Nga Brukseli në dështim: Dialogu Kosovë–Serbi pa vizion e pa zgjidhje

Politika

Nga Brukseli në dështim: Dialogu Kosovë–Serbi pa vizion e pa zgjidhje

ARIFE MORINA-MULAKU Nga ARIFE MORINA-MULAKU Më 11 gusht 2025 Në ora: 15:57
Peter Sorensen, Vjosa Osmani

Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon të jetë një nga çështjet më me rëndësi dhe që ndërkombëtarët i kushtojnë vëmendje më shumë.

Pavarësisht se, Kosova është në një bllokadë institucionale dhe ka tema më me prioritet se bisedimet me Serbinë, kjo çështja e fundit u kthye në vëmendje sërish.

Kjo erdhi me, vizitën e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, në Kosovë, e i cili u takua me udhëheqësit shtetërorë për mënyrat e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, si dhe për situatën aktuale në terren.

I pyetur se në çfarë gjendje është aktualisht dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, emisari evropian tha shkurt se procesi “është aktiv”.

“Dialogu është i gjallë dhe aktiv”, tha ai.

Mirëpo, sa është i “gjallë” në realitet ky dialog, kur dihet se ka tash e sa kohë që nuk ka përparime në këtë proces.

Kujtojmë se, rundi i fundit i dialogut mes kryenegociatorëve të dy shteteve, që ndërmjetësohet nga BE-ja, ishte mbajtur më 10 qershor. Pas këtij takimi, Sorensen deklaroi se po bëheshin përgatitje për një takim të nivelit të lartë, e që i njëjti nuk ka ndodhur ende.

E për procesin e dialogut në këtë kohë bllokade, folën njohësit e çështjeve politike e diplomatike.

Ukshini: Nuk ka indikacione serioze që në prapaskenë po zhvillohet një proces i strukturuar për të zgjidhur çështjet thelbësore

Së pari, për “Bota sot” foli ish-ambasadori Sylë Ukshini, i cili tha se dialogu është i gjallë vetëm formalisht, derisa faktikisht është në koma.

Image
Sylë Ukshini

Ai tha se nuk ka qartësi nga BE për këtë proces, derisa Kosova është në bllokadë institucionale e Serbia po përballet me demonstrata masive.

“Nëse shohim realisht situatën, dialogu mund të jetë “gjallë” vetëm në kuptimin formal – që si proces nuk është shuar plotësisht – por politikisht ai është në koma. Prej muajsh nuk ka pasur asnjë takim serioz dhe asnjë përparim mes Kosovës dhe Serbisë. Për momentin nuk ka qartësi as nga ana e BE-së se ku do të ecë ky proces. Në Kosovë jemi me një qeveri në detyrë dhe formimi i qeverisë së re mund të zgjasë, duke krijuar një boshllëk institucional. Në anën tjetër, Serbia po përballet me demonstrata masive kundër presidentit Vuçiq, një figurë politike që vjen nga bota e politikës kriminale dhe hegjemoniste, me rrënjë te bashkëpunëtorët e Millosheviqit. Në këtë mjedis, pretendimi se dialogu është “gjallë” tingëllon më shumë si deklaratë diplomatike se sa si përshkrim real i gjendjes”.

Po ashtu, Ukshini e vlerësoi vizitën e Sorensen më shumë si përpjekje për të menaxhuar arrestimet e shqiptarëve në Serbi dhe serbëve në Kosovë.

"Në këtë kontekst, vizita Peter Sorensen-it mund të shihet se një përpjekje e reduktuar e në menaxhimin teknik të rasteve të burgosjes së qytetarëve serbë në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi, më shumë sesa në shtyrjen përpara të procesit politik. Me këtë qasje dhe me këtë dinamikë, nuk mund të kemi normalizim të vërtetë të marrëdhënieve Kosovë–Serbi. Për të ringjallur dialogun, duhet transparencë, barazi në trajtimin e palëve dhe një BE që vepron si ndërmjetës i paanshëm – jo si garantues i interesave të njërës palë. Unë mendoj se vetëm pas ndalje së luftës në Ukrainë dhe pas afrimit SHBA-Rusi mund të kemi një dinamikë të re dhe një përparim në dialogun e Brukselit. BE, as nuk ka vullnet deh as instrument dhe as kohezion për ta çuar përpara çështjen e normalizimit Kosovë-Serbi. BE-ja duhet ta pranojë se ka dështuar në këtë dialog dhe është koha t’i hap krahun SHBA-së”, nënvizoi ai.

Po ashtu, diplomati potencoi edhe tri gabime fatale të BE-së në këtë proces, e të cilat janë ndikuar në humbjen e besimit të Kosovës.

“Nuk ka indikacione serioze që në prapaskenë po zhvillohet një proces i strukturuar për të zgjidhur çështjet thelbësore. Përkundrazi, kemi një BE që pas Marrëveshjes/Aneksit të Ohrit në mars 2023 ka bërë tri gabime fatale:

1.  Tolerimi i Vuçiqit për të mos e nënshkruar marrëveshjen, duke e lejuar të tallej hapur me procesin.

2. Reagimi i padrejtë pas agresionit ushtarak serb në Banjska, ku në vend që të vendoste masa ndëshkuese ndaj Serbisë, BE-ja sanksionoi Kosovën për dërgimin e kryetarëve shqiptarë në komunat veriore.

3. Bllokimi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke vendosur kushte të reja në momentin e fundit dhe duke luajtur lojën e Beogradit.

Me këto veprime, BE-ja i ka humbur besimin Kosovës dhe sot ka reputacionin më të ulët që nga fillimi i procesit të dialogut. Nëse Brukseli fokusohet vetëm te pika 7 e marrëveshjes – formimi i Asociacionit – atëherë bëhet e qartë se prioriteti nuk është normalizimi i marrëdhënieve, por akomodimi i kërkesave të Serbisë brenda Kosovës”.

Ndër të tjera, ai shtoi se si mund të ndikojë kjo qasje e ndërkombëtarëve në perceptimin e misioneve të saj në Kosovë.

“Në këtë kontekst, lind pyetja, si ndikon kjo situatë në perceptimin e BE-së dhe të misioneve të saj në Kosovë? Me këtë diskurs BE-ja e ka minuar besimin e qytetarëve shumicë të Kosovës. Përveç dialogut, kemi edhe çështjen e Gjykatës Speciale, e cila në vend që t’i raportojë institucioneve të Kosovës, raporton përmes UNMIK-ut dhe EULEX-it në Këshillin e Sigurimit të OKB-së – një praktikë që është mashtrim dhe tradhti ndaj Kosovë, sepse nuk është gjykatë që e ka formuar OKB-ja.  Për më keq, kjo gjykatë kosovare, madje, tani po përdor dokumente të sigurimit shtetëror serb – një strukturë e cila gjatë gjithë shekullit XX ka qenë represive dhe armiqësore ndaj shqiptarëve të Kosovës. Është absurde që një gjykatë e Kosovës të gjykojë me dosje të UDB-së, sepse është njësoj si të gjykoheshin kundërshtarët e Hitlerit në Nuremberg me dokumente të Gestapos. Për shqiptarët e Kosovës, UDB-a është e barabartë me Gestapon. Sikur në gjyqin e Nurembergut pas Luftës së Dytë Botërore, që Gestapo u shpall organizatë kriminale për shkak të rolit të saj në krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin ndaj hebrenjve, edhe UDB-a dhe policia serbe nga Tribunali i Hagës u shpallën organizata kriminale dhe përgjegjëse për krime të luftës në ish-Jugosllavi dhe për krimet e luftës dhe spastrimin etnik në Kosovë.

EULEX-i ndërkohë po perceptohet gjithnjë e më shumë si një mision i dështuar, madje si një strukturë që punon kundër shtetit të Kosovës dhe kundër atyre që kanë luftuar brez pas brezi për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Prokurorët e EULEX-it nuk kanë lënë një emër të mirë në Kosovë. Kujtoni vetë rastin e Salustros, i cili pas një flirti të gjatë “të butë dhe të ëmbël” përfundoi në shtratin e Beogradit”, përmbylli Sylë Ukshini për “Bota sot”.

Azemi: Diplomatët që vizitojnë Kosovën, e kanë prioritet dialogun, për arsye se në axhendën e të tyre, Kosova ende figuron si një shtet i papërfunduar

Kurse, publicisti Emin Azemi tha se diplomatët ndërkombëtar e kanë prioritet dialogun, por që kanë qasjen e gabuar ndaj Kosovës.

Image
Emin Azemi

Ai tha se shteti ynë ka çështje të pambyllura me Serbinë, por ato janë më tepër të karakterit teknik dhe ato nuk duhet të ishin pengesë që Kosova të perceptohet si shtet normal.

“Diplomatët që vizitojnë Kosovën, e kanë prioritet dialogun, për arsye se në agjendën e të tyre, Kosova ende figuron si një shtet i papërfunduar dhe sipas tyre, ky proces mund të mbyllet vetëm nëse arrihet një marrëveshje e re me Serbinë.

Mendoj se kjo është një qasje e gabuar e diplomacisë ndërkombëtare e cila çështjen e Kosovës, ende nuk mundet ta sheh jashtë orbitës së Serbisë.

Është e vërtetë se Kosova ka disa çështje të pambyllura me Serbinë, por ato janë më tepër të karakterit teknik dhe ato nuk do të duhej të jenë pengesë që Kosova të perceptohet nga diplomacia ndërkombëtare si një shtet normal, që ka nevojë për mbështetje edhe më të madhe e jo të penalizohet, siç po ndodhë aktualisht”, nënvizoi publicisti.

Po ashtu, Azemi vlerëson se procesi i dialogu nuk do të vdes, dhe jo vetëm me Serbinë, por me gjithë botën demokratike.

“Brukseli në raportet vjetore që i publikon, më tepër merret me çështjet që ndërlidhen me Serbinë, se sa me proceset e brendshme demokratike, zhvillimore të Kosovës. Ky është një absurd i llojit të vet, prandaj edhe ndërmjetësi special i dialogut, Peter Sorensen, thotë se dialogu është akoma gjallë. Dialogu asnjëherë nuk do të vdes, dhe jo vetëm me Serbinë, por me gjithë botën demokratike, prandaj të kërkosh nga Kosova të mbaj sytë e veshët nga Beogradi, në vend se të përqendrohet në konsolidimin e shtetit dhe demokracisë, është një qasje që herët a vonë do të rezultojë e dështuar”.

Në fund, përmendi edhe marrëveshjen e Ohrit dhe zbatimin e saj.

“Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen e Ohrit më 2023. Edhe pse marrëveshja nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo është obligative për të dyja palët.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut”, përmbylli Emin Azemi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat