Në vazhdimin e djeshëm të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti të sigurojë postin e kryetares së Kuvendit, pasi dy kandidatet e saj, deputetja Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla, dështuan të marrin votat e nevojshme nga deputetët.
Fillimisht, në votim u hodh kandidatura e Albulena Haxhiut, e cila arriti të marrë vetëm 57 vota për, ndërkohë që 56 deputetë ishin kundër dhe 3 abstenuan. Ky rezultat nuk ishte i mjaftueshëm për t’u zgjedhur kryetare, pasi sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, kandidati duhet të marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve (së paku 61 vota).
Pas këtij dështimi, në foltore doli deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili propozoi Donika Gërvallën si kandidate të dytë të kësaj partie për postin e kryekuvendares. Por edhe kjo përpjekje përfundoi pa sukses, pasi Gërvalla nuk arriti të sigurojë përkrahjen e mjaftueshme nga salla plenare.
Me dy votime të dështuara njëra pas tjetrës, seanca u ndërpre dhe pritet të mbahet të premten, ku partitë politike do të tentojnë sërish të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e udhëheqësit të Kuvendit të Kosovës.
Situata aktuale reflekton përplasjet politike dhe mungesën e konsensusit në Kuvendin e ri, duke treguar vështirësitë që mund ta presin procesin e formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të fundit.
Bugaqku: Seanca u zhvillua dhe përfundoi në përputhje me kriteret kushtetuese dhe procedurale
Hulumtuesi i Instituti Demokratik i Kosovës, Vullnet Bugaqku vlerëson për “Bota sot”, se seanca e sotme e Kuvendit u zhvillua me kuorum të plotë dhe në përputhje me procedurat kushtetuese, me votim të hapur për dy kandidatët.
Sipas tij, disa deputetë refuzuan të marrin pjesë ose të votojnë, por afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit mbetet i hapur, prandaj procesi konsiderohet i rregullt.
“Seanca e sotme e Kuvendit u zhvillua dhe përfundoi në përputhje me kriteret kushtetuese dhe procedurale, pasi kishte kuorum dhe pjesëmarrje të mjaftueshme të deputetëve. Po ashtu procedura, u zhvillua në votim të hapur dhe dy kandidatët u propozuan ashtu siç e kërkojnë standardet kushtetuese.
Shkelje të urdhrit të Gjykatës Kushtetuese mund të themi që pati nga deputetët që refuzuan të marrin pjesë në seancë ose nga ata deputetë që ndonëse të pranishëm, nuk ushtruan të drejtën e votës.
Megjithatë, duke qenë se seancat konstitutive mund të mbahen çdo 48 orë dhe afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit është ende i hapur, seanca e sotme mund të konsiderohet në kuptimin procedural plotësisht e rregullt dhe në përputhje me standardet kushtetuese dhe procedurale” – thotë ai.
Se a do t’i kandidojë VV sërish kandidatet e njëjta, ai thotë se është përgjegjësi e grupit më të madh parlamentar të zbatojë aktgjykimin e Kushtetueses dhe të kërkojë kompromis me grupet tjera për të siguruar një kandidaturë me 61 vota.
“Kjo është çështje që i takon grupit ma të madh parlamentar se si do të veprojë më tutje. Krejt çfarë pres unë është fakti se ky grup parlamentar duhet ta zbatojë në plotëni aktgjykimin e kushtetueses dhe të përpiqet që të arrijë kompromis dhe bashkëpunim me grupet tjera parlamentare që të votohet një kandidaturë me 61 vota të deputetëve.
Se a do të ketë apo jo përmbushje të tillë të aktgjykimit mbetet për tu parë në këto ditë të mbetura”, përfundon ai.
Mehmeti: Opozita është penguese
Analisti Faton Mehmeti, thekson se seanca tregoi se opozita nuk është vetëm kritike, por po bllokon funksionimin e institucioneve.
Sipas tij, refuzimi i kandidatëve të VV nuk ka të bëjë me emrat, por me idenë që Vetëvendosje të ketë funksionalitet institucional.
Ai deklaron se përgjegjësia për krizën bie mbi opozitën, e cila po pengon çdo përpjekje për zgjedhje të kandidatëve të respektuar dhe të njohur nga qytetarët
“Seanca e sotme e Kuvendit dëshmoi se opozita nuk është vetëm pengesë, por është bërë armike e funksionimit normal të institucioneve. Nuk ka të bëjë me emrat, dhe nëse të premten dalin emra të rinj si Mimoza Kusari-Lila, Donika Gërvalla, refuzimi do të jetë i njëjtë. Pse? Sepse opozita nuk po e lufton kandidatin, por po e lufton vetë idenë që Vetëvendosje të ketë funksionalitet institucional.
Ky qëndrim nuk është kritikë politike normale, por është inat i pastër, është bllokadë e vetëdijshme. Opozita po e dëshmon se ka frikë nga zgjedhja e kandidatëve të VV, sepse çdo emër që vjen nga VV e prish skenarin e tyre për ta mbajtur vendin në krizë. Kjo është opozitë penguese, opozitë e inatit, opozitë që shpreson të fitojë nga kaosi.
Prandaj, përgjegjësia për krizën bie e gjitha mbi opozitën. Vetëvendosje po sjell emra të respektuar, të njohur dhe të pranuar nga qytetarët, ndërsa opozita po tregon fytyrën e saj të vërtetë: frikën nga demokracia dhe nga funksionimi i shtetit. Të premten mund të kemi përsëri emrat e Donikës, Albulenës apo edhe Dimal Bashës, nuk përjashtohet mundësia edhe e Mimozës. Gjithsesi opozita është penguese”, përmbyll ai për “Bota sot”.