Kuvendi vazhdon të jetë i bllokuar edhe pas vendimit të fundit të Kushtetueses.
Madje, partitë politike nuk kanë thirru as ndonjë seancë konstituive dhe në një situatë të tillë nuk dihet ende se çka pritet të ndodhë më tej.
E në lidhje me skenarët dhe koalicionet e mundshme, për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.
Fillimisht, ai foli mbi të mënyrat e votimit dhe të drejtën për të votuar fshehtë e që këtë të fundit e kundërshtoi Kushtetuesja.
Mirëpo, sipas tij, qëllimi i vërtetë i kësaj bllokadë është largimi i Kurtit nga pushteti dhe se partitë opozitare nuk kanë problem me emra të përveçëm.
“Duke pasur parasysh që vet Gjykata Kushtetuese, disa herë ka deklaruar se të dy format e votimit janë të mundshme dhe bazuar në faktin që nuk ekziston asnjë dispozitë kushtetuese a juridike që i jep të drejtë kësaj Gjykate të vendosë mbi formën e votimit në Kuvend, ngase mënyra e votimit është kompetencë e legjislativit, druaj fort se cirkun qesharak të 120 kapadainjve parlamentar, të paktën në "ri"-fillim të seancave, do të detyrohemi ta shohim përsëri, çdo 48 orë, bashkë me përsëritjen e lojërave cirkuzante të deputetëve të nënshtruar, lojëra për të cilat, ata do të vazhdojnë të paguhen nga 223.080 euro në muaj vetëm për pagat bazë, që pa asnjë meritë, vazhdojnë t’i marrin nga buxheti i varfër i Kosovës për vetëm pesë minuta qëndrim, çdo të dytën ditë, në sallën e seancave të Kuvendit.
Shto gjithë kësaj maskarade faktin që tanimë dihet botërisht, se problemi nuk qëndron te emri i propozuar për kryeparlamentar nga partia fituese, por qëllimi i vërtetë i partive të inkriminuara politike, mbetet rrëzimi i Kurtit dhe rimarrja e pushtetit në tavolinë, të cilat me po këtë synim, mbi tre muaj me radhë, edhe paraprakisht kanë bllokuar konstituimin e Kuvendit, krejt kjo flet mese qartë, se derisa këto partitë opozitare udhëhiqen apo dirigjohen edhe sot nga protagonistët e ndarjes së Kosovës si Vjosa Çitaku & Co në PDK dhe Lutfi Haziri & Co në LDK, nuk besojë se me parti të tilla, mundet dhe as që do të ketë koalicion parimor për zgjidhjen e ngërçit”, nënvizoi analisti.
Krahas kësaj, Qarri komentoi edhe koalicionet e mundshme mes partië fituese dhe partive që ishin në opozitë, legjislaturën e kaluar.
Ai vlerëson se një koalicion mes LVV dhe partive tjera është vështirë i mundshëm, madje kritikoi Limajn e Nismës për deklaratat e tij se është i gatshëm për koalicion, derisa zbërtheu “prapaskenat” e një veprimit të tillë.
“Edhe në kohën sa zgjatën seancat mbi tremujore-joproduktive, u pa qartë se në konstalacionet aktuale, koalicionet ndërmjet partisë fituese dhe atyre opozitare, mbeten të pamundura, them të pamundura edhe për faktin se një mini-parti si Nisma e cila në zgjedhjet paraprake kishte rënë nën pragun zgjedhor, kurse në votimet e fundit vetëm në koalicion me një tjetër parti minore, si AAK, mezi arriti të marr tri vende në Kuvend, e njëjta vetëm me tri vende në parlament, pretendon hiq më pak se postin e kryekuvendarit, për një person, i cili vazhdon të jetë në listën e zezë të SHBA-ve.
Prandaj kushti i Limajt, ishte vetëm një lojë e ulët dhe meskine, pasi që përderisa kryetari i Nisma-s, gjendet në listën e zezë të SHBA-ve, edhe po deshi partia fituese e zgjedhjeve, ky akt pamundëson emërimin e Limajt, në postin e kryeparlamentarit, që përveçse do ti qiste hije të keqe Kosovës, emrimi i tij për kryeparlamentar, nuk do të pritej mirë, e madje edhe do të kundërshtohej nga SHBA dhe Vendet e KUINT-it, në Kosovë, gjë që nënkupton se z.Limaj duke e ditur se nuk është i mundur të plotësohet kushti i vendosur prej tij, bënë lojëra makabre dhe derisa nuk voton për konstituimin e Kuvendit, pa vendosjen e këtij kushti të pazbatueshëm, ai as që ka për qëllim, zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë”.
Në vazhdim, analisti potencoi faktin se ka mungesë të sqarimit të Kushtetueses në lidhje me masat që mund të merren në rast që Kuvendi sërish nuk arrin të konstituohet.
“Në anën tjetër megjithëse kësaj radhe, Gjykata Kushtetuese bënë sikur ka dhënë udhëzime më të qarta, duke urdhëruar deputetët e Kuvendit të Kosovës ta konstituojnë përbërjen e re parlamentare –të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit brenda një afati 30-ditor, me udhëzimin që deputetët ta konstituojnë Kuvendin dhe ta zgjedhin kryeparlamentarin përmes votimit të hapur, duke ndaluar hedhjen në votim të të njëjtit kandidat, për më shumë se tri herë, mangësia qëndron në faktin, se Gjykata përsëri nuk ka dhënë asnjë sqarim, se çfarë do të ndodhë, nëse Kuvendi serish nuk konstituohet.
Pse nuk thuhet qartë, të paktën në nxjerrjen e vendimit të dytë nga Kushtetuesja, që në rast moskonstituimi të Kuvendit edhe në afatin e ri të përcaktuar kohorë, deputetëve aktual, do tu hiqen automatikisht mandatet dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, ngase edhe ashtu, askush nga qytetarët e Kosovës, nuk e mbështetë më këtë legjislaturë oportune dhe as që kanë më asnjë fije besimi, të përfaqësohen nga deputetët aktual”, shtjelloi ai.
Tutje, Qarri nuk e përjashton mundësinë që këto “lojëra” në Kuvend, partitë t’i vazhdojnë edhe më tej, kjo duke lënë Kosovën ende nën bllokadë.
“E duke pasur parasysh që vet Gjykata Kushtetuese, paraprakisht disa herë ka deklaruar, që të dy format e votimit janë të mundshme dhe bazuar në faktin se nuk ekziston asnjë dispozitë kushtetuese a juridike që i jep të drejtë kësaj Gjykate të vendosë mbi formën e votimit në Kuvend, ngase mënyra e votimit është kompetencë e legjislativit, druaj fort që cirkun qesharak të 120 kapadainjve parlamentar, të paktën në fillim, do të detyrohemi ta shohim përsëri, çdo 48 orë.
Me këtë përbërje parlamentare, mund të shohim përsëritjen e lojërave cirkuzante të deputetëve të nënshtruar, lojëra për të cilat ata megjithatë do të vazhdojnë të paguhen nga 223.080 euro në muaj vetëm për pagat bazë, edhe pse vërtetë pa asnjë meritë, i marrin nga buxheti i varfër i Kosovës për vetëm pesë minuta qëndrim çdo të dytën ditë, në sallën e seancave të Kuvendit”.
Ndër të tjera, analisti shprehu mllefin me të zgjedhurit e popullit, derisa tha se është shumë e dëmshme se si e kanë sjellë shtetin në këtë gjendje dramatike.
Ai nuk kurseu kritikat, ku përveç kësaj denoncoi qëllimet për largimin e Kurtit nga pushteti, ku në këtë pikë përmendi disa persona.
“Kjo praktikë e turpërimit të vendit, duhet urgjentisht të marrë fund, ngase të sillet shteti në këtë gjendje dramatike, nga të "zgjedhurit" e qytetarëve, është vërtetë shumë e rëndë, tepër e dëmshme e antipatriotike, akt i pafalshëm e i dënueshëm kombëtar, qëndrim tepër i ulët moral, degradim i skajshëm shoqëror dhe shfaqje tragjikomike e partive parlamentare, e cila nuk duhet lejuar të ekzagjerojë më tej.
Ndërsa më e keqja, sërish qëndron në atë, se qëllimi i partive të inkriminuara të cilat edhe paraprakisht bllokuan konstituimin e Kuvendit për më tepër se tre muaj, nuk ka ndryshuar, madje edhe në vazhdim, prioritet i opozitës- vazhdon të mbetet jo zgjidhja e ngërçit as Kosova, por rrëzimi i Albin Kurtit në mënyrë që, atë çfarë nuk e arritën me votën e qytetarëve, ta grabisin në tavolinë, duke rimarrë pushtetin me ndihmën e Grenellit dhe forcave destruktive të sponsorizuara nga Serbia dhe Rusia, në mënyrë që me të grabitur pabesisht pushtetin, ti zbatojnë marrëveshjet e dëmshme e konspirative të Hashim Thaçit & Co për ndarjen e Kosovës, rikthimin e bandave kriminale serbe në veri dhe faljen e kësaj pjese jetike të Kosovës, Serbisë fashiste”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.