Rubin heshti? Ish-eprori i UÇK-së ‘trondit’: Ja çfarë nuk u tha në Hagë

Politika

Rubin heshti? Ish-eprori i UÇK-së ‘trondit’: Ja çfarë nuk u tha në Hagë

Nga: N.E Më: 19 shtator 2025 Në ora: 22:32
Ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin

Ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ka dëshmuar për tri ditë radhas në Gjykatë Speciale, duke treguar për rolin e Hashim Thaçit gjatë luftës, si dhe për bisedimet në Rambuje.

Jamie Rubin nisi dëshminë e tij më 15 shtator, ku deklaroi se Hashim Thaçi kishte një rol kryesisht politik brenda UÇK-së dhe nuk kishte kompetenca për të marrë vendime ushtarake pa miratimin e komandantëve të terrenit.

 Sipas tij, për çdo vendim të rëndësishëm në fushën ushtarake, Thaçi duhej të konsultohej me strukturat komanduese.

Rubin tha gjithashtu se nuk ka pasur asnjë informacion që e lidh Hashim Thaçin apo të akuzuarin tjetër, Jakup Krasniqi, me pretendimet për vrasje.

Ai përmendi edhe ndërmjetësin amerikan në Rambuje, Christopher Hill, duke e akuzuar se kishte tentuar të dëmtonte figurën e tij dhe të sekretares së Shtetit, Madeleine Albright. Sipas Rubin, Hill kishte njëanshmëri në qëndrim, duke qenë “në favor të LDK-së dhe kundër UÇK-së”.

Në lidhje me Adem Demaçin, Rubin u shpreh se ndikimi i tij brenda UÇK-së ishte kryesisht ideologjik dhe jo ekzekutiv. Ai theksoi se ishte angazhimi i SHBA-së që e ndihmoi Thaçin të kapërcente rezistencën e Demaçit ndaj marrëveshjes së Rambujesë.

Gjatë ditës së dytë të dëshmisë, Rubin shpjegoi se SHBA-ja në fillim e kishte perceptuar UÇK-në si një organizatë me prirje terroriste, por kjo përshtypje ndryshoi pas pranimit të marrëveshjes së Rambujesë nga UÇK-ja.

Ai kritikoi edhe Gjykatën Speciale, duke e cilësuar si të padrejtë mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të katër të akuzuarve, të cilët, sipas tij, ishin dorëzuar në mënyrë vullnetare.

Rubin nënvizoi gjithashtu se në UÇK nuk kishte kontroll apo komandë efektive të centralizuar, dhe se SHBA-ja e konsideronte Thaçin si përfaqësues të zgjedhur nga vetë shqiptarët.

Në ditën e tretë dhe të fundit të dëshmisë së tij, Rubin dha disa sqarime për deklarimet e mëhershme. Ai tha se nuk ka dijeni nëse Thaçi e ka përdorur ndonjëherë termin “tradhtar” në rast se do pranonte marrëveshjen, duke theksuar se një deklaratë e tillë mund të ketë qenë thjesht perceptim personal i tij.

Sipas tij, komunikatat e UÇK-së gjatë asaj kohe kishin më shumë karakter propagandistik dhe synonin të paraqisnin organizatën si më të rëndësishme sesa realisht ishte.

Në përfundim, Rubin theksoi se nuk e konsideronte Hashim Thaçin si ndonjë komandant kryesor të UÇK-së.

Ish- eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naim Miftari, ka folur për “Bota sot”, rreth deklaratës së Rubinit.

Ai thotë se po tentohet që përgjegjësia komanduese t’i hidhet komandantëve të terrenit të luftës ose të ndjerit atdhetar Adem Demaqit, gjë që sipas tij, është gënjeshtër e madhe.

“E para, deklarata e Rubinit nuk është risi, ku mbrojtja e Thaçit, duke ndjekur instrukcionet e Hashim Thaçit, po tenton që përgjegjësinë komanduese t’ua hedhë komandantëve të terrenit të luftës ose të ndjerit atdhetar Adem Demaqit — çka është një rrenë e madhe, pasi Demaqi që nga fillimi ishte thirrur nga grupi i Rognerit vetëm për t’u përdorur si ideolog kombëtar që ishte, por nga puna ekzekutive nuk e ka pyetur gati askush. Dorën në zemër, Adem Demaqi kishte pak ndikim. Vetëm në UÇK-në e zonës së Llapit kishte negociuar në një rast me Xhemajl Mustafën për lirimin e dy personave që mbaheshin të arrestuar nga UÇK-ja. Rubini i tha të gjitha, për shembull pse Hashim Thaçi ishte personi i duhur për ndërkombëtarët: sepse Thaçi do të pranonte çfarëdo marrëveshje autonomie për Kosovën, ndërsa Demaqi — por edhe Rugova, edhe pse me metoda të ndryshme (Rugova përmes paqes, Demaqi edhe përmes luftës) — nuk pranonte kurrgjë më pak sesa Pavarësi / Republikë për Kosovën”, thotë Miftari.

Image
Ish- eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naim Miftari

Por, Miftari, përmend atë se çfarë nuk u tha në gjykatë.

“Pastaj, çka nuk u tha në gjykatë ishte: pse nuk u cek se si e sollën në Rambuje Hashim Thaçin, të cilin dy-tre vite më herët e kishin rekrutuar shërbimet sekrete të Francës (DGSE), gjegjësisht e kishte rekrutuar agjenti francez, dhëndrri serb, Denje Arnaud. Dhe ky shërbim, përmes Hashim Thaçit, mbante nën kontroll UÇK-në dhe komandantët e saj, mbante nën kontroll edhe financat, fondin “Vendlindja Thërret”. Ndërkohë, shërbimi sekret serb, përmes agjentit të tyre që ishte vëllai i Hashim Thaçit, mbante nën llupë UÇK-në, sidomos komandantët në terrenin e Drenicës. Nuk është fare rastësi vrasja e shumicës së komandantëve kryesorë të luftës së UÇK-së dhe FARK-ut. Rubini nuk e cek, as nuk e përmend pse në Shtabin e Përgjithshëm në Kosovë ishin vendosur agjentët francezë të DGSE-së, të cilët ishin të vetmit të vendosur brenda SHP-së në Kosovë. Pastaj, në gjykatë nuk u përmend fare tradhtia e madhe e quajtur marrëveshja K90/99, ku u demobilizua e u çarmatos tërë UÇK-ja me një nënshkrim të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, dhe ku komandantët e zonave përfituan nga një milion marka si “dhuratë”, kinse për logjistikë. Ndërkohë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës – 90% e ushtarëve – u lanë rrugëve, ndërsa po bëhej nga UÇK-ja TMK-ja, që ishte një organizatë civile, joqeveritare dhe humanitare, e cila do të merrej me vërshime, dridhje toke dhe fatkeqësi natyrore”, deklaron ish- eprori i UÇK-së.

Sipas tij, u bë grusht shtet ushtarak dhe i zhdukën nga skena politike, Adem Demaqin dhe Ibrahim Rugovën, kjo për shkak se me Hashim Thaçin mund të arrihet çfarëdo marrëveshje apo autonomie që do të ofronin përpara.

“Si nuk qenka i rëndësishëm Hashim Thaçi kur e çarmatosi UÇK-në me një nënshkrim? Nga Rambujeja, ku ndërkombëtarët – Amerika, Franca, Rusia dhe kuptohet edhe Serbia – bënë një grusht shteti ushtarak, u zhdukën nga skena politike Adem Demaqi dhe Ibrahim Rugova. Sepse me Hashim Thaçin mund të arrinin çfarëdo marrëveshjeje apo autonomie që do t’i ofronin përpara, ndërsa me Demaqin dhe Rugovën – pos pavarësisë dhe republikës për Kosovën – nuk vinte asgjë tjetër në shprehje. Thaçi ishte i rekrutuar nga Daniel Arnaud – agjent francez me lidhje serbe – dhe u pranua edhe nga amerikanët, pasi shihej si figurë që nuk do t’u thoshte kurrë “jo”. Ai ishte i gatshëm të pranonte madje edhe autonominë e zgjeruar nën Serbi, me 3,500–5,000 trupa serbe në Kosovë, ndërsa policia, doganat, ushtria dhe gjyqësia mbeteshin nën kontroll të Beogradit.

Lidhjet me Serbinë dhe kontrolli mbi UÇK-në

Thaçi ishte i përshtatshëm edhe për Serbinë, pasi vëllai i tij, Gani Thaçi, ishte bashkëpunëtor i UDB-së, i lidhur drejtpërdrejt me Ivica Stanishiqin. Përmes Hashimit, edhe UÇK-ja mbahej nën kontroll të huaj, gjë që i konvenonte si Francës, ashtu edhe Serbisë dhe SHBA-së.

Përmes Thaçit, Kadri Veselit, Agim Çekut e të tjerëve, u blenë dhe u nënshtruan shumica e komandantëve të zonave. Ata, kolektivisht, tradhtuan luftën, dëshmorët, invalidët dhe të zhdukurit – duke nënshkruar marrëveshjen që çoi në ndarjen e veriut dhe vendosjen e Kosovës nën Rezolutën 1244, ku konsiderohej ende pjesë e Jugosllavisë së mbetur”, thekson Miftari.

Tutje, ai përmend një marrëveshje si dëshmi të tij personale, gjersa shton se historia e Kosovës nuk mund të shkruhet pa u thënë të vërtetat e hidhura.

“Dëshmia ime personale. Marrëveshja u nënshkrua në objektin e “Kosova Filmit” në Dragodan, gjatë ditëve kur zhvilloheshin bisedimet. Unë, si epror i lartë i UÇK-së, isha prezent. Nuk isha pjesë e negociatave, por isha 100% kundër çarmatosjes së UÇK-së – dhe nuk isha i vetmi. Shumë prej nesh e dinim se kjo ishte një tradhti ndaj sakrificës së popullit tonë.

Sot, pas më shumë se dy dekadash, unë, Naim Miftari, marr përgjegjësi morale dhe ligjore për fjalët e mia: kjo që kam përshkruar është e vërtetë. Historia e Kosovës nuk mund të shkruhet pa u thënë edhe këto të vërteta të hidhura. Nënshkrimi i marrëveshjes u bë nga Hashim Thaçi dhe Agim Çeku. Thaçi madje u mashtrua hapur – vetë James Rubin e talli, duke i premtuar se Hollivudi do të realizonte një film për jetën e tij. Ky ishte vetëm një shembull i naivitetit dhe instrumentalizimit të tij nga fuqitë e huaja”, deklaron Miftari.

I pyetur nëse rrezikohet nderi i luftëtarëve të thjeshtë nga mënyra se si paraqiten rolet e udhëheqësve, Miftari thotë se nderi nuk zbehet kurrë.

Ish- eprori në fund thotë se Thaçi është dashur të mësoj nga qëndrimi në burgjet dhe gjykatat serbe të Albin Kurtit, Nait Hasanit dhe nga paraqitja e Rexhep Selimit.

“Sa i përket nderit të luftëtarëve të vërtetë të UÇK-së (përjashto veteranët e rrejshëm të pasluftës), ai nder nuk zbehet kurrë. Ndërsa sa i përket “nderit” të Hashim Thaçit — s’ka pasur nder as para luftës, as gjatë luftës, dhe as nuk ka nder sot. Atij sot i intereson me çdo çmim të dalë i lirë nga burgu që e ka ndërtuar vetë, sepse i mungojnë: pushteti, pasuritë, konspiracionet, korrupsioni, bisedat me Daçiqin dhe përqafimet e zjarrta me Ramën e Grenellin. Dhe, nëse ndodh lirimi i tij (nuk besoj fare se lirohet), do t’i gëzoheshin veç klanit Pronto dhe opozitës së korruptuar. Do t’i gëzohej shumë edhe shteti serb dhe Lista Serbe, pasi vetëm përmes Hashim Thaçit mund të arrijnë disa qëllime territoriale dhe politike në Kosovë. Thaçi është dashur të mësojë nga qëndrimi në burgjet dhe gjykatat serbe i Albin Kurtit, Nait Hasanit, dhe paraqitja e Rexhep Selimit në Gjykatën e Hagës”, përfundon Miftari.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat