Pjesëmarrja e grave në politikë, sidomos në zgjedhjet lokale në Kosovë, vazhdon të mbetet e ulët. Pavarësisht kuotës gjinore dhe iniciativave për fuqizimin e tyre, ende asnjë ndryshim në këtë drejtim.
Aktivistë dhe analistë theksojnë se pengesat kryesore lidhen me mungesën e përkrahjes politike e financiare, paragjykimet shoqërore dhe mendësinë ende patriarkale, që e bëjnë garën shumë më të vështirë për gratë sesa për burrat.
Ky nën-përfaqësim jo vetëm që dëmton balancën gjinore, por edhe kufizon zhvillimin e një demokracie gjithëpërfshirëse.
Magbule Shkodra: Gratë ende të pafavorizuara në politikë
Aktivistja për të drejtat e grave, Magbule Shkodra, thekson se edhe në zgjedhje lokale dhe parlamentare, numri i grave që i hyjnë garës është gjithmonë më i vogël se ai që pritet.
“Ne gjithmonë kemi dëshirë të kemi sa më shumë gra e vajza që i hyjnë garës, në mënyrë që edhe ato të kenë përgjegjësi në detyra të rëndësishme për shtetin. Por përkrahja për to shpesh mungon, jo vetëm nga partitë politike, por edhe në aspektin financiar, që është kusht thelbësor për të bërë fushatë,” thotë Shkodra.
Ajo shton se, përveç mungesës së burimeve, gratë përballen me paragjykime të shumta dhe me ngarkesën e dyfishtë të punës.
“Shumica e grave, përveç punës jashtë shtëpisë, bartin edhe përgjegjësinë për familjen dhe fëmijët. Në këto rrethana, politika bëhet shumë më e vështirë për to. Ne ende jetojmë në një shoqëri patriarkale, ku mbështetja reale për gratë mungon. Kjo është arsyeja kryesore pse shumë gra hezitojnë të hyjnë në politikë,” thekson ajo.
Veseli Makolli: Barazia gjinore në politikë mbetet më shumë detyrim formal sesa bindje e partive
Ndërkohë, analisti politik Veseli Makolli vlerëson se problemi i barazisë gjinore nuk është vetëm i Kosovës, por edhe i shoqërive të zhvilluara.
“Edhe në shtetet demokratike dhe të zhvilluara ekonomikisht ende nuk kemi barazi gjinore në plotkuptimin e fjalës, e aq më pak në vendet me demokraci të brishtë ose regjime autoritare, ku grave u mohohen të drejtat elementare,” thotë Makolli.
Ai thekson se pjesëmarrja e grave në zgjedhje është çështje jetike për demokracinë, por në Kosovë shpesh mbetet vetëm një detyrim formal.
“Kuota minimale e garantuar ligjërisht ndihmon që gratë të jenë të pranishme në lista, por shpesh ato nuk vendosen në pozita ku realisht mund të zgjidhen. Kjo tregon se barazia gjinore mbetet më shumë një obligim formal sesa një bindje e sinqertë e partive politike,” thekson ai.
Sipas Makollit, një demokraci nuk është e plotë nëse gjysma e popullsisë mbetet e nën-përfaqësuar.
“Kur gratë nuk marrin vendet që u takojnë, atëherë politikat lokale mbeten të njëanshme dhe nuk adresojnë si duhet fusha kyçe si arsimi, shëndetësia, kujdesi social apo siguria e komunitetit – fusha ku gratë sjellin perspektiva të reja,” thotë ai.
Makolli vlerëson se mentaliteti shoqëror në Kosovë ende e sheh politikën si “punë për burra”.
“Kjo mendësi mund të sfidohet vetëm përmes arsimimit dhe edukimit qytetar, përkatësisht ngritjes së nivelit kulturor të popullatës,” përfundon analisti.