Rasti i Gjilanit është pasojë e mungesës së Vettingut – Burjani fajëson partitë

Politika

Rasti i Gjilanit është pasojë e mungesës së Vettingut – Burjani fajëson partitë

Nga: A.M. Më: 12 gusht 2025 Në ora: 22:10
Mefail, Edonis dhe Engjëll Shkodra

Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur qytetin e Gjilanit, ku tre persona janë vrarë dhe një tjetër ka mbetur i plagosur.

Të dyshuar për këtë vrasje janë Mefail, Edonis dhe Engjëll Shkodra, të cilët nuk janë emra të panjohur për organet e drejtësisë.

Vitin e kaluar, Mefaili dhe Edonisi ishin arrestuar gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës, por më vonë u liruan pasi dorëzuan garancinë financiare të kërkuar nga Prokuroria Speciale – 50 mijë euro për Mefailin dhe 20 mijë për Edonisin, në një shumë të përgjithshme prej 70 mijë eurosh.

Në lidhje me këtë rast dhe gjendjen aktuale të sistemit të drejtësisë, eksperti juridik Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se pengesat në procesin e vettingut vijnë edhe nga vetë subjektet politike.

“Mendoj se PDK dhe AAK e kanë penguar, por edhe disa të tjerë. Të gjitha partitë politike duhet të pajtohen për vetting në polici dhe drejtësi. Edhe te njerëzit që janë marrë me politikë, duhet një task-forcë për vetting, edhe për politikanë të shumtë që politikën e kanë biznes e jo shërbim. Nuk duhet të bëhet me kohë e me kohë”, ka thënë ai.

Image
Blerim Burjani

Ai gjithashtu përmendi modelin e Shqipërisë me Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), duke e cilësuar si shembull pozitiv të funksionimit të drejtësisë.

“Shqipëria është rasti më i mirë për të parë se çfarë do të thotë drejtësia. Të gjithë ata që e kanë dëmtuar shtetin — të korruptuarit, të vegjël dhe të mëdhenj — duhet të ngrihen padi”, ka theksuar ai.

Në përmbyllje, Burjani paralajmëroi se mungesa e reformave të thella dhe ndëshkimeve reale për korrupsionin mund ta lërë Kosovën jashtë rrugës drejt Bashkimit Evropian.

“Pa padi, pa burgim të përjetshëm dhe pa konfiskim të pasurive të fituara nga politika dhe postet, s’ka BE për Kosovën”, ka përfunduar Burjani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat