Gjatë javës së kaluar, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës publikoi vendimin e saj, pas kërkesës së paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar njëzëri se deputetët e Kuvendit nuk kanë zbatuar aktgjykimin e 26 qershorit 2025, duke shpallur të pavlefshme të gjitha seancat nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025. Po ashtu, është konstatuar se kryesuesi i seancës konstituive ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe me aktgjykimin e mëparshëm të Gjykatës.
“TË KONSTATOJË, njëzëri, që deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme;
TË KONSTATOJË, njëzëri, që Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetues.
Ky vendimi i Gjykatës është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Kjo parti është shprehur se vendimi i Gjykatës Kushtetuese përbën devijim të rrezikshëm nga roli kushtetues.
“Sa herë që Lëvizja VETËVENDOSJE! duhet të veprojë sipas rregullave që më herët janë vendosur nga vet Gjykata si jurisprudencë në raste analoge, sikur Aktgjykimi i vitit 2014, ato rregulla po i ndryshon vet Gjykata.
Përmasa partiake e vendimit dallohet edhe nga fokusi krejtësisht i panevojshëm tek Kryesuesi i seancës konstituive z. Avni Dehari. Të njëjtin efekt juridik do të kishte lidhur me rendin e ditës pa e subjektivizuar me figurën e Kryesuesit e seancës. Sepse, tek e fundit, Kryesuesi i seancës konstituive nuk është subjekt kushtetues, vetëm Kuvendi është. Kryesuesi i seancës konstituive është vetëm subjekt i Rregullores së Kuvendit. Duke e spikatur vetëm Kryesuesin e seancës pa asnjë justifikim juridik, zbulohet qartazi që qëllimi ishte etiketimi politik i figurës së tij sipas fjalorit të partive opozitare.
Nëse Kryesuesi i seancës konstituive paska vepruar gabimisht kur u ka kërkuar deputetëve të votojnë për, kundër apo abstenim për sa i përket komisionit për votim të fshehtë, është e pakuptueshme pse Gjykata nuk e ka konstatuar këtë shkelje në Aktgjykimin KO 124/25, të shpallur më 26 qershor i cili është nxjerrë pasi Kryesuesi i seancës kishte filluar tashmë thirrjen për votim të komisionit prej 1 majit 2025.
Gjykata duket qartë se ka zgjedhur të mbajë anë duke prekur në mënyrë serioze parimet demokratike dhe sfiduar vullnetin popullor”, thuhet në reagimin e VV-së.
Muçiqi: Anëtarët e Kushtetueses nuk janë “engjëj”
I të njëjtit mendim është edhe opinionisti, Ismail Muçiqi, i cili në një prononcim për “Bota sot” ka theksuar se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk i ka kontribuar zgjidhjes së bllokadës në Parlamentin e Kosovës
Sipas tij, çdo institucion në vend është sot i politizuar dhe i vënë në shërbim të partisë politike që ka deleguar njerëzit e saj, madje edhe Gjykata Kushtetuese nuk është përjashtim
“Mendoj se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, edhe një herë, nuk i kontribuoi zgjidhjes së bllokadës në Parlamentin e Kosovës. Nuk ka dyshim se çdo institucion që sot funksionon në vend është i politizuar, i vënë në shërbim të partisë politike që ka deleguar njerëzit e saj – madje deri në Gjykatën Kushtetuese.
Komentet nga ekspertë të së drejtës po e konfirmojnë këtë, duke e konsideruar të pafajshëm edhe kryesuesin e seancës, i cili u përpoq, përmes dy mënyrave demokratike – me votim të hapur dhe me votim të fshehtë – të zhbllokonte ngërçin në konstituimin e Parlamentit”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai ka hedhur kritika ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetute.
“Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë individë të këtij vendi, që jetojnë e punojnë këtu; nuk janë “engjëj” të pavarur, por njerëz të zakonshëm që shpesh kanë bërë kalkulime politike dhe kanë ndërruar pozicionet sipas propozimeve të partive. Nëse i analizojmë më nga afër, shumë prej tyre nuk kanë një CV të tillë që të bind për kontribut shkencor në fushën e jurisprudencës – nuk kanë shkruar libra, nuk kanë botuar studime në revista të njohura juridike, e nuk kanë lënë gjurmë të rëndësishme në sistemin e drejtësisë.
Për këtë arsye, autoriteti i tyre nuk dallon shumë nga pjesa tjetër e sistemit gjyqësor të Kosovës, i cili prej vitesh përballet me mungesë besueshmërie dhe ndikim të fortë politik”, është shprehur Muçiqi.
Qarri: Kushtetuesja po prodhon norma të reja dhe po e thellon ngërçin politik
Ndërkaq, analisti politik, Gani Qarri ka kritikuar veprimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke theksuar se ajo po krijon norma të reja që nuk ekzistojnë në Kushtetutë dhe rregullore.
Sipas Qarrit, vendimet e Kushtetueses janë të njëanshme, tejkalojnë kompetencat dhe përkeqësojnë krizën politike, duke bllokuar konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë.
“Duke krijuar apriori edhe një normë të re, e cila nuk ekziston as në Kushtetutë dhe rregulloren e Kuvendit, nisur nga vet fakti se në Gjykatën Kushtetuese punojnë edhe gjykatës të inkriminuar si ai serb Radomir Llaban,i dekretuar nga Hashim Thaçi në këtë detyrë që në gusht të vitit 2018, ani pse ai dyshohet si bashkëpunëtor i mundshëm i BIA-s, së Serbisë dhe në raporte të afërta me kryeterroristin serb Millan Radojçiq, veprimi më i ri i gjyqtarëve të Kushtetueses dëshmon se gjyqtarët e kësaj gjykate, janë të detyruar të sjellin vendime sipas dëshirave të atyre që i kanë emëruar në këto poste dhe jo vendime të bazuara në nenet dhe dispozitat e Kushtetutës së Kosovës, që ndihmojnë vendin të dalë nga ngërçi.
Derisa gjyqtarët e tillë, kanë marrë guximin ta interpretojnë edhe Kushtetutën sipas tekeve të atyre që i kanë dekretuar, me veprimin e radhës, që është edhe më dëshpërues se i pari, vet Kushtetuesja është kthyer në sponsorizues të kundër kushtetutshmërisë dhe burim të konflikteve, e cila jo vetëm që nuk e ka ofruar mundësinë e zgjidhjes së ngërçit, por me vendimin e ri Kushtetuesja duket ti ketë komplikuar gjërat edhe më keq me njëanshmëri dhe tejkalimin e autorizimeve të veta deri te ndërhyrja flagrante edhe në kompetenca të Legjislativit.
Prandaj duke i parë vendimet e një kushtetueseje si kjo e Kosovës dhe qëndrimet konfuze të partive të inkriminuara politike, të cilave për ta rrënjosur edhe më thellë kaosin aktual, po u vjen në ndihmë të hapur edhe vet Kushtetuesja, nuk besojë se pa një ndërhyrje të fortë, nga faktor determinues si SHBA, mund të konstituohet Kuvendi as të formohet qeveria.
Madje nëse edhe vet legjislativi, medoemos tentohet të mbetet në duart e deputetëve të tillë të dështuar, tek të cilët, pasi e futën vendin në këtë ngërç të paprecedent politik edhe populli i Kosovës e ka humbur plotësisht besimin, dhe nuk dëshiron më, për asnjë çmim, që edhe për 4 vite tjera, të mbetet i "përfaqësuar" prej yre, shumë më mirë do të ishte, si për Legjislativin, Republikën e Kosovës dhe vet qytetarët e vendit tonë, shkuarja definitive në zgjedhje të reja, dhe krijimi i një legjislativi komplet të ri!”, ka deklaruar ai.
Po ashtu, ka theksuar se vendimi i fundit i Kushtetueses shkel hapur Kushtetutën dhe tejkalon kompetencat.
“Ndryshe me prodhimin e normave të reja kundërkushtetuese, ndërhyrjen e hapur në rregulloren e Kuvendit dhe nxjerrjen e vendimeve të ndikuara politikisht nga vet Kushtetuesja, përveçse problemet ekzistuese, po mbeten të pazgjidhura, vendimi më i ri i Kushtetueses tanimë është kthyer edhe në burim të rritjes së tensioneve dhe akt i cili, pothuajse apriori, ka vrarë mundësinë për rrugëdalje nga spiralja e problemit politik dhe zgjidhjen e ngërçit.
Në nenin 4 të Kushtetutës thuhet qartë, se Gjykata Kushtetuese bënë interpretimin e Kushtetutës së Kosovës dhe garanton respektimin e Kushtetutës së vendit, kurse me vendimin më të ri, kjo gjykatë- jo në një, por në disa pika bie në kontest të hapur me dispozitivin dhe nuk bazohet në tekstin e Kushtetutës, akte që nuk janë parashikuar në asnjë nen të Kushtetutës dhe në asnjë dispozitë të Kushtetutës dhe vendime që për rrjedhojë përbëjnë krijimin e normave të reja, tejkalimin faktik të kompetencave dhe ndërhyrje të hapur kundërligjore në funksionin e pushtetit legjislativ.
Shto kësaj argumentin tjetër shumë negativ për Gjykatën Kushtetuese e cila përveç tejkalimit të kompetencave me prodhimin e normave të reja të paqena, siç shprehet Ministrja në detyrë e Drejtësisë, zonja Albulena Haxhiu në konferencë shtypi, ka dyshime të bazuara fort që gjyqtari i dyshuar serb, i cili vazhdon të mbetet pjesë vendimmarrëse e Gjykatës Kushtetuese të vendit, Radomir Llaban është edhe bashkëpunëtor i BIA-s së Serbisë dhe ka raporte të afërta me kryeterroristin serb të kërkuar nga institucionet zyrtare të Republikës së Kosovës, Millan Radoiçiq.
Prandaj dhe dihet botërisht se me një përbërje të tillë, shumfishohen dyshimet se çfarë vendimesh mund të vijnë nga një Kushtetuese e kapur dhe ndikuar, jo vetëm nga politika e inkriminuar vendore, por edhe nga shërbimet e huaja informative si BIA e Serbisë, etj”, ka potencuar ai.
Gjithashtu, Qarri ka përmendur se ministrja në detyrë e Drejtësisë i kishte kërkuar Thaçit të mos e dekretonte Llabanin si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese për shkak të së kaluarës së tij kriminale dhe shqetësimeve nga AKI-ja.
në detyrë e Drejtësisë para disa ditësh ka shpërndarë një letër përmes të cilës i ishte drejtuar edhe Hashim Thaçit me kërkesën për mosdekretimin e Radomir Llaban-it për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të së kaluarës së tij kriminale dhe informacioneve shqetësuese e mjaft serioze nga AKI-ja, por që megjithatë Thaçi në gusht të vitit 2018 edhe një figurë të dyshimtë si Radomir Llabani e kishte emëruar për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, andaj secili qytetar i Kosovës deri te ai më i paintersuari për zhvillimet politike, sot mund të krijojë dyshime dhe pasiguri të thellë, se çfarë vendimesh të dëmshme mund të prodhohen nga gjykatës të tillë të vendosur aty nga HashimThaçi & Co, të cilët më së paku janë të interesuar për mbarëvajtjen e shtetit tonë, nxjerrjen e vendimeve të drejta dhe zgjidhjen e ngërçit politik, në Kuvendin e Kosovës.
Dhe derisa në Gjykatën Kushtetuese punojnë gjykatës të inkriminuar serb si Radomir Llaban, me vendimin më të ri të saj, i cili është edhe më dëshpërues se i pari, Kushtetuesja jo vetëm që nuk e ka lehtësuar aspak mundësinë e zgjidhjes së ngërçit, por duket ti ketë tejkaluar edhe kompetencat e veta, duke ndërhyrë brutalisht edhe në rregulloren e Kuvendit dhe prodhuar norma të reja, me të cilat problemet ekzistuese, jo vetëm mbeten, por dhe do të rriten edhe më tepër dhe mbytin tërësisht mundësinë për rrugëdalje”, ka vlerësuar Qarri.
Tutje, analisti ka vënë në pikëpyetje vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ajo ka dal me konstatime të kundërta dhe të papritura për veprimet e kryesuesit të Kuvendit, të cilat më parë nuk ishin trajtuar fare.
“Vet fakti se në aktgjykimin e fundit, gjyqtarët e Kushtetueses kanë dalë me përfundime se ligjvënësit nuk kanë vepruar në përputhje me aktgjykimin paraprak dhe se veprimet e kryesuesit të Kuvendit, janë në kundërshtim me Kushtetutën, vlejnë katërçipërisht edhe për Gjykatën Kushtetuese e cila me prodhimin e normave të reja, të pabazuara në asnjë nen dhe dispozitë të Kushtetutës, gjyqtarët e saj, me vetëdije kanë tejkaluar kompetencat e veta dhe kanë ndërhyrë publikisht në kompetencat legjislative të Kuvendit të Kosovës.
Derisa në nenin 4 të Kushtetutës thuhet qartë se Gjykata Kushtetuese bënë interpretimin e Kushtetutës së Kosovës, si dhe garanton respektimin e Kushtetutës së vendit, në aktgjykimin e parë të Kushtetueses, çështja e kryesuesit të Kuvendit as që ishte përmendur fare, ndaj dhe shtrohet pyetja se nga na dolën tani "dy" konstatime të Kushtetueses se veprimet e kryesuesit të Kuvendit, paskan qenë në kundërshtim jo vetëm me aktgjykimin e parë, por edhe me Kushtetutën.
Andaj, kjo gjë vërtetë kërkon një sqarim të detajuar ligjor, pas të cilit ka mundësi, të konstatohet se në fakt, vet gjyqtarët e Kushtetueses janë lajthitur ose po krijojnë qëllimisht mjegull në opinion dhe nëse është kështu, kjo nuk duhet të kalojë, pa konsekuenca personale e grupore, si dhe dhënie përgjegjësie juridike, apo edhe penalo ligjore, pikërisht nga gjyqtarët përgjegjës të Kushtetueses, të cilët me veprimet e tyre kontroverse, po e komplikojnë edhe më tepër gjendjen kaotike dhe ndikojnë në acarimin e tensioneve politike në vend”, ka shpjeguar ai.
Sipas tij, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese për vendime që nuk bazohen në Kushtetutë dhe për krijimin e normave të reja jashtë dispozitave kushtetuese.
Ai ka kërkuar që këto vendime të shqyrtohen me rigorozitet ligjor dhe që gjyqtarët përgjegjës të përballen me pasojat ligjore për veprimet e tyre.
“Duke qenë se pikërisht vendimet e gjyqtarëve të Kushtetueses, nuk bazohen në pikat e dispozitivit, nuk burojnë nga teksti i kushtetutës dhe nuk janë të parashikuar në asnjë nen dhe asnjë dispozitë të Kushtetutës, me krijimin e normave të reja dhe ndërhyrjen në funksionet e legjislativit, gjyqtarët e Kushtetueses jo vetëm se kanë gabuar, por edhe kanë humbur aq shumë kohë kot, duke lënë për muaj të tërë Kuvendin qëllimisht në ngërç, për ç`gjë ata duhet të përgjigjen para ligjit dhe japin arsyetim të argumentuar kushtetues dhe zyrtar.
Siç dihet mirëfilli gjykatësit e Kushtetueses janë të thirrur, ta bëjnë drejtë dhe si duhet, interpretimin e Kushtetutës dhe të garantojnë me kompetencë respektimin e Kushtetutës së vendit e jo të nxisin apo ushqejnë rritjen e tensioneve politike, por ata me vendimet e tyre konfuze dhe të pabazuara në nenet e Kushtetutës, kanë ndërhyrë brutalisht edhe në kompetencat legjislative të Kuvendit, kështu që me akte e tilla të paprecedent, jo vetëm pse shprehet Vetëvendosje, por vërtet rriten dyshimet për vendim të ndikuar politikisht, nga vet gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, vendim që medoemos duhet të shqyrtohet dhe vendoset nën llupën e ligjit, kurse gjyqtarët përgjegjës, le të bartin konsekuencat e veprimeve të tyre të dyshimta, të pabazuara në nenet dhe diapozitivin e Kushtetutës së Kosovës, duke u vendosur edhe para përgjegjësisë ligjore, se pse Gjykata Kushtetuese ka humbur kaq shumë kohë dhe nëse ishte i bazuar në Kushtetutë, të njëjtin vendim, ajo nuk e solli që herën e parë!”, ka përfunduar Qarri.