“Ndikimi politik në arsim po pengon zbatimin e reformave thelbësore”

Politika

“Ndikimi politik në arsim po pengon zbatimin e reformave thelbësore”

Nga: A.M. Më: 31 gusht 2025 Në ora: 20:01
Erblina Kallabaku

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Erblina Kallabaku, këshilltare për orientim në karrierë në shkollë, ka adresuar disa nga problemet më të theksuara që po e shoqërojnë sistemin arsimor në Kosovë. 

Sipas Kallabakut, një nga problemet kryesore qëndron te vetë mënyra e mësimdhënies, e cila në shumicën e rasteve mbetet tradicionale dhe e përqendruar te transmetimi njëkahësh i njohurive  nga mësuesi te nxënësi.

Gjithashtu, Kallabaku ndalet edhe te një aspekt tjetër thelbësor tezbatimi i kurrikulave në praktikë.

Ajo pohon se kjo është një fushë ku Kosova ka ngecje të mëdha, për shkak të mungesës së trajnimeve të rregullta për mësimdhënësit, si dhe mungesës së një mekanizmi të fortë për mbikëqyrjen e cilësisë së mësimdhënies në të gjitha nivelet.

"Në Kosovë, mënyra e mësimdhënies është shpesh tradicionale, e bazuar kryesisht në transmetimin e njohurive nga mësuesi te nxënësi, me pak fokus në zhvillimin e mendimit kritik, kreativitetit dhe aftësive praktike. Në shumicën e vendeve, infrastruktura shkollore është e mangët; mungojnë mjete moderne si tabelat digjitale, laboratorë shkencorë dhe teknikë, kabinete informatike, biblioteka, sallë sporti, kantinë, si dhe tualete të rregulluara dhe të pastra. Gjithçka kjo e pamundëson zbatimin e metodave bashkëkohore dhe interaktive.

Zbatimi i kurrikulave në praktikë mbetet i dobët, për shkak të mungesës së trajnimeve të vazhdueshme për mësimdhënësit dhe mungesës së mbikëqyrjes së cilësisë së mësimdhënies. Një nga problemet më serioze mbetet mungesa e bashkëpunimit efektiv ndërmjet MASHT-it dhe Drejtorive Komunale të Arsimit, ku shpesh vendimmarrja ndikohet nga interesa politike. Rasti konkret është Komuna e Prizrenit, ku ndonëse Udhëzimi Administrativ për këshilltarët e karrierës ka hyrë në fuqi që në vitin 2023, dhe duke pasur parasysh se Prizreni është komuna e dytë më e madhe në Kosovë për nga numri i banorëve, me mbi 23,000 nxënës, DKA në Prizren ende nuk e ka zbatuar këtë vendim. Ndërkohë, shumica e komunave të tjera tashmë kanë filluar të emërojnë koordinatorë të karrierës në DKA dhe SHMF",shpjegon Kallabaku.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat