Arrestimi i pilotit të KFOR-it: Drizan Shala paralajmëron rrezik serioz për sigurinë e Kosovës dhe Ballkanit

Politika

Arrestimi i pilotit të KFOR-it: Drizan Shala paralajmëron rrezik serioz për sigurinë e Kosovës dhe Ballkanit

Nga: A.SH Më: 28 gusht 2025 Në ora: 09:58
Foto ilustrim

Media kroate raporton se piloti kroat i KFOR-it dhe e dashura e tij serbe nga Mitrovica janë arrestuar nën dyshimin për spiunazh. Sipas gazetës “Slobodna Dalmacija”, çifti akuzohet për katër raste konkrete spiunazhi, por për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme.

Një nga rastet më të rëndësishme, sipas mediave, lidhet me informacionet që piloti i KFOR-it ia kishte përcjellë partneres së tij mbi veprimet e misionit në Zubin Potok, komunë me shumicë serbe që është epiqendër e tensioneve në veri.

Ky zhvillim ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë e misioneve paqeruajtëse dhe për stabilitetin rajonal, duke rikthyer vëmendjen mbi ndikimet e mundshme të Listës Serbe dhe lidhjet e saj me aktorë të jashtëm.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka vlerësuar për “Bota sot” se arrestimi i pilotit kroat të KFOR-it dhe lidhja e tij me një shtetase kosovare, nën dyshimet për spiunazh në favor të Listës Serbe, ka implikime serioze për sigurinë rajonale.

Shala thekson se përfshirja e një pjesëtari të misionit ndërkombëtar ngre pyetje mbi proceset e vetting-ut dhe monitorimin e personelit, duke treguar se edhe strukturat më të mbrojtura mund të jenë objektiva të operacioneve inteligjente.

Ai shton se rasti mund të destabilizojë besueshmërinë e KFOR-it dhe të forcojë dyshimet për ndikimin e Beogradit, shpesh në sinkron me Moskën.

“Rasti i arrestimit të pilotit kroat të KFOR-it dhe lidhjes së tij me një shtetase të Kosovës, nën dyshimet për spiunazh në favor të Listës Serbe, është një zhvillim me implikime serioze në sigurinë rajonale.

Së pari, përfshirja e një pjesëtari të KFOR-it në aktivitete të tilla ngre pyetje të rëndësishme mbi sigurinë e brendshme të misionit ndërkombëtar, proceset e vetting-ut dhe monitorimit të personelit. Ky incident dëshmon se edhe strukturat më të mbrojtura mund të shndërrohen në objektiva të operacioneve të inteligjencës hibride.

Së dyti, ky rast mund të ketë efekt destabilizues në perceptimin publik mbi besueshmërinë e misioneve paqeruajtëse në Kosovë. Nëse faktohen lidhjet me Listën Serbe, do të forcohen dyshimet se Beogradi, përmes kanaleve të ndryshme, përpiqet të shfrytëzojë edhe strukturat ndërkombëtare për interesa të tij gjeopolitikë, shpesh të sinkronizuara me Moskën”, tha ai.

Në fund, Shala thekson se rasti duhet parë si sinjal alarmi për institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.

Shala paralajmëron se Lista Serbe mund të ketë ndërtuar kanale informale ndikimi për agjendën e Rusisë në Ballkan, ndaj kërkohet një hetim i plotë dhe i paanshëm, si dhe forcim i masave të brendshme të kontrollit në misionet paqeruajtëse.

“Së treti, ky incident duhet parë si një sinjal alarmi për institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë: siguria e informacionit të ndjeshëm dhe filtrimi i kontakteve që mund të keqpërdoren është thelbësore për ruajtjen e stabilitetit. Nuk përjashtohet që Lista Serbe të ketë ndërtuar kanale informale ndikimi, të cilat përdoren për të avancuar agjendën e Rusisë në Ballkan.

Prandaj, rasti kërkon një hetim të plotë dhe të paanshëm, si dhe forcim të masave të brendshme të kontrollit në misionet paqeruajtëse. Çdo komprometim i brendshëm i tyre nuk është vetëm çështje individuale, por prekje e drejtpërdrejtë e sigurisë kolektive në Kosovë dhe rajon” – përfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat