"Gjykata Kushtetuese po ushqen bllokadën në Kuvend"

Politika

"Gjykata Kushtetuese po ushqen bllokadën në Kuvend"

Nga: H.O. Më: 23 gusht 2025 Në ora: 20:27
Gjykata Kushtetuese e Kosovës

Publicisti Sulejman Mehazi ka reaguar ashpër lidhur me bllokadën institucionale për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se fajin nuk e mbajnë vetëm deputetët e opozitës, por mbi të gjitha Gjykata Kushtetuese.

“Fajtore për ngërçin apo ngatërresën nyje për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës nuk janë vetëm deputetët e opozitës, por më fajtore është Gjykata Kushtetuese e gjumosur, që në vend se të zgjidhë ngërçin, ajo me veprimet e saj ushqen, forcon e lidh edhe më shumë bllokadën e institucioneve të Kosovës,” ka deklaruar Mehazi.

Ai ka ngritur pyetje të drejtpërdrejta për partitë opozitare, duke i quajtur vendimet e tyre absurde.

Image
Sulejman Mehazi

“Nëse partitë opozitare nuk pajtoheshin që Albulena Haxhiu të jetë kryeparlamentare, atëherë pse nuk votuan për Donika Gërvallën dhe Hekuran Muratin? Ç’është kjo marrëzi politike? Pse për këtë turp të stërgjatur nuk reagon ashpër Gjykata Kushtetuese, e cila do të mund ta zgjidhte brenda një dite problemin e kryeparlamentarit?”, thotë ai.

Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës duhet të ofrojë rrugëzgjidhje për situata të tilla.

“Është e pamundur që brenda Kushtetutës së Kosovës të mos ketë ndonjë ligj apo nen që, nëse parlamenti nuk mund ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit, të përcaktojë çfarë duhet të bëjnë deputetët: ose t’i lënë mandatet e të zëvendësohen sipas listës së partive, ose të shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme, ose të mos ju jepet rroga atyre që e kanë lidhur nyje institucionet e Kosovës,” ka theksuar Mehazi.

Në vijim, ai ka shprehur dyshime mbi paanshmërinë e Gjykatës Kushtetuese.

“Ky ngërç institucional na bën të dyshojmë te Gjykata Kushtetuese, se ndoshta përkrah partitë fajtore PDK-në dhe LDK-në, të cilat Kosovës ia dhanë ‘dhuratën’ e shëmtuar të mosfunksionimit të institucioneve,” ka shtuar ai.

Mehazi e ka mbyllur reagimin e tij me një përkufizim të prerë.

“Shkurt e qartë, ngërçin politik nuk e bëjnë deputetët inatçorë të partive parlamentare, por këtë ngërç e bën Gjykata Kushtetuese e Kosovës, që është nëna e institucioneve të Kosovës. Gjykata Kushtetuese e prishur krijon shtet të prishur”, vlerëson ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat