Arrestimi i pilotit kroat të KFOR-it, ish-hetuesi zbulon ‘prapaskenat’: Infiltrimi i Listës Serbe është...

Politika

Arrestimi i pilotit kroat të KFOR-it, ish-hetuesi zbulon ‘prapaskenat’: Infiltrimi i Listës Serbe është...

Nga: A.SH Më: 28 gusht 2025 Në ora: 13:58
Vuçiq

Media kroate ka raportuar se një pilot kroat i KFOR-it dhe e dashura e tij serbe nga Mitrovica janë arrestuar nën dyshimin për spiunazh.

Sipas “Slobodna Dalmacija”, ata dyshohen për katër raste konkrete, por autoritetet nuk kanë dhënë detaje për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve.

Një nga rastet më të rëndësishme lidhet me informacionet që piloti dyshohet se ia ka transmetuar partneres së tij mbi operacionet e KFOR-it në Zubin Potok, komunë me shumicë serbe dhe vatër tensionesh në veri.

Ky rast ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e misioneve paqeruajtëse dhe stabilitetin rajonal, si dhe për ndikimin e Listës Serbe dhe lidhjet e saj me aktorë të jashtëm.

Ish-hetuesi, Agim Rexhepi, në një prononcim për “Bota sot”, tha se arrestimi i pilotit kroat të KFOR-it dhe të dashurës së tij serbe nga Kosova për spiunazh, tregon rrezikun e infiltrimit të Listës Serbe në Kosovë.

Ai theksoi se kjo është e papranueshme për një pjesëtar të KFOR-it dhe paralajmëroi se Beogradi e Moska po kërkojnë rrugë të reja për destabilizim, por Kosova do të mbetet faktor stabiliteti.

“Rasti i arrestimit të pilotit kroat të KFOR-it dhe të dashurës së tij nga Kosova, nën dyshimet për spiunazh në shërbim të Lista Serbe, ngre një shqetësim serioz për sigurinë në vend. Është e papranueshme që një pjesëtar i një misioni paqeruajtës të dyshohet për aktivitete që bien ndesh me mandatin e tij dhe me misionin e KFOR-it në Kosovë.

Ky incident është tregues se Lista Serbe, e kontrolluar nga Beogradi dhe e orientuar nga Moska, po kërkon mënyra të reja për të futur ndikimin e saj destabilizues, madje edhe brenda strukturave ndërkombëtare. Përpjekje të tilla janë të rrezikshme, por Kosova ka dëshmuar se është faktor stabiliteti dhe se nuk do të lejojë asnjë ndërhyrje që cenon sovranitetin dhe rendin demokratik”, thotë ish-hetuesi.

Tutje, shton se Qeveria Kurti thekson se siguria kombëtare është prioritet dhe çdo lidhje me Serbinë apo Rusinë do të trajtohet me seriozitet.

Ai thotë se rasti nuk duhet të dëmtojë KFOR-in, por të shërbejë si thirrje për vigjilencë, pastrim të brendshëm dhe transparencë.

“Qeveria Kurti ka qenë e qartë: siguria kombëtare është prioritet dhe çdo lidhje e dyshimtë me strukturat e Serbisë e Rusisë do të trajtohet me seriozitetin më të madh. Ky rast nuk duhet të dëmtojë reputacionin e KFOR-it si institucion, por duhet të shërbejë si një thirrje për vigjilencë më të madhe, pastrim të brendshëm dhe transparencë të plotë.

Mesazhi është i qartë Kosova është e vendosur në rrugën e saj euro atlantike dhe nuk do të lejojë që interesat e huaja armiqësore të pengojnë stabilitetin, paqen dhe demokracinë në vend” – përfundon ai për gazetën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat