Kosova më afër SHBA-së: Heqja e tarifës për mallrat amerikane, lëvizje me peshë diplomatike

Politika

Kosova më afër SHBA-së: Heqja e tarifës për mallrat amerikane, lëvizje me peshë diplomatike

Arife Morina - Mulaku Nga Arife Morina - Mulaku Më 2 gusht 2025 Në ora: 14:01
Foto ilustrim

Gjatë ditës së djeshme, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se Kosova do ta heqë tarifën doganore ekzistuese prej 10 për qind në mallrat amerikane.

“Tani e tutje, të gjitha produktet me orgjinë nga Shtetet e Bashkuara do të kenë tarifë 0 për qind kur të hyjnë në vendin tonë. Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë fuqishëm se kjo do të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar dhe shtimin e investimeve”, ka thënë Kurti në nisje të mbledhjes.

Kurti ka thënë se përmes këtij hapi dëshmohen marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe tregohet se Kosova dëshiron të ketë marrëveshje për tregti të lirë me Shtetet e Bashkuara

Lajmi për heqjen e tarifës është mirëpritur thuajse nga të gjithë, përfshirë edhe odat ekonomike në Kosovë.

Oda Ekonomike Amerikane tha se muaj më parë kishte bërë thirrje për heqjen e kësaj tarife.

“Ky hap i rëndësishëm pasqyron një demonstrim të fortë dhe strategjik për të avancuar bashkëpunimin ekonomik me SHBA-në, partnerin më të ngushtë politik dhe ekonomik që ka Republika e Kosovës”, ka thënë Oda amerikane, duke shtuar se ky vendim hap rrugën për rritjen e flukseve tregtare dhe investimet në sektorët kyç.

Kujtojmë se, vendimi i Kurtit erdhi një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i ka prezantuar tarifat e reja ndaj 69 vendeve me të cilat bën tregti SHBA-ja, me arsyetimin se ato kanë qenë të padrejta ndaj ekonomisë amerikane.

Në vendimin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë është thënë se mallrat e çdo vendi partner tregtar që nuk përfshihen në aneksin e urdhrit, do të jenë subjekt i taksës prej 10 për qind bazuar në urdhrin ekzekutiv të prillit.

Në atë urdhër, Kosova ishte goditur me tarifë reciproke prej 10 për qind, ashtu sikurse Shqipëria dhe Mali i Zi.

Por, çfarë efektesh ka ky vendim në rrafshin diplomatik dhe marrëdhëniet Kosovë-SHBA?

Aliçkaj: Nga një perspektivë diplomatike, ky vendim mbart një peshë edhe më të madhe

Si fillim, për këtë temë, pra vendimin e qeverisë në detyrë të Kosovës, për “Bota sot” foli veprimtari shqiptaro-amerikan, Agim Aliçkaj.

Sipas tij, ky ishte një vendim i duhur, por i vonuar. Në kët pikë, përmendi anët pozitive të heqjes së këtyre taksave për mallrat amerikane.

“Vendimi i Qeverisë në detyrë të Albin Kurtit për të hequr tarifën doganore për mallrat amerikane është i mirëpritur, megjithëse pak i vonuar. Në aspektin ekonomik, kjo do të ndikojë në rritjen e shkëmbimit tregtar dhe në mundësinë që tregu i Kosovës të furnizohet me produkte cilësore nga Amerika. Edhe pse tregu i Kosovës për Amerikën është i vogël, shpresoj që pala amerikane do të bëjë të njëjtën gjë.

Vlen të theksohet së kohët e fundit, vërehet një lëvizje shumë pozitive drejt thellimit të marrëdhënieve me SHBA-në. Vazhdimi i Programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MÇ) për Kosovën nga administrata e Presidentit Donald Trump është shumë i rëndësishëm për vendin tonë. Rëndësi të jashtëzakonshme në lëmin e mbrojtjes ka vizita e Zëvendësndihmës Sekretarit amerikan të Mbrojtjes për Politikën Evropiane dhe të NATO-s, David Baker”, nënvizoi ai.

Image
Agim Aliçkaj

Më tej, Aliçkaj përmendi ndikimin në fushën e diplomacisë, e që potencon se kjo po konfirmon orientimin pro-amerikan të Kosovës.

“Nga një perspektivë diplomatike, ky vendim mbart një peshë edhe më të madhe. Ai konfirmon në veprim orientimin pro-amerikan të shtetit të Kosovës, duke rritur respektin e administratës amerikane dhe duke u bërë një shembull i mirë për vendet e tjera.

Nuk ka shpresa se Serbia fashiste do të ndryshojë kurrë. Ajo është e vendosur të krijojë me çdo kusht një "Botë Serbe", të eliminojë kombin shqiptar dhe të plaçkitë tokat shqiptare. Dialogu i pafund dhe marrëveshjet e kota me Serbinë që ajo i prish sipas dëshirës janë bërë të mërzitshme. Nuk ka asgjë të mirë nga Evropa, me 5 vende që nuk e njohin Kosovën. Vetëm Amerika mund ta ndalë tërbimin e Serbisë.

Ndër të tjera, veprimtari shqiptaro-amerikan kishte edhe një mesazh për liderët politik të vendit, sa i përket marrëdhënieve me SHBA-në.

“Ka ardhur koha për të gjetur forma të afrimit edhe më të madh dhe thellimin e marrëdhënieve me Amerikën, përfshirë mundësinë e bërjes territor i SHBA-së. Besoj se presidenti Trump do ta mirëpriste një gjë të tillë.

Ndërkohë që Kryeministri Kurti është i angazhuar në konsolidimin e institucioneve shtetërore, Presidentja Osmani mund t'i udhëheqë këto përpjekje. Opozita, nëse dëshiron të veprojë me mençuri në interes të shtetit dhe të vetit, duhet t'i mbështesë këto përpjekje, si dhe ta ndihmojë Kryeministrin Kurti në formimin e një qeverie të re, në mënyrë që shteti i Kosovës të mund të ecë përpara”, përfundoi Agim Aliçkaj për “Bota sot”.

Shabani: Në aspektin diplomatik, ky veprim nënkupton rritjet e bashkëpunimit tregtar dhe jo vetëm

Kurse, edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani e sheh si pozitive heqjen e taksës për mallrat amerikane.

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se ky vendim ka rëndësi në aspektin diplomatik dhe thellimin e raporteve me SHBA-në.

“Sa i përket vendimit për heqjen e tarifave doganore të Kosovës për produktet amerikane, në mënyrë indirekte jep shpjegimin se Kosova dëshiron t'i thellojë marrëdhëniet dypalëshe me SHBA-të edhe më shumë dhe nga ana tjetër, vërejmë se brenda shteteve të Ballkanit Perëndimor, vetëm Kosova ka tarifë prej 10%, përderisa Serbia arrinë deri në 35%.

Pra, në aspektin diplomatik, ky veprim nënkupton rritjet e bashkëpunimit tregtar dhe jo vetëm, me SHBA-të që konsiderohet aleat kyç për Kosovën, jo vetëm në sferën e ekonomisë, por edhe në atë të sigurisë dhe mbrojtjes”.

Image
Amir Shabani

Krahas kësaj, përmendi edhe rëndësinë e konstituimit të Kuvendit, ku pas këtij vendimi shumë biznese vendore mund të zgjerojnë kapacitetet e tyre.

“Nga zyrja e Presidentes Osmani deklarojnë se kanë përgatitur një ligj të tillë, por se për miratimin e këtij ligji duhet fillimisht të konstituohet Kuvendi i ri i Republikës së Kosovës, i cili fatkeqësisht po dështon pas tentativës së 50-të.

Andaj, arritja e konstituimit të Kuvendit mundëson që edhe bizneset kosovare të ofrojnë kapacitetet e tyre prodhuese dhe tregtare në tregun amerikan, si dhe qeveria të angazhohet me krijimin e një mjedisi transparent e të qëndrueshëm për bizneset amerikane që kërkojnë të zgjerohen në Kosovë”, përmbylli Amir Shabani për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat