Kosova është pa institucione të reja që nga 9 shkurti, kur edhe u mbajtën zgjedhjet parlamentare, pasi deputetët kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin të një marrëveshjeje politike, duke qenë se asnjëra parti nuk e ka fituar shumicën për të qeverisur e vetme.
Kjo bllokadë ka nxitur reagime të mëdha, ku nuk kanë munguar as thirrjet e ndërkombëtarëve për formim sa më të shpejt të institucioneve.
E në lidhje me këtë ngërç, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch.
Si fillim, tha se kjo bllokadë nuk po e ndihmon shtetin tonë, madje tha se kjo situatë duket qesharake, pasi ka mundësi që të tejkalohet kjo.
Për këtë, tha se problem qëndron tek fakti se të gjitha partitë po kërkojnë shumë.
“Duket se bllokada nuk e ndihmon Kosovën.
Nga jashtë duket qesharake dhe është e mundur që këta të brendshmit të heqin dorë.
Mendoj se më e mira tani është të krijohet një qeveri funksionale dhe pastaj të kërkohet mbështetje nga vendet mike.
Problemi është se të gjitha partitë kërkojnë shumë dhe duken të paafta për kompromis.
Është për të ardhur keq për këtë vend të bukur…”, deklaroi Bosch për “Bota sot”.
Theksojmë se, sot deputetët kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin – një ditë para skadimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për finalizim të procesit. Seanca e radhës do të mbahet më 26 korrik në orën 14:00.
Më 24 korrik, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për masë të përkohshme, përmes së cilit ua ndalon deputetëve çdo veprim në drejtim të konstituimit të Kuvendit në periudhën 27 korrik – 8 gusht.