Opinionisti Idriz Zeqiraj, në një prononcim për “Bota Sot”, ka rrëfyer disa të pathëna rreth ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Ai ka folur për sulmet politike që po i bëhen asaj.
Zeqiraj e përshkruan Gërvallën si një veprimtare të palodhur dhe të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare për më shumë se një çerek shekulli.
E edukuar në Tiranë dhe Hamburg, ai ka zbuluar se Donika Gërvalla ka marrë pjesë në grevën e urisë kundër regjimit të Enver Hoxhës, së bashku me Azem Hajdarin.
Sipas tij, aktivitetin politik e ka vazhduar që në moshë të re, në zyrën e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Stuttgart.
“Kam punuar një çerek shekulli me veprimtaren e përkushtuar të çështjes kombëtare, Donikë Gërvalla. Parimore, e guximshme, me karakter të çeliktë, me integritet të plotë, qëndresetare unike, rugoviste e përjetshme.
E shkolluar në Tiranë dhe Hamburg. Pjesë e grevës studentore të urisë, përkrah tribunit të demokracisë, Azem Hajdari, kundër diktaturës staliniste fashiste të Enver Hoxhës. Si vajzë njomëzake, erdhi në zyrën e LDK-së, në Shtutgart, për ta vazhduar aktivitetin politik dhe patriotik për lirinë e Kosovës.
Si nënë, me beben në krojshe, përshkonte Gjermaninë dhe Evropën, në takime me mërgimtarët shqiptarë dhe zyrtarët evropianë. Në Ofenbach të Franfurtit, në një sallë të madhe, ku ishin shumë qindra mërgimtarë, prisnin ardhjen e paralajmëruar të Kryetarit Rugova. U dëgjua vaji i një fëmije. Kryetari i Degës të LDK-së, Hafiz Gagica, tha: "Po qanë nipi i Jusuf Gërvallës". Të pranishmit shpërthyen në duartrokitje. Janë të njohura debatet e organizuara për Kosovën, Donikë Gërvalla ishte gjithherë fituese, në përballje me ministrat, kryeministrat, deputetët, gjeneralët, politikanët serbë, ballkanas, evropianë”, ka thënë ai.
Gjithashu, Zeqiraj ka theksuar se Gërvalla, si kryetare e Degës së LDK-së në Gjermani, u përball me sabotime nga brenda LDK-së në Prishtinë.
Megjithatë, ajo vazhdoi aktivitetin politik me përkushtim ndaj vizionit të Presidentit Rugova.
“Kryetare e Degës të LDK-së në Gjermani, një drejtuese e shkathtë dhe profesionale, më gjithë pengesat dhe sabotimet që bënte një klan brenda Kryesisë të LDK-së në Prishtinë. Më 25 maj 2015, në Kuvendin e 8-të Zgjedhor të LDK-së, në Hotel "Emerald" në Prishtinë. Si delegat, isha dëshmitar okular, kur delegatëve nga Dega e Gjermanisë dhe e Zvicrës, iu mohua pjesëmarrja në Kuvend, me arsyetimin se njëra nga Nëndegët e Degës, "nuk ka bërë zgjedhje të rregullta!" Ndërkohë që ishin, pikërisht, këto dy Degë që kishin bërë zgjedhje super të rregullta, me votë të fshehtë, si në epokën e Presidentit Rugova.
Ai Kuvend, i 8-ti me radhë, nuk e pranoi votimin e fshehtë. Konkurrenca e Vjosë Osmanit për kryetare të LDK-së u refuzua! Votimi aklamativ, fiktiv, i rrejshëm, in hapur, me ngritje dore, ricikloi Isa Mustafën për kryetar!
Më vonë u mbajt Konventa e LDK-së, Sekretari i LDK-së ia dorëzon materialet e Konventës, Donikë Gërvallës, e ftuar si kryetare e Degës të LDK-së, nga Gjermania. Në hyrje të sallës u ndalua, tre bodiguardë të ministrave të Isa Mustafës e tërhoqën zvarrë, vajzën krenare të Jusuf Gërvallës, Hero i Kosovës! Asaj dite, kur skena bizare e dhunës ndaj veprimtares më të zëshme në Evropë dhe botë, për çlirimin dhe lirinë e Kosovës, u bë virale në industrinë mediatike, mijëra anëtarë të LDK-së, në shenjë proteste, të përlotur, u larguan nga LDK-ja.
Megjithatë, kryetarja e Degës të LDK-së në Gjermani, Donikë Gërvalla vazhdoi veprimtarinë politike, në organizimin dhe drejtimin e partisë të Presidentit Rugova, sikur të mos kishte ndodhur asgjë!”, ka shpjeguar ai
Tutje, Zeqiraj ka hedhur poshtë pretendimet e disa kuadrove të LDK-së se incidenti me Gërvallën ishte i inskenuar, duke i quajtur shpifje të rënda. Ai përshkruan degradimin e demokracisë së brendshme në LDK dhe dhunën ndaj Gërvallës si shembull të këtij dështimi.
Sipas tij, ajo ka dencuar publikisht krimet politike, të cilat më vonë u konfirmuan nga gjykatat.
“I kemi dëgjuar kuadrot e LDK-së, Ismet Beqiri dhe Lutfi Hazirin, duke thënë se "ajo ngjarje ishte inskenim nga delegatët e Gjermanisë!" Kjo është një shpifje e rëndë dhe zotërinjtë e cituar, edhe tani, duhet të kërkojnë falje për fyerjen dhe shpifjen mostrume. Për 16 vjet radhazi kam qenë delegatë në Kuvendet Zgjedhore të LDK-së në Prishtinë. Ne jemi të drejtpërdrejtë dhe nuk merremi me inskenime dhe pisllëqe tjera të kësaj natyre. Prandaj, pushoni shpifjet, sepse nuk ju bëjnë nder.
Në sallën kuvendore ishim 359 delegatë të Kuvendit Zgjedhor. Isha zë i vetëm në sallë, kur protestova kundër asaj -maskarade zgjedhore-. Dhunshëm e mora fjalën: "O skllevër të shekullit digjital, hiqni dorë nga zgjedhjet aklamative, fiktive, të rrejshme! Çfarë fytyre do të keni të dilni para anëtarësisë, elektoratit, për të kërkuar votën e tyre demokratike, kur ju e përdhosni aq poshtërsisht besimin e tyre" dhe vërejtje të tjera bazike. Mua më duartrokisnin, por votën e hapur ia jepnin Isa Mustafës dhe klanit të tij!
Donikë Gërvalla, për më shumë se 6 vjet punoi në zyrën e LDK-së, në Shtutgard, së bashku me Sali Çekaj. Ajo kishte bashkëpunim të rregullt me kuadro të LDK-së, në Prishtinë, në mes tyre edhe drejtorin e QIK-ut, si Enver Malokun; me këshilltarin politik të Presidentit Rugova, Xhemajl Mustafa dhe të tjerë, u vranë si kundërshtarë politikë. Ekzekutimeve u paraprinë listat emërore, të bëra nga Shtabi i UÇK-së të LPK-së, në Tiranë. Ajo përjetoi rëndë përgjakjen e bashkëpunëtorëve të saj. Dhe, ata ishin të shumtë dhe jo 100 apo 200 vrasje politike, siç po i minimizojnë tellallët e krimit, por disa qindra.
Donikë Gërvalla u dha emër dhe mbiemër kokave të krimit, me bandat e tyre. Ishin gjykatat vendore dhe ndërkombëtare, të cilat konfirmuan denoncimet publike të veprimtares Gërvalla. Tashmë, nuk përbënë asnjë sekret se krimet politike në Kosovë u faturohen eksponentëve me përkatësi partiake të subjekteve politike të koalicionuara në PAN.
Presidenti Rugova na e la LDK-në me 47 % të votueseve të saj. Shefat drejtues, me klanet e tyre, e sollën LDK-në në 10 %, sepse pjesë e koalicionit ishte edhe Pacolli me disa partiza minore. Kjo tmerroi idealistët e frymës rugoviane. Vardisja e kreut të LDK-së, Isa Mustafa, pas PDK-së, duke shpërfillur anëtarësinë dhe strukturat e partisë. Ai luftoi pamëshirshëm Donikë Gërvallën; përçau Mërgatën. Me Vjosë Osmanin ishte i egër dhe hipokrit - njëherësh. Ishte patericë e mbajtjes së PAN-it me "komandantët" e tij në pushtet, në vite e dekada!”, ka deklaruar Zeqiraj.
Më tej; ai ka thënë se binomi Gërvalla –Osmani e shpëtuan LDK-në nga shuarja dhe ndihmoi në largimin e PAN-it nga pushteti.
Zeqiraj kritikon ndërprerjen e reformave në LDK dhe rikthimin e aleancës me PAN-in.
“Binomi Donika-Vjosa shpëtuan LDK-në në prag të shuarjes ndërsa largoi nga pushteti eksponentët e krimit dhe të hajnisë zyrtare, PAN-in kriminal. Reformat e nismuar nga Lidershipi i ri i LDK-së, ishin shpresë e ngjallur. Por, lënia në gjysmë të reformave, zhgënjeu shumë.
Aleanca e ripërtrirë me PAN-in, me ideologji të mykur staliniste dhe klani dominues i Isa Mustafës në LDK, janë bashkuar me sulme dhe urrejtje patologjike, kundër Donikë Gërvallës, e cila mbron vetëm të vërtetën, pavarësisht kostos që ka ajo. Këtë e dëshmoi edhe në Intervistën e dhënë në PRESSING, T7 me moderatorin Leonard Kërçuku, javën e shkuar. Ajo nuk mohoi asnjë nga deklarimet e saja, të bëra përgjatë përtej tri dekadave të veprimtarisë të saj politike. Ajo vlerësoi veprimtarët dhe luftëtarët, për lirinë e Kosovës dhe denoncoi ata që e përgjakën Atdheun-Kosovë, gjatë dhe pas luftës”, ka vlerësuar Zeqiraj.
Gjithashtu, ai ka kritikuar sulmet e opozitës ndaj Donika Gërvallës, duke i cilësuar të padrejta dhe të motivuara nga urrejtja ndaj kontributit të saj për çështjen kombëtare
“Opozita e bashkuar, si në kor bretkosash, i është sulur zëvendëskryeministres, ministres së Jashtme dhe të Diasporës, Donikë Gërvalles. E gjithë kjo urrejtje e shprehur, në mënyrën me të vrazhdë, ndaj kontributes më të madhe për çështjen kombëtare, atëherë kur Atdheu kishte nevojë për fjalët dhe veprimet e saj të mençura.
Akuza për mungesën e njohjeve të reja, më se paku mund të fajësohet ministrja në fjalë, sepse në Marrëveshjen e Ëashingtonit është kërkuar të stopohet kërkesa për njohje, ndërsa Serbia të pushojë ndërhyrjet për pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe të tjera. Edhe pse Serbia nuk ka zbatuar asnjë nga angazhimet, kinse të pranuara. Ndërkohë, masat e marrura, për shtrirje të sovranitetit në veriun e Kosovës të Qeverisë Kurti, BE jo vetëm që nuk ndihmoi tek pesë shtetet e saj, për ta njohur Kosovën, përkundrazi, sanksionoi Kosovën, sa padrejtësisht, aq edhe arbitrarisht!”, ka cilësuar ai.
Tutje, Zeqiraj e ka vlerësuar performancën ndërkombëtare të Gërvallës si ministre e Jashtme.
Ai ka theksuar se PAN-i dhe SHIK-u e kanë sulmuar vazhdimisht, për shkak të qëndrimeve të saj kundër krimeve të tyre politike.
“Përformanca e Gërvallës në cilësinë e ministres së Jashtme, në forumet ndërkombëtare, ka qenë cilësore dhe përmbajtjesore, duke fituar debatet politike e diplomatike me kundërshtarët, në veçanti, me zyrtarët e Serbisë. Ajo është një polemiste brilante, "hazërxhevap" për të gjitha temat aktuale. Dhe, këtë dhunti të saj, e ka të trashëguar nga i ati, Jusuf Gërvalla.
Fillim e mbarim, PAN-i ka mohuar çdo sukses të ministres së Jashtme, Gërvalla, sepse ajo ka qenë konsekuente në goditjen e PAN-it, si sinonim të krimit vrastar dhe të hajnisë zyrtare, përkundër të tjerëve që dje i shanin dhe i anatemonin vrasësit, sot i mbrojnë dhe amnistojnë, edhe pse vrastarët kurrë nuk kërkuan falje për krimet e tyre serike! PAN-i me SHIK-un e tij i ka agjentët e tij në LDK dhe kanë qenë edhe mbetën të interesuar për ta goditur ministren Gërvalla. Andaj, klani Mustafa, në debatet televizive e quajnë atë "dezertore", ndërkohë që e kanë përzënë përdhunshëm nga LDK-ja.
Vërtet, akuzat e Donikë Gërvallës, për krerët dhe eksponentët e PAN-it, janë bazike, por ajo nuk ka deponuar dosje në Gjykatën e Hagës, sepse janë 300 dëshmitarë, të cilët e kanë parësinë e dëshmimit, si rezidentë në Kosovë dhe shumë syresh e kanë provuar në lëkurën e tyre torturën e komandantëve dhe të tjerë, të cilët vajtojnë familjarët, viktima të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale, siç i ka emërtuar, saktësisht, prokurori amerikan, Xhak Smith.
Janë shumë zuzarë dhe rrugaçë, të cilët akuzojnë edhe Presidenten e artë, Vjosë Osmanin, për karrierizëm! Por, koha dëshmoi se ajo është parimore dhe përcaktimi i saj jetësor është thellësisht atdhetar. Po të ishte karrieriste, ajo do të qëndronte në koalicionin me LVV, ku e kishte të garantuar mandatin e dytë në krye të Presidencës të Republikës të Kosovës. Këtë "nuk e luan topi!",”, ka shtuar Zeqiraj.
Në fund, Zeqiraj e quan Donika Gërvallën një lidere të pastër dhe dinjitoze, me integritet dhe epërsi të padiskutueshme ndaj sulmeve të opozitës, sidomos nga PAN-i. Ai ka kritikuar ashpër manipulimet politike dhe shpifjet ndaj saj, si dhe sulmet ndaj Osmanit, të cilën e sheh si më të pëlqyerën nga populli për presidente.
“Në një vend të emancipuar e demokratik, si Franca, e cila ia vazhdoi mandatin presidentit Macron, edhe pa parti, nuk do të merakosej për zgjedhje të reja, duke e pasur të gatshme një Vjosë Osmani, e cila në votim të drejtpërdrejtë nga populli, do të ishte më e pëlqyera e Kosovës, për Presidente të vendit. Ndërkohë, njëri nga kalkuluesit partiak, i cili asfare nuk merakoset për cilësinë drejtuese të Kosovës, por i intereson rehatia personale, deklaron se "Vjosa Osmani do t`i këtë 120 vota kundër!" E turpshme për kuvendarët, të cilët preferojnë pazaret e pista ndërpartiake parlamentare, duke injoruar vullnetin e popullit.
Industria lehaqene e PAN-it, cinikisht e poshtërsisht, e përsërisin, artificialisht, disa "argumente", të sajuara nga ata, ashtu siç veprojnë me akuza idioteske, për bisedën aksidentale, një minutshe, të Mimoza Kusari-Lila, të kurdisur nga Sllavko Simiq, në koordinim me krerët dhe eksponentët kontrabandistë të PAN-it. Sipas Doganës të Kosovës, zyrtarë kontrabandistë të PAN-it, në bashkëpunim me -Listën Serbe-, i kanë shkaktuar dëme prej miliarda euro buxhetit të Kosovës!
Në raport me këta kriminelë, hajna e zuzarë, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, është kristal e pastër, pushtetare dinjitare, intelektuale e kompletuar, me integritet të plotë, e cila ka epërsinë absolute e të gjithë lukunisë shpifarake PAN-iste. Rrjedhimisht, shpifjet denigruese të opozitës nuk mund ta zvetënojnë shkëlqimin e artë të diplomates unike, Donikë Gërvallës”, ka përfunduar Zeqiraj.