Partitë shqiptare bashkë në Graçanicë / Analistët: Sa më i fortë bashkimi, aq më i fuqishëm ndikimi

Politika

Partitë shqiptare bashkë në Graçanicë / Analistët: Sa më i fortë bashkimi, aq më i fuqishëm ndikimi

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 14 gusht 2025 Në ora: 16:06
Foto ilustrim

Nënkryetari i Komunës së Graçanicës, Leutrim Ajeti, ka njoftuar se partitë shqiptare – Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – do të garojnë së bashku në zgjedhjet lokale në një listë të përbashkët të quajtur “Aleanca Shqiptare”.

Sipas Ajetit, në këtë listë do të përfshihen jo vetëm përfaqësues të partive politike, por edhe aktivistë e personalitete me ndikim në komunën e Graçanicës.

“Nga dhjetë kandidatë për Asamble Komunale, katër do të jenë gra. Përveç listës së përbashkët shqiptare për Asamblenë Komunale, në këto zgjedhje do të kandidojmë edhe për Kryetar të Komunës,” ka deklaruar ai.

Ky bashkim shihet si një hap strategjik për të rritur përfaqësimin e shqiptarëve në një komunë ku ata janë pakicë.

Arifi: Sa më i fortë bashkimi, aq më i fuqishëm ndikimi

Image
Avni Arifi

Analisti politik Avni Arifi thotë se kjo është forma më demokratike dhe se ndikimi është i fuqishëm.

“Bashkimi i këtyre partive është forma më demokratike dhe legjitime për realizimin e aspiratave politike. Sa më i fortë bashkimi, aq më i fuqishëm ndikimi.

Nuk mund ta parashoh rezultatin zgjedhor, por më e rëndësishmja është se asnjë votë e këtyre partive nuk do të humbë”, shprehet ai.

Rugova: Ky bashkëpunim dhe bashkim politik i subjekteve shqiptare e forcon rolin e këtyre forcave politike

Edhe analisti Naser Rugova thotë se çdo bashkëpunim i partive shqiptare në komunat me shumicë serbe që forcon përfaqësimin qytetar e shoh si pozitiv.

Ai deklaron se ky bashkim fuqizon jo vetëm partitë, por edhe qytetarët në institucionet lokale.

Image
Naser Rugova

“Çdo bashkëpunim politik i subjekteve politike shqiptare në komunat me shumicë serbe, që avanson përfaqësimin dhe interesin qytetar, e shoh si një trend pozitiv dhe jo të drejtuar kundër një etnie apo subjekti politik.

Ky bashkëpunim dhe bashkim politik i subjekteve shqiptare e forcon rolin e këtyre forcave politike, por edhe të qytetarëve në institucionet e pushtetit lokal” – përfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat