“Kriza politike nuk zgjidhet nga ata që e krijuan – na duhet një qasje e re”

Politika

“Kriza politike nuk zgjidhet nga ata që e krijuan – na duhet një qasje e re”

Nga: A.M. Më: 29 korrik 2025 Në ora: 22:08
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës nuk u konstituua më 26 korrik, duke dështuar të respektojë afatin 30-ditor të vendosur nga Gjykata Kushtetuese pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Përkundër thirrjeve për përgjegjësi institucionale, forcat politike nuk arritën marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Në mungesë të konsensusit, pritet që Gjykata Kushtetuese të ndërhyjë sërish.

Kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit nga radhët e Guxo, Ilir Poroshtica, në një interviste për gazetën "Bota Sot", ka komentuar situatën aktuale politike në vend, duke e cilësuar si një krizë të thellë që ka paralizuar funksionimin institucional dhe po ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

“Vendi po kalon një krizë të thellë politike, me polarizim, mungesë dialogu dhe institucione që nuk funksionojnë si duhet. Kjo nuk është thjesht krizë politike – është bllokadë që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve”, deklaroi Poroshtica.

Image
Ilir Poroshtica

Sipas tij, për të kapërcyer këtë situatë, është e domosdoshme një transformim i qasjes politike në Kosovë.

“Ne kemi nevojë për një kulturë të re politike, ku politika i shërben qytetarit dhe ku llogaridhënia vjen para interesave partiake. Konfliktet politike nuk duhet të jenë më arsye për të bllokuar zhvillimin dhe të ardhmen”, tha ai.

Duke komentuar për mënyrën se si mund të dilet nga kjo bllokadë, Poroshtica theksoi: “Po, por vetëm nëse ndryshojmë qasjen. Nuk mund të presim zgjidhje nga ata që e krijuan krizën. Ne kemi nevojë për një gjeneratë me integritet, guxim dhe vullnet të vërtetë për dialog.”

Në fund, ai shtoi se zgjidhja qëndron tek përfshirja aktive e qytetarëve dhe ndërtimi i një sistemi që bazohet në transparencë dhe bashkëpunim.

“Unë besoj se me presion qytetar, transparencë dhe bashkëpunim mbi ndasitë, mund të rikthejmë funksionalitetin dhe besimin në institucione”, përfundoi Poroshtica.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat