“U vetëdijësuan partitë politike, zëvendësuan kandidatët e përhershëm në lista zgjedhore”

Politika

“U vetëdijësuan partitë politike, zëvendësuan kandidatët e përhershëm në lista zgjedhore”

Nga: H.O. Më: 30 korrik 2025 Në ora: 22:11
Ilustrim

Sekretari i Aleancës Kosova e Re (AKR) dhe analisti politik, Vesel Makolli, ka komentuar zhvillimet e fundit në listat e kandidatëve për zgjedhjet lokale, duke theksuar se nuk bëhet fjalë vetëm për një “pastrim” brenda partive, por për një proces më të thellë të reformimit të qasjeve politike dhe të përfaqësimit në nivel lokal.

“Në fakt, ajo që po shohim nuk është vetëm ndërrim emrash. Kemi të bëjmë me një reformësim të brendshëm të partive politike, i nxitur nga dinamika të reja shoqërore, nevoja për rifreskim të imazhit publik dhe presion për performancë e përgjegjësi më të lartë,” tha Makolli për ‘Bota sot’.

Image
Vesel Makolli

Ai theksoi se partitë politike, njësoj si çdo organizëm tjetër shoqëror, duhet të zhvillohen dhe të vetëreflektojnë. Sipas tij, kjo arrihet vetëm duke promovuar kuadro profesionale dhe figura me nivel kulturor që përkojnë me zhvillimet e kohës në të gjitha fushat e jetës.

“Zëvendësimi i disa kandidatëve që për një kohë të gjatë kanë qenë ‘të përhershëm’ në listat zgjedhore, është shenjë e një vetëdijësimi të brendshëm dhe dëshmi e synimeve për të rritur cilësinë e përfaqësimit. Kjo është një përpjekje për të ofruar alternativa më të avancuara, më zhvillimore dhe më të orientuara drejt nevojave konkrete të qytetarëve,” u shpreh ai.

Makolli vlerëson se ky proces nënkupton një evoluim të qeverisjes brenda partive, i cili në raste të caktuara mund të pasqyrojë një vetëdijesim politik për rëndësinë e përfaqësimit cilësor në nivel lokal.

“Nuk është vetëm një vendim teknik për të ndërruar emra. Është përballje me qytetarin kritik, të vetëdijshëm dhe kërkues. Se sa i qëlluar do të jetë ky ndryshim, do ta tregojë vota e elektoratit, sovrani dhe rezultatet konkrete të qeverisjes komunale në mandatin e ardhshëm,” përfundoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat