drejtësi dhe ndriçimin e vrasjeve politike, pa të cilën liria mbetet e paplotë.

“• Ai ishte një avokat dhe aktivist i shquar i LDK‑së, bashkëpunëtor i ngushtë i Ibrahim Rugovës. Është vlerësuar si “Hero i Kosovës” për rolin e tij gjatë periudhës së rezistencës ndaj regjimit serb dhe ndërtimit të shtetit të ri .

• Përkujtimi i tij bëhet çdo 23 korrik me ceremoni nga LDK, komuniteti i Istogut, dhe familjarë, duke nderuar kontributin e tij dhe duke kërkuar drejtësi të plotë .

• Figura të njohura LDK-së si dhe zyrtarë lokalë kanë kërkuar me insistim ndriçimin e vrasjeve politike gjatë dhe pas luftës,dhe përgjegjësi institucionale për të gjithë viktimat intelektuale dhe luftëtarëve të lirisë të kësaj periudhe.

Shpresoj që Gjykata Speciale të merret edhe me rastin Shaban Manaj në mënyrë që drejtsia të vëhet në vendin e duhur. Pa vendosjen e drejtësisë në vendin e duhur për të gjitha vrasjet politike liria nuk është e plotë”, nënvizoi Tahiraj për “Bota sot”.

Zogaj: Kam përshtypjen se një pjesë të fajit e kanë edhe LDK-ja dhe familjarët e vrarëve

Ndërsa në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur edhe publicisti Skënder Zogaj.

Publicisti thotë se vrasja e Shaban Manajt është pjesë e krimeve politike pasluftës që rëndojnë lirinë e Kosovës dhe dëshmojnë kapjen e drejtësisë nga krimi, pasi ai u vra për shkak të vlerave të tij demokratike dhe bashkëpunimit me Presidentin Rugova.

Image
Skender Zogaj

“Njëra nga sakrificat shumë të rënda dhe absurde që e rëndojnë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, janë vrasjet e pasluftës, të cilat dihet mirëfilli se janë bërë për qëllime politike, prandaj edhe pos tjerësh, janë dlshmi se nuk ka funksionuar drejtësia, ngaqë është kapur nga nëntoka e krimit dhe korrupsionit!

Shaban Manaj ishte një idealist djathtist, demokrat dhe atdhetar me formim intelektual, themelues i LDK dhe bashkëpunëtor i Presidentit historik dr, Ibrahim Rugova. Dhe, pikërisht për këto vlera është e ka pësuar nga urrejtuar nga kriminelët, që e kanë vra tinëzisht, sepse,Shabani ua ka penguar planet e duarve të zeza”, thotë ai.

Zogaj në fund thekson se vrasja e Shaban Manajt dhe e shumë intelektualëve tjerë nuk është zbardhur sepse autorët janë mbrojtur nga struktura të fuqishme kriminale brenda institucioneve të shtetit, që kanë kapur drejtësinë.

Ai kritikon edhe heshtjen e LDK-së dhe familjarëve, duke thënë se mungesa e angazhimit për të kërkuar të vërtetën ka ndihmuar në mbulimin e këtyre krimeve.

“E kam thënë edhe më parë por po e përsëris, vrasësit e Shabanit dhe dhjetra intelektualëve të tjerë, nuk janë zbardhur sepse, ata kanë qenë të nxitur dhe të mbrojtur nga njerëzit e fuqishëm të strukturave institucionale, të cilët e kanë penguar drejtësunë ta kryej punën e saj. Pra po kalon një çerek shekulli dhe vrasjet nuk po zbardhen, sepse zbardhja do të nxirrte në shesh strukturat e organizuara krminale nga të cilat është kapur shteti!

Po të mos ishte kjo, kahera do të dihej kush dhe pse e ka vra Shaban Manajt dhe qindra të tjerë, bijë e bija të zgjedhura atdhetare! Janë vra dhe po vazhdojnë të diskrimimohen sepse drejtësia nuk po guxon të shkapet, ose sepse është "blerë" dhe e ka humbur dinjitetin profesional e kombëtar!

Kam përshtypjen se një pjesë të fajit e kanë edhe LDK-ja dhe familjarët e vrarëve, që është dashur ta ngrisin zërin, të hulumtojnë dhe të denoncojnë fakte, që i dinë, por që, gabimisht kanë besuar se do ti thotë drejtësia! Një kësi mosangazhimi nuk e ka merituar Shaban Manaj, i cili as në kohë robërie nuk ka heshtur, ka guxuar të flas e të veproj! E kam pasur shok të mirë! E kujtoj me dhembje dhe më vjen keq që, në vend se të shpërblehej për punën atdhetare, është vra nga dora tradhtare”, përfundoi Zogaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat