Roja e burgut bëhet prokuror kundër UÇK-së! – Nait Hasani kritikon ashpër praktikën në Gjykatën Speciale

Politika

Roja e burgut bëhet prokuror kundër UÇK-së! – Nait Hasani kritikon ashpër praktikën në Gjykatën Speciale

Nga: A.M. Më: 26 korrik 2025 Në ora: 21:45
Nait Hasani

Një ish-roje burgu në Hagë, që kishte mbikëqyrur ish presidentin Hashim Thaçi dhe ish krerët e UÇK -së gjatë paraburgimit të tyre, është rekrutuar si prokuror në Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe po merr pjesë në procesin gjyqësor kundër tyre.

Për këtë ka reaguar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, shprehin indinjatë dhe shqetësim të thellë lajmin tronditës të publikuar sot në media, sipas të cilit një ish-roje burgu, që kishte shërbyer në kohën kur z. Hashim Thaçi ishte i burgosur në Hagë, është rekrutuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe i është dhënë roli i prokurorit në procesin kundër krerëve të UÇK-së.

Ky zhvillim skandaloz e vendos në pikëpyetje serioze gjithë integritetin e procesit gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara. Si është e mundur që një individ me histori direkte të kontaktit dhe mbikëqyrjes së të akuzuarve, të avancojë befas në pozitën e një prokurori?

A është ky drejtësi apo një farsë e ndërtuar mbi urrejtje të kamufluar dhe urdhra të errët politik?

Ky veprim e zhvesh përfundimisht këtë proces nga çdo petk i paanshmërisë. Ai konfirmon dyshimet tona se procesi nuk është as i drejtë dhe as ligjor, por një ndjekje politike e organizuar ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në reagimin e OVL e UÇK-së.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se se Gjykata Speciale është sui generis.

Sipas tij, në këtë gjykatë gjithçka është e mundshme të ndodhë, duke përfshirë edhe fabrikimin e akuzave, të cilat ai thotë se janë bërë nga prokurorë me lidhje me Serbinë apo nga bashkëpunëtorë të saj.

“Gjykata është sui generis.

Aty çdo gjë është e mundshme të ndodhë, ashtu siç janë bërë fabrikime të akuzave nga prokurorë serbë dhe bashkëpunëtorë të Serbisë. Kjo kalim nga gardian në prokuror është diçka që e shohim përditë, nëpërmjet veprimeve abuzive të prokurorëve atje, në procesin politik kundër Hashimit, Rexhës, Kadriut dhe Jakupit.

Kjo është një gjykatë politike dhe, si e tillë, çdo gjë është e pritshme dhe e mundshme”, ka deklaruar Hasani për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat