Forcat e Armatosura të Kosovës kanë gjetur trupin e pajetë të Rrahim Latifit, personit që ishte shpallur i zhdukur prej dy ditësh pas një incidenti tragjik në Ujman. Latifi ishte raportuar i zhdukur që nga momenti kur dyshohet se kërceu nga ura e Ujmanit, një ngjarje që shkaktoi shqetësim dhe kërkime intensive nga autoritetet lokale.
Operacioni i kërkimit dhe shpëtimit, i koordinuar nga Forcat e Armatosura të Kosovës në bashkëpunim me autoritetet e tjera relevante, përfundoi me gjetjen e trupit të tij në zonën përreth Ujmanit. Aktualisht, organet kompetente janë duke kryer hetimet për të sqaruar rrethanat e sakta të ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse ka pasur ndonjë faktor të jashtëm apo rastësi që çoi në këtë tragjedi.
Por, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, tha këtë të martë se është thellësisht e shqetësuar nga përpjekjet për të politizuar angazhimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Liqenin e Ujmanit, për gjetjen e trupit të një 33-vjeçari që dyshohet se ka kërcyer nga ura e liqenit dy ditë më parë.
Agim Rexhepi ish-polic hetues, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për shkuarjen e FSK-së në veri dhe politizmin e e këtij veprimi.
Ai thotë se FSK-ja për herë të parë si ushtri shkoi në veri pa karakter luftarak apo mbrojtës, por dëshmoi gatishmërinë për të vepruar në çdo rrethanë dhe pa dallim etnik apo rajonal brenda Kosovës.
Ai vlerëson edhe shqetësimin e Ambasadës gjermane, ndonëse disa analistë përpiqen ta politizojnë këtë veprim ligjor, duke nxitur përçarje.
Ai shprehet se FSK-ja është forcë shtetërore e të gjithëve, prandaj ky hap duhet mirëpritur nga të gjitha palët.
“Shkuarja e FSK-së në veri për herë të parë si ushtri nuk ka pasur karakter luftarak as mbrojtës, mirëpo FSK-ja ka dëshmuar se është e gatshme të veprojë në çdo rrethanë, dmth aty ku paraqitet nevoja duke mos bërë dallim të nacionalitetit as lokacionit përbrenda Republikës së Kosovës. Unë e kuptoj shqetësimin e Ambasadës gjermane për shkak të disa analistëve të cilët po mundohen që me çdo kusht çdo veprim të ligjshëm ta shoqërojnë me politizim, çka na çon fillimisht në përçarje politike në mes të partive e pastaj edhe tek popullata.
Prandaj, këtë veprim do të duhej ta mirëpresin të gjithë sepse FSK-ja nuk është e asnjë partie, por është forcë mbrojtëse nacionale e të gjithë qytetarëve”, thotë ai.
Tutje, thotë se FSK-ja vepron në koordinim me KFOR-in, EULEX-in dhe Policinë e Kosovës. Prandaj, prania e saj në veri për herë të parë si ushtri nuk duhet politizuar, por përkrahur nga të gjithë, pasi është bërë në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë dhe në funksion të sovranitetit të Kosovës.
“FSK-ja ka bashkëpunim me KFOR-in, EULEX-in dhe Policinë e Kosovës që të veprojë në koordinim dhe rrethana të caktuara.
Prandaj, shkuarja e FSK-së në veri për herë të parë si ushtri nuk duhet politizuar por duhet të mirëpritet dhe përkrahet nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë, pasi që ka shkuar në koordinim me KFOR-in, sepse edhe veriu është Kosovë” – u shpreh Rexhepi.