Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq, në të cilën, siç njoftoi ai vetë, ka ripërsëritur rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ka dënuar “çdo veprim të njëanshëm që mund ta dëmtojë atë”.
Por sipas analistit dhe profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, dr. Enver Bytyçi, kjo deklaratë e Macron nuk është thjesht një shprehje rutinë diplomatike.
Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ai thekson se pas këtij qëndrimi fshihet një hall i madh i Beogradit.
“Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, njoftoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Në deklaratën e tij thuhet se “Përsërita rëndësinë e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës dhe dënimin tonë të çdo veprimi të njëanshëm që mund ta dëmtojë atë”.
Nga kjo deklaratë e tij duket qartë se Vuçiq i është ankuar homologut të tij francez se “aktorë dhe faktorë të tjerë po punojnë për devijimin dhe mbylljen e dialogut”! Me siguri kanë parasysh faktorin amerikan nën lidershipin e Donald Trump. Nëse Macron përdor fjalën “dëmtim i dialogut”, kjo vlen për Beogradin, i cili e ka dëmtuar këtë dialog që në vitin 2011, kur ai nisi si proces për të ashtuquajturat “bisedime teknike”!”, ka thënë Bytyçi për “Bota sot”.
Ai kujton se qysh në fillim të procesit, Beogradi i ka bërë presion komunitetit ndërkombëtar që dialogu të zhvillohet në trajtën e “bisedimeve teknike”, duke injoruar faktin se më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte legjitimuar pavarësinë e Kosovës si të përputhshme me të drejtën ndërkombëtare dhe me Rezolutën 1244.
“Nëse Macron përdor fjalën “dëmtim i dialogut”, kjo vlen për Beogradin, i cili e ka dëmtuar këtë dialog që në vitin 2011, kur ai nisi si proces për të ashtuquajturat “bisedime teknike”! Dëmi më i madh ishte, se u shkel vendimi i Këshillit të Sigurimit dhe OKB-së, të cilët patën parashikuar një “dialog teknik”! Dhe kjo ndodhi nën presionin e Beogradit, me qëllim zhvleftësimin e statusit të pavarësisë së vendit, edhe pse më 22 korrik 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte njohur legjitimitetin e kësaj pavarësie, të bazuar në ligjin ndërkombëtar dhe në Rezolutën 1244”, shprehet Bytyçi.
Sipas tij, deklarata e fundit e Macron vërteton atë që e kishte thënë më parë në një emision televiziv në Tiranë: “Dialogu me Serbinë ka marrë fund. Zgjidhja tashmë është në tavolinë dhe e diktuar në formën e një ultimatumi: Merre ose lëre!”
“Tani, presidenti i Serbisë dhe ai i Francës shfaqen të shqetësuar se “po dëmtohet ky dialog” dhe se ata “i dënojnë këto përpjekje”! Kjo deklaratë e Macron zbulon atë që thashë në një ekran televiziv të Tiranës, se “Dialogu me Serbinë ka marrë fund, zgjidhja tashmë është në tavolinë dhe e diktuar me kërkesën ultimative “Merre ose lëre”! Që do të thotë se Vuçiq e ka marrë këtë ultimatum dhe duhet të njohë pa dialog dhe pa kushte pavarësinë e Kosovës dhe sovranitetin e saj shtetëror!””, nënvizon ai.
“Në momentin që do të ndodhë kjo, kritikët e Albin Kurtit, që de facto e bllokoi këtë dialog, duhet të gjejnë ndonjë vrimë që të futen! Ndonëse kanë një mundësi: - Të dalin në publik e të kërkojnë ndjesë për shkopinjtë nën rrota që ata i kanë vënë qëndrimeve dinjitoze të kryeministrit të Kosovës!”, përfundoi Bytyçi.