Takimi i Listës Serbe me Petkoviqin, njohësit e sigurisë tregojnë nëse rrezikohet siguria

Politika

Takimi i Listës Serbe me Petkoviqin, njohësit e sigurisë tregojnë nëse rrezikohet siguria

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 24 gusht 2025 Në ora: 12:54
Foto nga takimi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Kosovës nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të komunitetit serb në Kosovë – për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Vendimi ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga Serbia, e cila e ka cilësuar atë si politik dhe të padrejtë.

Lista Serbe, nga ana e saj, ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar që të anulohet vendimi i KQZ-së dhe që partia të rikthehet në garën zgjedhore. PZAP pritet të shqyrtojë ankesën dhe të dalë me vendim brenda afateve ligjore.

Në vijim të këtyre zhvillimeve, zyrtarë të Listës Serbe janë pritur në një takim në Beograd nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Takimi u mbajt vetëm një ditë pas moscertifikimit, duke u parë si shenjë e përfshirjes së drejtpërdrejtë të Beogradit në çështjet zgjedhore të Kosovës.

Rexhepi: Beogradi le të bëjë takime, le të bëjë plane, le të shpikë skenarë – por zgjedhjet në Kosovë i vendosin vetëm qytetarët dhe institucionet tona

Ish-hetuesi, Agim Rexhepi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se takimi i Listës Serbe me Petar Petkoviqin është vetëm një tjetër skenar i Beogradit për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës, duke shtuar Lista Serbe nuk përfaqëson qytetarët serbë të Kosovës, por është degë e Vuçiqit e komanduar nga Beogradi.

Sipas tij, Kosova ka qeveri dhe institucione që nuk dorëzohen e nuk përkulen, andaj vendimi i KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe është mesazh i qartë: në Kosovë nuk ka privilegje për satelitët e Beogradit.

Image
Ish-hetuesi, Agim Rexhepi

Ai shton, se zgjedhjet i vendosin qytetarët e Kosovës, jo Petkoviqi, jo Vuçiqi e as Serbia. Çdo ndërhyrje është sulm mbi demokracinë dhe sovranitetin tonë – dhe kjo qeveri nuk do ta lejojë.

“Takimi i Listës Serbe me Petar Petkoviqin nuk është asgjë tjetër veçse një skenar i radhës i Beogradit për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës dhe për të diktuar fatin e zgjedhjeve tona. Ky veprim është dëshmi e gjallë se Lista Serbe nuk ka lidhje me qytetarët serbë të Kosovës, por është thjesht një degë e Vuçiqit e komanduar nga Beogradi.

Por kjo kohë ka mbaruar! Sot Kosova nuk është më ajo e pasluftës ku Beogradi urdhëronte e politikanët tanë mbyllnin sytë. Sot kemi një qeveri që nuk dorëzohet, një kryeministër që nuk përkulet, dhe institucione që nuk lejojnë askënd të shkelë mbi ligjet e shtetit tonë. Vendimi i KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe është mesazh i qartë: në Kosovë nuk ka më privilegje për satelitët e Beogradit.

Beogradi le të bëjë takime, le të bëjë plane, le të shpikë skenarë – por zgjedhjet në Kosovë i vendosin vetëm qytetarët dhe institucionet tona, jo Petkoviqi, jo Vuçiqi e as Serbia. Çdo përpjekje për ndërhyrje është sulm mbi demokracinë dhe sovranitetin tonë, dhe kjo qeveri është e vendosur ta ndalë me çdo kusht”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky zhvillim nuk e dobëson Kosovën, përkundrazi – e forcon, sepse sot kemi qeveri që nuk trembet e nuk bën pazare.

“Ky zhvillim nuk e dobëson Kosovën, përkundrazi – e forcon. Sepse populli ynë e sheh se ka një qeveri që nuk trembet, që nuk bën pazare, dhe që nuk lejon që fati i Kosovës të luhet nëpër tavolinat e Beogradit. Ky është dallimi mes të kaluarës dhe së tashmes: dikur shante Beogradi e heshtnin në Prishtinë, sot bërtet Beogradi por Kosova i kthen përgjigje me vendosmëri dhe ligj.

Kosova është shtet i lirë dhe sovran. Sovraniteti i saj nuk negociohet dhe nuk do të vihet kurrë nën hije të Beogradit. Në këtë betejë jemi të bashkuar – dhe me qeverinë Kurti në krye, Serbia nuk ka asnjë shans të na ndalë rrugën”, deklaron Rexhepi.

Dashevci: Qëllimi i takimit mes zyrtarëve të Listës Serbe dhe Petar Petkoviqit dihet haptazi

Kurse, njohësi i sigurisë, Arben Dashevci ka thënë se ky takim është dëshmi e qartë e qasjes destruktive të Listës Serbe dhe një përpjekje e Beogradit për të ndërhyrë drejtpërdrejt në procesin zgjedhor në Kosovë.

Dashevci tha se praktika ka treguar vazhdimisht se kjo parti ka vepruar kundër çdo procesi pozitiv në vend, duke bojkotuar institucionet dhe duke i nxitur serbët e Kosovës të largohen nga to.

Image
Arben Dashevci

“Po zyrtarë të Listës Serbe janë pritur në një takim në Serbi shumë herë nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, dhe edhe këtë herë si gjithmonë me qasjen e tyre destruktive një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës nuk e certifikoi atë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Qëllimi i takimit mes zyrtarëve të Listës Serbe dhe Petar Petkoviqit dihet haptazi ata sipas mendimit tim janë gjithmonë kundër çdo procesi pozitiv në Kosovë sepse praktika e ka dëshmuar këtë për shumë herë radhazi sikurse edhe tash pas moscertifikimit nga KQZ-ja e Kosovës?

Ky takim mendoj unë përbën një përpjekje të Beogradit për të ndikuar drejtpërdrejt në procesin zgjedhor në Kosovë ashtu siç ka tentuar edhe më përpara në forma të ndryshme dhe gjithmonë deri më sot kanë bojkotuar institucionet e Kosovës, madje kanë kërkuar nga pjestarët e komunitetit Serb të largohen nga institucionet ku punojnë nê Republikën e Kosovës dhe mu kjo është ajo tentativa ose qasja destruktive”, thotë ai.

Në fund, thotë se marrëdhëniet me Serbinë mbeten të tensionuara, por qasja e saj destruktive nuk ka më efekt në Kosovë. Serbia vazhdon me luftë hibride – sabotazh, dezinformim e propagandë – por institucionet tona të sigurisë janë vigjilente dhe të koordinuara me BE dhe NATO.

Dashevci deklaron se ata që kanë krijuar tensione e destabilizim janë të kërkuar me fletëarrest dhe strehohen në Serbi. Sot, organet tona kanë kapacitete të plota dhe po i ndalin çdo tentativë në kohë rekorde dhe se qasja destruktive e Beogradit nuk gjen më përkrahje as te komuniteti serb në Kosovë, sepse incidente etnike nuk ka.

“Marrëdhëdhëniet e Kosovës me Serbinë kanë qenë dhe janë ende të tensionuara, edhe tash në prag të zgjedhjeve lokale. Qasja destruktive e Serbisë nuk ka ndryshuar fare, lufta e egër hibride në formën e sabotazhit, dezinformimit total, propagandës dhe krijimit të tensioneve kundrejt vendit tonë nuk janë ndalur kurrë. Unë mendoj që Serbia nuk mundet më ta tensionoi situatën e sigurisë te ne ashtu siç ka bërë më përpara, sepse vigjilenca është në maksimum.

Ata që e kanë tensionuar situatën dhe kanë krijuar konstant tensione dhe destabilizim janë të kërkuar me fletarrest nga institucionet tona dhe Interpoli ata gjinden në Serbi dhe janë afër protestave me qasje brutale ndaj protestuesve/popullit në vendin e tyre, me shumë probleme të brendshme dhe brutalitetin e establishmentit politik, aparatit policorë atje që i shohim çdo ditë në televizione. Organet tona të sigurisë kanë kapacitete të plota për veprim në çdo pjesë të vendit tonë, kanë përvojën në praktikë dhe janë në vigjilencë maksimale.

Organet tona janë në bashkëveprim, koordinim dhe bashkëpunim të plotë me reaguesin e dytë nga BE dhe reaguesin e tretë NATO me misionin e saj në Kosovë, KFOR, dhe çdo tentim tensioni po e ndalojnë në kohë rekorde, pra nuk ka sukses më qasja destruktive e Serbisë në Kosovë, nuk e ka më as përkrahjen e komunitetit serb në Kosovë sepse është fakt që incidente etnike nuk ka. Por vigjilenca nuk ka alternativë duke e ditur gjithmonë tentativën e Serbisë për destabilizimin e vendit tonë” – përfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat