Garë e fortë për komunat, partitë nisin betejën për 12 tetorin

Politika

Garë e fortë për komunat, partitë nisin betejën për 12 tetorin

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 18 gusht 2025 Në ora: 18:01
Foto ilustrim

Tani që janë shpallur edhe zyrtarisht listat e kandidatëve për kryetarë komunash dhe për asambletë komunale, vëmendja e votuesve potencialë është përqendruar te zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Në këto zgjedhje, partitë politike po përgatiten intensivisht për të fituar sa më shumë komuna dhe për të konsoliduar apo sfiduar pushtetin në nivel lokal.

Partitë kryesore që pritet të jenë në garë të fortë janë Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën dhe Partia Socialdemokrate e Kosovës.

Nga emrat dhe listat e publikuara, partitë politike kanë vendosur të rikandidojnë kryetarët aktualë të komunave, si dhe asambleistët e tyre.

Por, pyetja që ngrihet është nëse do të ketë ndryshime të mëdha në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025. Mehmeti paralajmëron riciklim politik në zgjedhjet e 12 tetorit.

Mehmeti: LVV e LDK janë favorite

Lidhur me këtë çështje, analisti politik, Faton Mahmeti ka kritikuar faktin që partitë kryesore po garojnë me figura të njohura dhe të ricikluara, duke treguar mungesën e një brezi të ri në politikë.

“Shpallja e listave të kandidatëve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit i ka bërë tashmë më të qarta pozicionet politike dhe ambiciet e partive. Megjithatë, nuk duhet të kemi iluzione se këto zgjedhje do të sjellin ndonjë ndryshim rrënjësor në skenën politike lokale. Partitë kryesore, LVV, PDK, LDK dhe AAK – po garojnë me figura të njohura, shpesh të ricikluara, duke dëshmuar edhe një herë mungesën e gjeneratës së re që do t’i jepte freski jetës politike”, ka thënë ai.

Image
Faton Mehmeti

Tutje, Mehmeti ka parashikuar ndryshime në disa komuna, me PDK dhe LVV si më të favorizuara, ndërsa rezultati do të varet nga kandidatët lokalë.

“Në krahasim me vitin 2021, është e pritshme të ketë ndryshime në disa komuna, sidomos aty ku rezultatet e kaluara ishin të ngushta. PDK dhe LVV shihen si më të favorizuara në shumicën e komunave, por betejat vendimtare do të përcaktohen nga emrat konkretë që garojnë dhe nga reputacioni i tyre lokal. LDK pritet të ruajë disa bastione tradicionale, por pa gjasa për rritje të madhe, ndërsa AAK do të luftojë për të mbajtur terrenet ku ka ndikim historik”, ka theksuar ai.

Sipas tij, ndonëse mund të ketë ndryshime krahasuar me vitin 2021 në disa komuna, mentaliteti i vjetër politik pritet të mbizotërojë.

“Ajo që mbetet shqetësuese është fakti se partitë nuk po ofrojnë programe konkrete për komunat, por vetëm figura që shihen si të “fortë” në terren. Pa ide të reja dhe pa vizion afatgjatë, rrezikojmë që edhe këto zgjedhje të mbeten një riciklim i së shkuarës, me pak mundësi për ndryshim të vërtetë.

Në këtë kuptim, rezultatet mund të ndryshojnë krahasuar me 2021-in, por jo në thelb do të ndryshojnë vetëm fituesit në disa komuna, ndërsa mentaliteti i vjetër politik do të vazhdojë të dominojë”, ka deklaruar Mehmeti.

Kurse, analisti Zejnullah Jakupi, ka deklaruar se megjithëse listat zyrtare të kandidatëve për zgjedhjet lokale janë shpallur, është ende herët për të parashikuar ndryshime të mëdha në rezultat.

“Ndonëse listat e kandidatëve për kryetarë komunash dhe asambletë komunale u shpallën zyrtarisht, është ende herët për të parashikuar me siguri nëse do të ketë ndryshime të mëdha në rezultatin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025.

Nuk ka ende të dhëna të qarta mbi përparësinë apo dobësitë e partive në territor. Do përmend se situata politike dhe kriza legjislative në parlament (mungesë e formimit të qeverisë dhe kuvendit) mund ta bëjë publikun të dëshirojë të “ndëshkojë” përfaqësuesit aktualë dhe të votojë për opozitën në nivel lokal”, ka potencuar ai.

Sipas tij, PDK është shumë e mobilizuar për zgjedhjet lokale, duke dorëzuar 33 kandidatë për kryetarë komunash dhe 36 lista për kuvende komunale, me përfaqësim të mirë të grave

“PDK (Partia Demokratike e Kosovës) duket se është shumë e mobilizuar: ajo ka dorëzuar listën më të gjerë të kandidatëve me 33 kandidatë për kryetarë komunash dhe 36 lista për kuvende komunale, duke përfshirë edhe përfaqësimin e fisnikshëm të grave. Ndërsa

Vetëvendosje (VV) mbetet forca më e madhe parlamentare, megjithëse nuk ka akoma dhënë një përparësi të qartë si do jetë fitorja e saj.

LDK (Lidhja Demokratike e Kosovës), AAK (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës) dhe parti të tjera si Guxo! po përgatiten e në disa vende edhe bashkëpunojnë në forma të ndryshme, si për shembull në Graçanicë ku LDK, PDK, AAK dhe VV garojnë me listë të përbashkët”, ka shpjeguar ai.

Jakupi: VV mbetet forca kryesore, PDK dhe LDK rivalë seriozë

Gjithashtu, Jakupi ka kujtuar se në vitin 2021, PDK, LDK dhe AAK fituan shumicën e komunave, ndërsa VV mori disa komuna në raundin e dytë, por humbi Prishtinën dhe Prizrenin.

“Në vitin 2021, partitë kryesore opozitare qendrore (PDK, LDK, AAK) fituan shumicën e komunave. Srpska Lista fitoi partitë e komunitetit serb në komunat veriore.

Vetëvendosje në raundin e dytë 2021 mori komunat si Gjilan, Podujevë, Kamenicë e Shtime, por humbi në Prishtinë dhe Prizren.

Nëse VV do të arrijë të përsërisë apo tejkalojë këtë performancë, mund të ndryshojë peizazhin partiak në shumë komuna – por situata ka ndryshuar që atëherë, dhe ende nuk ka sondazhe të besueshme që tregojnë përparësi të qartë në favor të saj apo kundër saj”, ka vlerësuar ai.

Image
Zejnullah Jakupi

Ndërkaq, i pyetur se a pritet të këtë ndryshime, Jakupi është përgjigjur kështu:

Mund të ketë, por është ende e paqartë—llogjelet edhe efekti i krizës legjislative.

“PDK duket më e përgatitur me prani të gjerë; VV po përpiqet të konsolidohet; LDK, AAK e të tjerë janë aktivë, ndonjëherë me bashkëpunime lokale. Pra mund të ketë ndryshim në disa komuna, por gjithçka varet nga dinamika e fushatës, reagimi i votuesve dhe fakteteve ne terren”.

Në fund, Jakupi ka shtuar se Vetëvendosje mbetet forca më dominuese, por PDK dhe LDK janë kthyer konkurrentë seriozë.

“Vetëvendosje (LVV) mbetet forca më dominuese politike qëllimisht, megjithatë partitë opozitare (PDK dhe LDK) duket të jenë kthyer në konkurrentë seriozë pas humbjes së shumicës absolute në shkurt 2025. Vetëvendosje fitoi rreth 41–42% të votave në parlament dhe humbi shumicën absolute të vitit 2021, duke i dhënë hapësirë konkurrencës nga PDK (rreth 22%) dhe LDK (rreth 18%)”, ka përfunduar Jakupi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat