Pas dhjetëra tentimeve dhe seancave të dështuara, Kuvendi i Kosovës më në fund zgjodhi kryetarin e tij më 26 gusht 2025.
Dimal Basha nga Lëvizja Vetëvendosje arriti të bëhet kryetar i Kuvendit të Kosovës, pasi u votua edhe nga opozita.
Pas zgjedhjes së kryetarit, u zgjodhën edhe nënkryetarët nga tri partitë më të mëdha shqiptare – Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala. Nga komunitetet joshumicë, u zgjodh nënkryetarja Emilia Rexhepi.
Megjithatë, një ngërç i ri politik nisi për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme për të zgjedhur nënkryetarin nga komuniteti serb, siç e kërkon Kushtetuta.
Lista Serbe ka dështuar tri herë ta zgjedhë Slavko Simiqin, ndërsa tentativa e katërt u ndërpre nga kryetari Basha për shkak të rregullores.
Edhe përpjekja për ta zgjedhur Nenad Rashiqin dështoi, pasi mori vetëm 55 vota, ndërkohë që LDK nuk mori pjesë në votim.
Lidhur me këtë çështje, opnionisti Albert Ramadani, në një prononcim për “Bota sot” ka deklaruar se, ndonëse Kuvendi ka tashmë kryetarin dhe nënkryetarët nga partitë kryesore shqiptare dhe komunitetet jo-serbe, mungesa e votimit të nënkryetarit nga komuniteti serb po krijon një ngërç institucional.
Sipas tij, ka dy opsione mbeten për konstituimin e plotë të Kuvendit.
“Kemi kryetar kuvendit, kemi nënkryetar nga radhët e partive më të mëdha shqiptare, kemi edhe nënkryetar nga komuniteti jo-serb. Por tani e kemi një situatë edhe më të komplikuar, sepse pa u votuar edhe nënkryetari nga radhët e pakicës serbe, unë mendoj që ka nisur një ngërç më serioz.
Dy rrugë mbeten për konstituimin e plotë të kuvendit: o duhet votuar kandidati i Listës Serbe – nga 10 sa janë, 9 janë si grup më i madh dhe me numrin më të madh të deputetëve serbë. Me Kushtetutë kërkohet përfaqësim i grupit më të madh, duke e votuar me 61 vota, por edhe me shumicë nga kjo pakicë – nga 10 prej tyre duhen shumica, plus edhe deputetët tjerë.
Ka gjasa që prapë të vazhdojë situata e njëjtë deri në afatin 30-ditor dhe prapë të shkojë në Kushtetuese. Ka gjasa të votohet Nenad Rashiq, por mund të shkojë në zgjedhje dhe të përfundojë në Kushtetuese, dhe me gjasë Kushtetuesja e rrëzon votimin – edhe nëse votojnë partitë tjera përveç Listës Serbe”, ka thënë Ramadani.
Gjithashtu, Ramadanit ka paralajmëruar se pritet të vazhdojë ngërçi politik.
“Por tani taktizimi ka të bëjë me partinë më të madhe shqiptare në kuvend. Sepse po të zgjidhen të gjithë nënkryetarët dhe të konstituohet kuvendi, menjëherë fillon afati rrjedhës për formimin e qeverisë.
Për kryetar kuvendi u krijuan numrat, por për qeveri – pa një marrëveshje – nuk arrihet. Dhe unë e shoh që ngërçi do të vazhdojë me moszgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit shumicë serb në kuvend, deri sa partia e parë të krijojë një marrëveshje me ndonjë nga partitë që të arrihet një shumicë e qëndrueshme. Apo në rast se do të ndërhyjë presidentja për zgjidhjen e nënkryetarit serb, ose Kushtetuesja, nëse partia e parë me 48 mandate nuk arrin të formojë qeverinë”, ka theksuar ai.
Po ashtu, Ramadani ka vlerësuar se as partitë ish-opozitare nuk kanë numrat për të formuar qeverinë.
Sipas tij, mund të kërkohet një marrëveshje për krijimin e një qeverie me kryeministër teknokrat deri në përfundim të mandatit të presidentes në prill 2026.
“Këtu kuptohet që as partitë ish-opozitare nuk i kanë numrat. Dhe këtu vjen në pyetje një marrëveshje për krijimin e një qeverie me kryeminister teknokrat deri në skadimin e afatit të presidentes në prill të 2026.Partia e parë, nëse pretendon që me krijimin e kuvendit ta shpërndajë kuvendin, duhet ditur që kryetari i kuvendit aktual nuk mund të luajë rolin e presidentes, meqë presidentja ende është në detyrë. E vetmja mundësi është që presidentja të largohet nga pozita pak para zgjedhjeve, duke krijuar një parti të re”, ka përfunduar Ramadani.