Pas vendimit të Kushtetueses, në pritje të Kuvendit dhe skenarët që rrezikojnë Kosovën

Politika

Pas vendimit të Kushtetueses, në pritje të Kuvendit dhe skenarët që rrezikojnë Kosovën

Nga: A.M. Më: 14 gusht 2025 Në ora: 20:01
Kuvendi i Kosovës

Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar përsëri deputetët e Kuvendit të Kosovës ta konstituojnë përbërjen e re parlamentare – e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit – por këtë herë me udhëzime më të qarta.

Ata urdhërohen ta konstituojnë Kuvendin brenda një afati 30-ditor dhe ta zgjedhin kryeparlamentarin përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri here.

Mirëpo, ende nuk dihet se si pritet të veprojnë partitë në vazhdim?

E në lidhje skenarë që pritet të ndodhin më tej, në një prononcim për “Bota sot” foli analisti Skënder Zogaj.

Së pari, ai u shpreh kritik ndaj të zgjedhurve të popullit, derisa konsideron se Kosova është në rrëzik shumë të madh.

Image
Skënder Zogaj.

“Kosova vullnetshëm po vetshkatërrohet, duke e humbur luftën në liri, nga deliri madhështor i varfërisë shpirtlrire që është sëmundja më e rrezikshme nga e cila e kanë pësuar popujt dhe vendet e shumta të botës, emrat e të cilave tashmë nuk figurojnë fare në hartën e globit tonë! Janë fshi nga harta dhe nga kujtesa, sepse e kanë ndjekur udhën e territ dhe kanë përfunduar në greminë! Kjo po i kanoset edhe Kosovës, që po e kafshon ujku, e shqiparët, sikur ai gomari i përrallës, po kujtojnë se janë në ëndërr!?! Jo, jo, jo! Kosova është në rrezik të madh, si rrallë ndonjëherë. Lemeritëse është loja e 100 deputetëve të zgjedhur për ta përfaqësuar popullin, por ata po e rrënojnë më keq se dikur të zgjedhurit nga okupatori serb me tankse! Kjo legjislaturë për 50 herë nuk ka mund ta zgjedh kryeparlamentarin e kjo e ka zhbë shtetin, që qe 6 muaj është pa Qeveri, pa institucione, shtetërore, me Gjykatë Kushtetuese të kontestuar, që për pasojë kanë kaosin e të gjitha llojeve të krimit, që po hanë jetë njerëzish!” – nënvizoi ai.

Krahas kësaj, Zogaj kritikoi edhe Kushtetuesen dhe vendimet e saj, derisa tha se ato nuk po ofrojnë asnjë lloj zgjidhje për të dal nga kjo situatë bllokuese.

“Gjykata Kushtetuese është e s'është, sepse, nuk e ka forcën e duhur të pavarësisë së plotë. Prandaj, vendimet i ka "as mish -as peshk"! I këtillë është edhe vendimi më i ri, që është tentim për të thënë diçka, por jo ajo që i ka hije një Gjykate Kushtetuese!

Udhëzimi më i ri është "çamçakiz" për vazhdimin e përtypjes së situatës e jo sqarim decidiv për zgjidhje obligative dhe sqatime të sakta dhe pasojat për ata që nuk respentojnë udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese”.

Ndër të tjera, analisti potencoi se situata do vazhdojë kështu e bllokuar dhe si zgjidhje të vetme i sheh zgjedhjet e reja.

“Prandaj, situata do të vazhdojë të jetë e tendosur. Pos Fatmir Limajt, pjesa tjetër opozitare nuk besoj se ndryshon mendje, kështu që gjithçka varet nga partia fituese, dhe gadishmërisë së saj për kompromise të reja!”

Unë personalisht zgjidhjen e shoh te zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, që gjendjen e jashtëzakonshme ta kthejnë kah normaliteti!” – përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat