Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur. Konstituimi i Kuvendit duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh. Emri i një kandidati, sipas vendimit, mund të hidhet në votim vetëm deri në tri herë.
Vendimi është mirëpritur nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, por është kritikuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, e cila tha se “kjo nuk është drejtësi”, por “arbitraritet klientelist”.
Mirëpo, që nga 8 gushti ende nuk dihet se si duhet të veprohet më tej, derisa Kuvendi ende nuk ka thirrur asnjë seancë konstituive.
Deri tani, nuk dihet se kur pritet të publikohet aktvendimi i plotë i Kushtetueses.
E për këtë çështje, “Bota sot” ka kontaktuar Gjykatën Kushtetuese në lidhje me atë se çka pritet të ndodhë më tej.
Në përgjigjen e Zyrës për Informimi të Kushtetuese, thanë se, aktvendimi i plotë do të publikohet posa të përfundojnë të gjitha procedurat që parashihen me ligj dhe rregullore të Gjykatës.
“Aktgjykimi i Gjykatës në rastin KO193/25 dhe KO196/25 do të publikohet pasi që të përfundojnë të gjitha procedurat e parashikuara me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe me Rregulloren e punës së Gjykatës përkitazi me publikimin e vendimeve.
Pas finalizimit të tekstit, aktgjykimi do t’u dërgohet të gjitha palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe i njëjti do të dërgohet për publikim edhe në Gazetën Zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses për “Bota sot”.
Kujtojmë se, Deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit kishin shpërfillur një vendim të Kushtetueses, i cili u dha afat deri më 26 qershor të konstituonin organin ligjvënës. Pas kësaj, gjykata vendosi masë të përkohshme, deri në shqyrtimin e lëndëve të dërguara nga PDK-ja dhe LDK-ja, të cilat i bashkoi në një lëndë të vetme.
Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës, por dështuan që ta konstituonin organin ligjvënës.