Alarm për institucionet/ Kosova e rrezikuar nga spiunët shqiptarë të BIA-s serbe

Politika

Alarm për institucionet/ Kosova e rrezikuar nga spiunët shqiptarë të BIA-s serbe

Nga: P.R Më: 14 shtator 2025 Në ora: 20:02
Fotoilustrim: Rreziku i spiunazhit që kërcënon institucionet e Kosovës.

Aksionet e Policisë së Kosovës dhe Inteligjencës për kapjen e spiunëve shqiptarë që kanë lidhje me Inteligjencën serbe, tashmë po japin rezultatet e tyre.

Pas Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, u arrestua edhe Hysri Selimi.

Ashtu si dy të parëve, edhe ndaj këtij të fundit, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për spiunazh, ku Selimi dyshohet se për vite të tëra ka bashkëpunuar me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, të njohur si BIA.

E lidhur me këtë, analisti Faton Mehmeti thotë se kjo është edhe një dëshmi se inteligjenca serbe vazhdon aktivitetin e saj në Kosovë.

“Kjo aktakuzë e ngritur nga Prokuroria Speciale është një ngjarje shumë serioze dhe e rëndësishme për sigurinë kombëtare të Kosovës. Dyshimet për spiunazh ndaj Hysri Selimit, i cili akuzohet se ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë me BIA-n serbe, tregojnë se Serbia nuk ka hequr dorë nga aktivitetet e saj të inteligjencës në Kosovë”, shprehet Mehmeti, sipas të cilit, përmes shqiptarëve të rekrutuar si spiunë, Serbia po tenton që të sigurojë informata mbi aktivitetet e institucioneve në Kosovë.

Image
Faton Mehmeti

“Përmes elementëve shqiptarë që shfrytëzohen si bashkëpunëtorë, BIA kërkon të ketë qasje në informata të ndjeshme politike, ushtarake, shoqërore e madje edhe ekonomike.

Gjithashtu rreziku për Kosovën ekziston dhe është i lartë. Nëse spiunët arrijnë të depërtojnë në institucione ose në segmente të shoqërisë, atëherë cenohen jo vetëm të dhënat e sigurisë, por edhe proceset politike e shtetformuese. Kjo mund të shfrytëzohet nga Serbia për të ndikuar në vendimmarrje, për të dobësuar besimin e qytetarëve tek institucionet, si dhe për të krijuar destabilitet të brendshëm”, deklaron Mehmeti.

Më tej, Mehmeti thotë se Kosova duhet urgjentisht të marrë masa kundër aktivitetit të BIA-s serbe.

“Prandaj duhet që të bëhet forcimi i shërbimeve të inteligjencës së Kosovës (AKI-së), duke i dhënë më shumë kapacitete dhe koordinim me partnerët ndërkombëtarë. Të ketë kontroll më të rreptë të figurës për zyrtarët që ushtrojnë funksione të ndjeshme shtetërore, në mënyrë që të parandalohet infiltrimi. Në anën tjetër duhet të ketë ligje më të ashpra kundër spiunazhit, ku dënimet të jenë të qarta dhe dekurajuese”, nënvizon Mehmeti.

“Gjithashtu duhet të ndodhë bashkëpunim i ngushtë me aleatët perëndimorë, sepse Kosova nuk mund ta përballojë e vetme luftën kundër aktiviteteve të inteligjencës serbe, të cilat janë të përhapura dhe të organizuara. Pra, ky rast duhet të shërbejë si alarm për institucionet. Prania e BIA-s në Kosovë është reale, rreziku është i madh, por Kosova ka mekanizma dhe aleatë për ta minimizuar e neutralizuar këtë kërcënim, me kusht që të ketë seriozitet e vullnet politik”, përfundon për “Bota sot”, analisti Faton Mehmeti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat