Presidenti amerikan, Donald Trump, sërish ka përmendur se ka pasur rol në ndalimin e disa konflikteve, përfshirë mes Kosovës dhe Serbisë.
Këtë deklaratë ai e bëri menjëherë pas një takimi me presidentin rus, Vladimir Putin, që u mbajt në Alaskë.
“Kam negociuar përfundimin e pesë luftërave”, tha Trump, teksa u ndal nga një gazetar i “Fox News”, i cili i përmendi konfliktet përkatëse: Indi-Pakistan, Izrael-Iran, Ruanda-Kongo, Serbia-Kosova, Kamboxhia-Tajlandë dhe Azerbajxhan-Armeni.
“Ne bëmë diçka të jashtëzakonshme,” u përgjigj Trump.
Ai ka theksuar edhe më parë se ka ndihmuar në ndalimin e një konflikti të mundshëm në Kosovë, duke pohuar se me këtë veprim janë shpëtuar shumë jetë.
“Mundëm të ndalim diçka që ishte gati të shpërthente,” kishte deklaruar Trump më 8 gusht, duke iu referuar një përshkallëzimi të mundshëm të konfliktit Kosovë-Serbi.
Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në korrik të këtij viti, pati konfirmuar deklaratat e Trump. Ajo tha se në fund të majit Serbia kishte ndërmarrë veprime përshkallëzuese ndaj Kosovës, të cilat i krahasoi me sulmin e armatosur në Banjskë.
Mirëpo, fakti se Trump përmendi menjëherë pas takimit me Putinin, Kosovën dhe Serbinë, a është sinja që presidenti amerikan do synojë ta zgjidh problemin mes dy sheteve njëherë e përgjithmonë?
Voca: Deklarata e Trump ngre disa pyetje të rëndësishme për politikën ndërkombëtare
Së pari, në lidhje me këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli doktori i i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca.
Si fillim, ai u shpreh se kjo është një deklaratë shumë e rëndësishme e Trump dhe ngre disa pyetje mbi politikën ndërkombëtare dhe rolin e tij.
“Deklarata e presidentit amerikan Donald Trump, se ka ndalur konflikte mes shteteve, përfshire Kosovën dhe Serbinë, menjëherë pas takimit me presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë, ngre disa pyetje të rëndësishme për politikën ndërkombëtare dhe rolin e tij të mundshëm në Ballkan”.
Në këtë pikë, Voca zbërtheu tri çështjet e rëndësishme që tregojnë këto deklaratat e fundit të presidentit amerikan.
“Së pari, kjo deklaratë është pjesë e narrativës së brendshme te Trump. Ai e ka ndërtuar profilin e tij politik mbi idenë e “negociatorit të madh” që arrin marrëveshje atje ku të tjerët kanë dështuar. Përmendja e Kosovës dhe Serbisë i shërben për të treguar se ka ruajtur paqen edhe në rajone të brishta, përballë fuqive të mëdha si Rusia.
Së dyti, nuk duhet harruar se gjatë mandatit të tij, Trump i dha shtysë marrëveshjes së Ëashingtonit, duke e zhvendosur dialogun Kosovë/Serbi në dimensionin ekonomik. Edhe atëherë, ai u përpoq ta paraqiste veten si lider që mund të përmbyllë konflikte të vjetra me marrëveshje të shpejta.
Së treti, deklarata e fundit mund të shihet si një sinjal i butë se Trump, nëse e sheh të përshtatshme, do të dëshironte të përfshihet sërish në dialogun Kosovë/Serbi. Por kjo përfshirje do të vinte sipas logjikës së tij, duke kërkuar rezultate të dukshme dhe të shpejta, dhe jo domosdoshmërisht të sinkronizuara me kornizën e BE-së”, shpjegoi ai.
Ndër të tjera, doktori i i Integrimeve Evropiane shtoi se Kosova dhe Serbia mund të jenë në agjendën e Trump në një të ardhme të afërt, pasi së fundi ai po tregon ambiecie për t’u rikthyer si faktor në diplomacinë ndërkombëtare.
“Në përfundim, fjalia e Trump nuk është e rastësishme. Ajo tregon ambicien e tij për t’u rikthyer si faktor në diplomacinë ndërkombëtare. Nëse Ballkani shihet si terren ku ai mund të demonstrojë sukses, atëherë Kosova dhe Serbia mund të jenë pjesë e axhendës së tij. Kjo mbetet një mundësi reale, por edhe një sfidë për diplomacinë kosovare, e cila duhet të jetë e përgatitur për çdo skenar të ri ndërmjetësimi…”, përfundoi Mirsad Voca për “Bota sot”.
Shabani: Si duket qëllimi i Trumpit është ky – roli kyq në realizimin e marrëveshjeve finale për paqe
Kurse, edhe njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Amir Shabani foli mbi qëllimin kryesor të Trump.
“Si duket qëllimi i Trumpit është ky – roli kyq në realizimin e marrëveshjeve finale për paqe, këtë insistoi edhe në takimin me presidentin Putin në Alaskë sa i përket konfliktit Rusi-Ukrainë, por rezultoi pa ndonjë marrëveshje”.
Krahas kësaj, ai beson se presidenti amerikan do përdor diplomacinë e tij për ta zgjidhur çështjen Kosovë-Serbi.
Madje, potencon se nëse ndodhë një gjë e tillë, Trump mund të nominohet për Çmimin Nobel të Paqes.
“Konfliktet në vendet e Ballkanit Petëndimor, kryesisht vulën e paqebërjes e kanë nga SHBA-të dhe në rastin Kosovë-Serbi edhe tani presidenti Trump do përdorë diplomacinë amerikane për ta zgjidhur këtë konflikt.
Kjo tregon se ai do nominohet edhe për Çmimin Nobel të Paqes, andaj marrëveshjet (pazarllëqet) mund të jenë edhe në këtë kontekst”, përmbylli Amir Shabani për “Bota sot”.