Kosova është tronditur nga një valë e rëndë dhune brenda vetëm 48 orëve, ku pesë persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur në tri ngjarje të ndara.
Më 10 gusht, në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan ndodhi një krim i trefishtë me armë zjarri, ku të dyshuarit janë Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Engjull dhe Edonis Shkodra.
Po atë ditë, në Prizren, një përplasje momentale përfundoi me vrasje me thikë. Ndërsa më 11 gusht, në Hajvali të Prishtinës, një konflikt për parkim përfundoi me ekzekutim me armë.
Këto ngjarje kanë ndezur alarmin për gjendjen e sigurisë në vend.
Eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka shprehur shqetësim për valën e fundit të dhunës në vend, ku brenda 48 orëve janë vrarë pesë persona.
Ai e ka cilësuar situatën si alarmante dhe kritikon efikasitetin e institucioneve të rendit, veçanërisht për faktin që disa nga të dyshuarit janë ende në arrati.
“Vala e fundit e dhunës, ku brenda vetëm 48 orëve janë vrarë pesë persona në rrethana të ndryshme, është një sinjal alarmues për gjendjen e sigurisë publike në vend. Ky numër i lartë i viktimave në një periudhë kaq të shkurtër tregon se po përballemi me një situatë të rëndë, ku dhuna po bëhet gjithnjë e më e pranishme dhe e paparashikueshme.
Fakti që disa nga të dyshuarit ndodhen ende në arrati ngre pikëpyetje serioze mbi efikasitetin e institucioneve të rendit, si në aspektin e parandalimit, ashtu edhe në atë të reagimit të shpejtë.
Në këtë kontekst, është e domosdoshme që organet e sigurisë të ndërmarrin masa më të ashpra parandaluese, të forcojnë bashkëpunimin me komunitetin dhe të përdorin teknologji më të avancuara për hetimin dhe zbulimin e autorëve. Përndryshe, rrezikojmë që pasiguria të normalizohet dhe qytetarët të humbin besimin te shteti dhe ligji.
Mosparaqitja e kryeministrit në një ftesë zyrtare të Prokurorisë mund të japë një shembull shumë të keq për qytetarët dhe për funksionimin e shtetit ligjor”, ka deklaruar ai.
Gjithashtu,Gecaj ka deklaruar se në një shtet demokratik askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, pavarësisht pozitës.
“Në një shtet demokratik, askush — pavarësisht pozitës — nuk duhet të jetë mbi ligjin. Nëse udhëheqësit më të lartë nuk i përgjigjen organeve të drejtësisë, kjo:
• minon autoritetin e institucioneve të rendit dhe të drejtësisë,
• krijon perceptimin se ka “të paprekshëm” përballë ligjit,
• inkurajon qytetarët të mos respektojnë procedurat ligjore,
• dhe dëmton besimin e publikut se ligji zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë”, ka vlerësuar ai.
Më tej, Gecaj ka theksuar se lidhjet mes politikanëve dhe personave me të kaluar kriminale ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e krimit, duke sjellë pasoja serioze si ndërhyrje në drejtësi, krijimin e kulturës së pandëshkueshmërisë, infiltrimin e krimit në institucione dhe humbjen e besimit publik.
Sipas tij, në këto rrethana, krimi i organizuar shndërrohet nga problem i rrugës në problem shtetëror.
“Në një situatë ku kemi rritje të dhunës dhe kriminalitetit, një mesazh i tillë nga maja e pushtetit është edhe më i rrezikshëm, sepse përforcon idenë se zbatimi i ligjit është selektiv.
Lidhjet e personave nga bota e krimit me politikanët në pozita të rëndësishme ndikon shumë në rritjen e krimit, dhe ky është një nga faktorët më shqetësues për sigurinë publike dhe sundimin e ligjit.
Kur persona me të kaluar kriminale kanë lidhje të afërta me politikanë, ndodhin disa pasoja të rënda:
• Ndikim mbi hetimet dhe drejtësinë – Mund të ketë ndërhyrje për të penguar arrestimin, hetimin apo dënimin e tyre.
• Kultura e pandëshkueshmërisë – Kriminelët e ndihen të mbrojtur politikisht dhe vazhdojnë aktivitetin pa frikë nga pasojat.
• Shtrirja e krimit në institucione – Kjo sjell infiltrimin e elementeve kriminale në vendimmarrje, tendera, licenca e favore të tjera.
• Humbja e besimit publik – Qytetarët e shohin shtetin si të kapur dhe ligjin si të zbatuar në mënyrë selektive.
Në vende ku ka këtë lidhje të hapur mes politikës dhe krimit, krimi i organizuar nuk është thjesht problem i rrugës, por bëhet problem i shtetit”, ka përfunduar Gecaj.