Ish-emisari special për dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell, po vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes me deklaratat e tij sa i përket raporteve ndërmjet të dyja vendeve.
Së fundi në një intervistë televizive Grenell që tani është përfaqësues special i presidentit Donald Trump ka treguar për planet e këtij të fundit për t’u përfshirë në çështjen e Kosovës.
Grenelli tha se administrata Trump do të shkojë hap pas hapi në çështjen e Kosovës.
“Mendoj se do të shkojmë hap pas hapi. Sigurisht jemi plotësisht të angazhuar në këto çështje, por siç e thashë, po bëjmë zhvillim ekonomik gjithandej botës. Ky është fokusi”, tha Grenell.
I pyetur se a e ka ndonjë plan për t’u rikthyer në temat e vjetra si korrigjimi i kufijve, Grenell tha se “nuk ka kthim mbrapa në asgjë”.
“Mendoj se planet kanë qenë gjithmonë plani ekonomik. Nuk ka kthim mbrapa në asgjë. Ne gjithmonë jemi përqendruar në zhvillim ekonomik si shtytës për zgjidhje të problemeve dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha ai.
Këtë angazhim të Grenell e ka komentuar për gazetën “Bota sot” profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dr. Enver Bytyçi.
Profesori fillimisht u ndal tek qendrimi i Grenell në jug të Shqipërisë, duke thënë se bashkë me të kanë mundur të jenë edhe personazhe tjera të përfshira në çështjen Kosovë-Serbi, e madje edhe vet Edi Rama e Aleksandër Vuçiq.
“Richar Grennell ka filluar të aktivizohet. Nuk e di nëse është një vetaktivizim, apo ka suport në administratën e presidentit Trump. Por ai po dëshiron „të jetë gjallë“, madje si ekstremist i rrezikshëm në ndihmë të planeve dhe projekteve të Serbisë në Ballkan. Para disa ditësh u pa në Jug të Shqipërisë, nën shoqërinë e Blendi Fevziut. Në fakt unë besoj se aty ishte edhe Baton Haxhiu, si interpret dhe dëshmitar i Aleksandër Vuçiq për përçimin e interesave të Serbisë në Shqipëri, sidomos në Kosovë e kudo në Ballkan. Lajmet nuk kanë dhënë asgjë, se në vendin tonë nuk ka gazetari investigative dhe të paparacit, por Grennell në Dhërmi ka qëndruar edhe në shoqërinë e Edi Ramës”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.
Prej këtej ambasadori Grennell shkoi në Mal të Zi dhe në Podgoricë, ku u takua me të dënuarin e të shkarkuarin, Milorad Dodik.
“Më pas Dodik fluturoi me avion të posaçëm në Banjallukë, nga ku shpalli referendum për pavarësi së Republikës Srpska dhe shkëputjen e saj prej stetit të Bosnjë-Hercegovinës. Eshtë shumë e qartë:- prej atij atkimi ai ka marrë udhëzime se si të punojë për të shkatërruar paqen në rajonin tonë të Ballkanit Perendimor e në kontinentin europian. Grennell, Vuçiq, Dodik, Rama dhe Orban janë bashkë në këtë projekt destabilizues. Ndërkaq kanë në ndihmë Memlin, Lumirin dhe Ramushin, të cilët nuk njohin legjitimitetin e zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë”, potencon ai.
Por jo vetëm kaq. Sipas Bytyçit zoti Grennell ka hedh shumë ide pro-serbe dhe në dëm të Kosovës.
“Tha se “kërkesa për njohje reciproke (Kosovë-Serbi) është qesharake”. Domethënë se ai është kundër një marrëveshjeje me njohje midis këtyre dy vendeve në konflikt. Eshtë pikërisht ajo që thotë vazhdimisht presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ka shpallur gjithashtu një „plan ekonomik“ të tipit të një Tregu të Përbashkët Ballkanik. Pretendon se përmes këtij plani ekonomik do të vendoset paqja dhe do të zgjidhen konfliktet në Ballkan. Sepse ai nuk do që ta kuptojë se konfliktet ballkanike gjatë gjithë historisë së tyre kanë ndodhur për shkak të projekteve të Beogradit për Serbinë e Madhe. Sot ndodhin në kuadër të asaj që Vuçiq e quan krijimi i Botës Serbe, sërishmi për Serbinë e Madhe”, shtoi ai.
Nëse ndodh që vendet e Ballkanit Perendimor të pajtohen me këtë projekt serb të artikuluar nga Richard Grennell, Bytyçi thekson se atëherë Serbia do të jetë sërishmi sovrane e shtetit të Kosovës, ose më së paku territori i Kosovës do të ndahet në favor të Serbisë.
“Nëse nuk e kupton këtë politika në Kosovë dhe nëse një pjesë e kësaj politike anashkalon këtë fakt, duke besuar se Grennell do ta zhbëjë Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, atëherë territori i vendit është seriozisht i kërcënuar. Bashkë me territorin janë të kërcënuar shtetësia e Kosovës si edhe paqja e stabiliteti në Ballkan. Askush nuk duhet t’u besojë projekteve që artikulon ambasadori Grennell. Kjo jo vetëm për shkak se ai ka punuar fuqimisht për ndarjen e Kosovës, por edhe se vazhdon të punojë sërishmi për këtë ndarje”, nënvizon profesori.
Bytyçi thekson se është fat i mirë që presidenti Trump nuk i dha atij funksione të rëndësishme.
“Nuk e bëri as sekretar Shteti, as drejtor të CIA-s, dy poste këto që i mbajnë dy politikanë amrrikanë pro-Kosovës. Por Grennell është si djalli. Të ngjitet dhe nuk të shqitet më. Tani i është ngjit dhëndërrit të Trump dhe ndërmjetëson mes tij dhe aktorëve që kanë rol në ndarjen e Kosovës, përkatësisht Aleksandër Vuçiq dhe Edi Ramës. Përmes Vuçiq mori ndërtimin e Kullës Trump në Beograd. Përmes Ramës ia dha zotit Kushner ishullin e Sazanit. Dhe për këtë Grennell nuk ka has në asnjë vështirësi. Të dy këta i janë lutur Richardit që tai ta bindë dhëndërrin e zotit Trump. Sepse të dy besojnë se edhe Trump mund të jetë një lider si ata. Të joshet përmes akteve të vënies në ankand të pasurisë dhe territorit të shteteve të tyre. Vuçiq dhe Serbia janë më të fituarit. Fitojnë Kosovën, ose pjesën më të pasur të territorit të saj. Ramës nuk ia nin për Kosovën, as për Shqipërinë. Ai e ka mendjen te pushteti i tij personal dhe punon për të evituar ndëshkimin që do t’i vijë për kriminalizimin e të gjitha institucioneve, ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare. Në këto kushte Richard Grennell synon përfitimet e veta dhe nuk e ka vështirë për këtë”, thekson tutje Bytyçi.
Andaj, profesori bën thirrje që të mos lejohet asnjë projekt e plan për copëtimin e Kosovës dhe defunksionalizimin e shtetit.
“I përmenda të gjitha këto për të tërhequr vëmendjen tonë, të atyre që e duan Kosovën, Shqipërinë, atdheun dhe kombin tonë. Ne nuk duhet të lejojmë asnjë projekt e asnjë plan për copëtimin e Kosovës ose defunksionalizimin e shtetit të saj. Nuk duhet ta pranojmë. Shqiptarët në Kosovë janë intiutivë dhe kuptojnë lehtë rrezikun që u vjen. Por me qëllim që të mos reflektojnë në momentin e fundit, duhet ditur se edhe pas asaj protestës së veteranëve më 7 gusht në Prishtinë është Richrd Grennell, Edi Rama dhe përmes këtyre të dyve edhe Aleksandër Vuçiq. Këtë e dinë organizatorët dhe regjisorët e asaj proteste. Ndoshta thonë pse të mos e shfrytëzojmë rastin e të përfitojmë. Por po hyre në valle nuk të lenë të dalësh prej saj”, përfundoi ai.