Kosova ditë më patë u trondit nga një valë e dhunës, ku pesë persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën në tre ngjarje të ndryshme.
Më 10 gusht, në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan, ndodhi një krim i trefishtë me armë zjarri, me dyshimin se autorët janë Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Engjull dhe Edonis Shkodra.
Po atë ditë, në Prizren, një përplasje përfundoi me vrasje me thikë. Ndërsa më 11 gusht, në Hajvali të Prishtinës, një konflikt për parkim përfundoi me ekzekutim me armë.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet dhe kanë rritur masat e sigurisë për qytetarët.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Xhevat Meha, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se shkaku kryesor është pandëshkueshmëria e krimit, e cila ka krijuar paprekshmërinë e kriminelëve.
Sipas tij, kjo situatë është rezultat i veprimeve të organizuara nga struktura serbo-ruse që veprojnë në rrjet të fshehtë brenda Kosovës.
“Kjo që ndodhi këto ditë ku mbrenda dy ditëve u vranë 5 persona është shumë e rëndë. Po kjo është vetëm pasojë. E shkaku çdoherë është më i rëndë se pasoja, për këtë arsye luftohet shkaku e jo pasoja. Po ku është shkaku?
Shkaku i niveleve kaq të larta të krimit është pasojë e pandëshkueshmërisë së krimit për kohë shumë të gjatë. Pandëshkueshmëria në këtë rast ka krijuar amnisti, e amnistia ka krijuar paprekshmërinë e kriminelëve. Krejt këto nuk janë krijuar rastësisht. Këto janë krijuar në formë të organizuar nga struktura të organizuara shtetërore serbo-ruse që veprojnë në Kosovë përmes rrjetit të fshehtë”, thotë ai.
Tutje, thekson se veprimtaria e këtij rrjeti brenda institucioneve, deri në nivelet më të larta, krijon paprekshmërinë e kriminelëve.
Ai vlerëson se funksionimi i institucioneve kërkon pastrimin e tyre dhe certifikatën e pastërtisë kombëtare për të gjithë punonjësit, të paktën në nivelet e larta dhe të mesme.
“Shtrirja e veprimtarisë së këtij rrjeti nëpër të gjitha institucionet dhe në të gjitha nivelet deri në krerë të institucioneve pa dyshim po krijon paprekshmërinë e kriminelëve. Nuk ka funksionim të institucioneve pa pastrimin e tyre nga veprimtaria e këtij rrjeti. E kjo bëhet vetëm për kërkimin e certifikatës së pastërtisë kombëtare për të gjithë të punësuarit në institucione shtetërore, minimalisht për fillim niveli i lartë dhe i mesëm”, përfudnon ai.