"Evropa, shpresa e fundit për të shpëtuar Shqipërinë nga pushteti i drogës"

Politika

"Evropa, shpresa e fundit për të shpëtuar Shqipërinë nga pushteti i drogës"

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 28 korrik 2025 Në ora: 11:58
Foto ilustrim

Më 25 korrik, eurodeputeti gjerman Dr. Alexander Sell mbajti një fjalim të ashpër në Parlamentin Evropian, duke u shprehur kundër procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Eurodeputeti Sell ka kritikuar rëndë procesin zgjedhor të majit në Shqipëri, duke theksuar se ato kishin shumë pak lidhje me demokracinë.

Gjithashtu, ai e akuzoi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për burgosjen e kundërshtarëve politikë, blerje masive të votave sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, si dhe për kufizimin e fjalës së lirë.

“Zgjedhjet e majit patën shumë pak të bënin me demokracinë. Kryeministri Rama burgos kundërshtarët politikë, vëzhguesit ndërkombëtarë raportuan për blerje masive të votës, ndërsa gjatë fushatës u mbyll edhe TikTok-u. Liria e shtypit thuajse nuk ekziston”, ka potencuar ai.

Tutj, Sell ka shtuar se nga aspekti ekonomik, Shqipëria përfiton kryesisht nga trafiku ndërkombëtar i drogës.

“Nga pikëpamja ekonomike, përfitimet kryesore të Shqipërisë vijnë nga trafiku ndërkombëtar i drogës. Mafia shqiptare kontrollon me brutalitet ekstrem trafikun në mbarë Evropën. Shumë miliarda vërshojnë çdo vit në Tiranë”, deklaruar ai.

Shahu: Gjermanët mund ta shpëtojnë sërish shtetin shqiptar nga kriminaliteti

Lidhur me këtë, publicisti Rexhep Shahu në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se Europa nuk është vetëm një synim për Shqipërinë, por edhe një shpresë për shpëtimin e saj nga pushteti i drogës.

“Europa përveçse destinacion ku synojmë të shkojmë, është së pari shpresë se do ta shpëtojë Shqipërinë  nga pushteti i drogës. Shqipëria nuk është atdheu i drogës por kjo qeveri në Tiranë për më shumë se një dekadë me përkrahje ndërkombëtare e ka bërë drogën biznes apo sport kombëtar në Shqipëri”, ka thënë ai.

Image
Rexhep Shahu

Ai hedh akuza ndaj qeverisë shqiptare për përfshirje në këtë biznes ilegal dhe shpreh besimin se politikanët gjermanë nuk do ta tolerojnë më këtë situatë.

“Është e vogël Shqipëria për të qenë një lavatriçe kaq e madhe për pastrimin e kaq shumë parave të drogës ndërkombëtare në sektorin e ndërtimit e më gjerë.

Këtë biznes ilegal të qeverisë së Tiranës duket e kanë kapur dhe nuk e tolerojnë politikanët gjermane. Shpresojmë që gjermanët që kanë bërë kombin shqiptar e shtetin kombëtar shqiptar 1941-1945, ta bëjnë serish shtetin shqiptar jo kriminal.

Le te shpresojmë të gjermanët”, ka është shprehur Shahu.

Vata: Eurodeputeti Alexander Sell nxori vrerë për Shqipërinë

Edhe analisti politik, Ilir Vata e ka komentuar fjalimin e eurodeputetit Sell.

Image
Ilir Vata

“Eurodeputeti gjerman Dr. Alexander Sell mbajti një fjalim të ashpër kundër procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Edhe nazisti i fundit i dënuar për krime kundër njerëzimit do të kishte folur më mirë për Shqipërinë.

Eurodeputeti, Alexander Sell, deklaroi se: “Shqipëria nuk i plotëson aspak kushtet demokratike për t’u bërë pjesë e BE-së,” duke përmendur problematikat si: “Zgjedhjet e 11 majit patën shumë pak të bënin me demokracinë. Kryeministri Rama burgos kundërshtarët politikë, vëzhguesit ndërkombëtarë folën për blerje masive të votës, ndërsa gjatë fushatës u mbyll edhe TikTok-u. Liria e shtypit thuajse nuk ekziston”, deklaroi ai.

 Po ashtu, Sell shkoi më tej duke e quajtur Shqipërinë “Kolumbia e Evropës”, për shkak të rolit që, sipas tij, ka mafia shqiptare në trafikun e kokainës dhe marihuanës në kontinentin evropian.

 Alexander Sell nxiu Shqipërinë në momentin më kritik, kur pritej që BE të mbyllë grupin e kapitujve të fundit me Shqipërinë për anëtarësimin në BE. Pra, Alexander Sell hodhi shumë llum mbi Shqipërinë dhe disa të vërteta”, ka thënë ai.

Po ashtu, Vata ka folur edhe për akuza që i ka bërë Sell rreth burgosjes së opozitës.

“E para, Shqipëria ka probleme me trafikun e drogës, si dhe vendet e BE-së e më gjerë, por Shqipëria, nëse është urë trafiku, Gjermania dhe vendet e Evropës shesin dhe përdorin drogën që vjen nga trafiku ndërkombëtar. Pra, kjo që eurodeputeti tha ka një të vërtetë. Edhe për mbylljen e TikTok, të vërtetën tha Alexander Sell, por ajo që mashtron është se nuk ka burgosje të opozitës, por SPAK po vë para përgjegjësisë për të akuzuarit për korrupsion, kë nën ta janë Berisha, Mediu, Meta, Kryemadhi, Ndoka e të tjerë që po hetohen. Po ashtu, SPAK ka hetuar edhe ish-ministra, ministra, kryebashkiakë të pushtetit, dhe eurodeputeti nuk e përmend?

 Mendoj se fjalimi i tij ishte një telajo e zezë, madje mendoj se fjalimin ia kanë shkruar nga Shqipëria, pra ai është mercenar politik kundër një kombi që ka mbrojtur evropianizimin që në mesjetë me kalimin e Evropës, Skënderbeun”, ka shtuar ai.

Në fund, Vata ka përmendur se Shqipëria ka nisur të ecë drejt sundimit të ligjit dhe reformës në drejtësi.

“Të vërtetat e tij janë një mësim për Shqipërinë, ndërsa të pavërtetat janë llumi që ai po i hedhë telajos evropiane të Evropës së zgjeruar me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Fjala e Alexander Sell është nga më të errëtat e të gjitha kohërave, marrë së bashku, kundër Shqipërisë.

Shqipëria ka ndryshuar, ka probleme të mëdha me ekonominë, trafikun e drogës, por sundimi i ligjit ka nisur të marrë jetë dhe reforma në drejtësi po i jep kuptim shtetit ligjor. Eurodeputeti i konsideron hetimet për korrupsion burgosje politike, jo nevojë urgjente për të pastruar shtetin nga korrupsioni? Kjo është e pavërteta që e bën atë të pabesueshëm, një "nazist" që flet me doza urrejtje kundër një kombi”, ka përfunduar Vata.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat