Kosova është tronditur nga një seri ngjarjesh të rënda gjatë së dielës dhe së hënës, ku pesë persona humbën jetën nga dhuna me armë zjarri dhe mjete të ftohta, ndërsa një tjetër viktimë u shënua nga një aksident trafiku.
Të dielën, në Gjilan u regjistruan tre vrasje. Sipas Policisë, autor i dyshuar është Mefail Shkodra, i cili bashkë me dy djemtë e tij është ende në arrati.
Të hënën, në lagjen Tusuz të Prizrenit, një person u godit me thikë dhe u dërgua në QKUK, ku ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra në kraharor. Po të njëjtën ditë, në Hajvali të Prishtinës, një 41-vjeçar u vra me armë zjarri.
Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të gjitha rastet dhe është vënë në ndjekje të autorëve të dyshuar, ndërsa opinioni publik është alarmuar nga vala e dhunës që ka goditur vendin në një kohë kaq të shkurtër.
Racaj: Mbi vrasjet e fundit në Kosovë – nga këndvështrimi juridik dhe i sigurisë
Prof. dr. Muhamet Racaj, Gjeneral major, për “Bota sot”, ka dhënë këndvështrimin e tij sa i përket ngjarjeve që tronditën Kosovën.
Ai thekson se nuk mund të trajtohen si incidente të izoluara.
Ai paralajmëroi se intensiteti i tyre paraqet rrezik serioz për rendin publik dhe se shteti ka detyrim ligjor të parandalojë e të hetojë çdo rast, sipas Kushtetutës dhe Kodit Penal.
Sipas tij, armët ilegale dhe boshllëqet në zbatimin e ligjit po rrezikojnë të drejtën për jetë.
“Ngjarjet e datave të fundit, ku brenda dy ditësh u regjistruan pesë vrasje (tre në Gjilan, një në Prishtinë dhe një në Prizren), nuk mund të trajtohen si incidente të izoluara. Intensiteti dhe frekuenca e tyre tregojnë një dukuri shumë negative dhe të rrezikshme për rendin dhe sigurinë publike.
Aspekti juridik
Sipas nenit 25 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e drejta për jetën është e patjetërsueshme dhe e mbrojtur në mënyrë absolute. Kodi Penal i Kosovës (nenet 172–175) sanksionon rreptësisht çdo formë të privimit të paligjshëm të jetës. Shteti ka detyrim pozitiv ligjor për të marrë masa parandaluese dhe për të hetuar me efektivitet çdo rast vrasjeje. Këto raste tregojnë se posedimi i armëve ilegale dhe boshllëqet në zbatimin e ligjit po rrezikojnë realizimin e plotë të së drejtës për jetë”, thotë ai.
Kurse, sa i përket aspektit të sigurisë, ai paralajmëroi se situata paraqet kërcënim serioz për rendin publik dhe kërkoi demilitarizim të shoqërisë.
Ai theksoi se aksionet e policisë për konfiskimin e armëve shpesh janë reaktive dhe jo pjesë e një strategjie të qëndrueshme. Sipas tij, trashëgimia nga periudhat e konfliktit, kultura e armëmbajtjes dhe mungesa e bashkëpunimit qytetar po e përkeqësojnë gjendjen.
Ai bëri thirrje për operacione të vazhdueshme, fushata vetëdijësuese dhe forcimin e policisë komunitare për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës.
Aspekti i sigurisë
Pesë vrasje në një periudhë kaq të shkurtër janë tregues i një kërcënimi serioz për sigurinë publike. Në këto rrethana, thirrjet për “demilitarizimin e shoqërisë” janë të justifikuara. Edhe pse Policia e Kosovës zhvillon aksione për konfiskimin e armëve pa leje, shpesh këto ndërhyrje ndodhin si reagim pas ngjarjeve tragjike dhe jo si pjesë e një strategjie të qëndrueshme proaktive.
Pse ndodh kjo?
• Trashëgimia e armëve nga periudhat e konfliktit.
• Kulturë e rrënjosur e armëmbajtjes si mjet “mbrojtjeje personale”.
• Kapacitete të kufizuara për kontrolle sistematike.
• Mungesë e mjaftueshme e bashkëpunimit qytetar me organet e rendit.
Qëndrim
Këto raste e kanë cenuar ndjeshëm situatën e sigurisë dhe kanë minuar perceptimin e qytetarëve për rendin publik. Institucionet duhet të kalojnë nga qasja reaktive në qasje parandaluese, duke ndërmarrë:
• Operacione të gjera dhe të vazhdueshme për konfiskimin e armëve pa leje.
• Fushata të gjera vetëdijësuese për dorëzimin vullnetar të armëve.
• Forcimin e policisë komunitare dhe rritjen e pranisë në terren,bashkëpunimi i policisë me qytetaret dhe zhvillimin e veprimtarisë të policisë me Komunitetin e cila si duket mungon në Republikën e Kosovës.
Vetëm një kombinim i masave ligjore, operative dhe edukative mund të ndalojë përshkallëzimin e kësaj dukurie dhe të sigurojë mbrojtjen reale të së drejtës universale për jetë në Kosovë”, deklaron ai për “Bota sot”.
Hoxha: Këto ngjarje tragjike po shtojnë ndjeshëm shqetësimin e qytetarëve dhe po ngjallin thirrje të forta për demilitarizimin e shoqërisë
Ish-komandanti Hafir Hoxha nënvizon se vrasjet e dy ditëve të fundit, kanë rritur ndjeshëm shqetësimin publik dhe thirrjet për demilitarizimin e shoqërisë.
Hoxha tha se situata është e cenuar dhe kritikoi qasjen reaktive të policisë në konfiskimin e armëve, e cila shpesh ndërmerret pas ngjarjeve tragjike.
Sipas tij, mungesa e një strategjie gjithëpërfshirëse dhe dënimet jo mjaftueshëm të rënda po lejojnë që armët pa leje të mbeten në qarkullim, duke rritur rrezikun e incidenteve fatale.
“Të dielën dhe të hënën, Kosova u trondit nga pesë vrasje brenda dy ditësh – tre në Gjilan, një në Prishtinë dhe një tjetër në Prizren. Këto ngjarje tragjike po shtojnë ndjeshëm shqetësimin e qytetarëve dhe po ngjallin thirrje të forta për demilitarizimin e shoqërisë.
Pas këtyre rasteve lind pyetja: a është e cenuar situata e sigurisë në vend?
Përgjigjja është po – çdo akt i tillë dhune e dëmton ndjeshëm ndjenjën e sigurisë publike dhe i ekspozon mangësitë e institucioneve në parandalimin e rasteve të tilla.
Çfarë po bëjnë institucionet për konfiskimin e armëve pa leje?
Edhe pse Policia e Kosovës herë pas here organizon aksione për konfiskimin e armëve, duket se këto masa ndërmerren kryesisht pas rasteve tragjike, e jo si veprimtari e vazhdueshme parandaluese. Kjo qasje reaktive, e jo proaktive, le hapësirë që armët të mbeten në qarkullim të paligjshëm dhe të rrisin rrezikun për incidente fatale.
Pse ndodh kjo?
Arsyeja kryesore lidhet me mungesën e një strategjie gjithëpërfshirëse për kontrollin dhe menaxhimin e armëve në nivel shoqëror. Dënimet për armëmbajtje pa leje shpesh nuk janë mjaftueshëm të rënda për të pasur efekt parandalues”, shprehet ai.
Mungesa e edukimit për sigurinë
Ish-komandanti thekson mungesën e edukimit për sigurinë në Kosovë, duke propozuar futjen e një lënde të posaçme në shkolla që trajton armëmbajtjen dhe përdorimin e përgjegjshëm të saj.
Ai kërkon shpërndarjen e materialeve informuese për qytetarët me leje armëmbajtjeje, amnisti të kufizuar për regjistrimin e armëve pa leje, forcimin e dënimeve, fushata të vazhdueshme ndërgjegjësimi dhe krijimin e strukturave të Policisë në Bashkësi me pjesëmarrje të qytetarëve.
Sipas tij, këto masa janë po aq çështje kulture dhe edukimi sa edhe ligji, dhe duhen ndërmarrë urgjentisht për të parandaluar tragjedi të panevojshme.
“Në Kosovë mungojnë njohuritë elementare që do të duhej të mësoheshin në shkolla. Që nga viti 2002, unë kam insistuar për futjen e një lënde të posaçme në shkollat e mesme që trajton edukatën për sigurinë, armëmbajtjen dhe përdorimin e përgjegjshëm të saj. Ky boshllëk në sistemin arsimor kontribuon drejtpërdrejt në mungesën e ndërgjegjësimit qytetar.
Çfarë duhet të bëhet?
•Ministria e Punëve të Brendshme duhet të hartojë dhe shpërndajë broshura dhe udhëzues për secilin qytetar që merr leje për armëmbajtje.
•Këto materiale duhet të përmbajnë informacione të qarta për ligjet dhe rregullat e armëmbajtjes, ruajtjes, mirëmbajtjes dhe përdorimit të saj.
•Të krijohen mënyra të lehta dhe të sigurta për regjistrimin e armëve që aktualisht mbahen pa leje, duke ofruar amnisti të kufizuar me afate të qarta.
•Të forcohen ndjeshëm dënimet për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të gabuar të saj.
•Të zhvillohen fushata të vazhdueshme ndërgjegjësimi për pasojat e mbajtjes dhe përdorimit të armëve.
•Institucionet duhet të punojnë më shumë dhe më efikas, duke formuar struktura të Policisë në Bashkësi. Në këto struktura, qytetarë vullnetarë nga komuniteti mund të angazhohen për të ndikuar pozitivisht në çështjet e sigurisë atje ku jetojnë, duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë dhe duke ndihmuar në parandalimin e incidenteve.
Këto hapa nuk janë vetëm çështje ligji, por edhe çështje kulture dhe edukimi. Nëse nuk veprojmë tani, do të vazhdojmë të përballemi me tragjedi të panevojshme, duke humbur jetë njerëzish dhe duke cenuar sigurinë e secilit qytetar” – përfundon ai për “Bota sot”.