Armatimi në pronën e ‘Gandit’, ekspertët zbërthejnë mesazhet e aksionit të Policisë në veri të Kosovës

Politika

Armatimi në pronën e ‘Gandit’, ekspertët zbërthejnë mesazhet e aksionit të Policisë në veri të Kosovës

Arife Morina- Mulaku Nga Arife Morina- Mulaku Më 20 shtator 2025 Në ora: 16:57
Armatimi i gjetur në veri të Mitrovicës

Policia e Kosovës ka realizuar një aksion të madh, gjatë të cilit ka gjetur pajisje ushtarake dhe municion në pronën e njërit prej dhjetëra të akuzuarve për sulmin e armatosur kundër policisë në fshatin Banjskë në veri të vendit.

Këtë e bëri të ditur, ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla.

Sveçla në një njoftimi në Facebook tha se armatimi është gjetur në në pronën e Nemanja Radivojeviqit, i njohur me nofkën “Gandi”.

“Ky person është i dyshuari kryesor për shpërthimin e bombës që mori jetën e Heroit të Kombit, Rreshterit policor Afrim Bunjaku, më 24 shtator 2023 në Banjskë”, shkroi Sveçla.

Radivojeviqi është njëri nga 45 të akuzuarit për sulmin vdekjeprurës të Banjskës.

Më herët, Policia e Kosovës tha se njësia e hetimeve Stacionit Policor Zveçan ka hasur në një rimorkio ku gjeti “dy thasë me uniforma, jelekë antiplumbë, pesë karikatorë të AK-47 me municion dhe pajisje tjera ushtarake”.

Po ashtu janë konfiskuar rroba të tjera ushtarake, përfshirë edhe një uniformë kamofluese.

“Nuk ka persona të arrestuar dhe dyshohet se këto armë i përkisnin një personi të dyshimtë, i cili tashmë është në kërkim për rastin Banjska”, tha Policia, duke shtuar se ky rast është nën hetim.

I gjithë ky aksion mori vëmendje dhe u përshëndet puna e Policisë së Kosovës.

Derisa, ekspertët e sigurisë folën mbi këtë aksion dhe shtrirjen e sovranitet dhe ligjshmërisë.

Shala: Ky është një mesazh i qartë për këdo që mendon të sfidojë ligjin

Së pari, për këtë çështje foli për “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Sipas tij, ky aksion tregon një nivel të lartë profesionalizmi, vigjilence dhe aftësie për të vepruar.

Image
Drizan Shala

Po ashtu, ai vlerëson se depot ilegale të armëve paraqësi rrezik për stabilitetin dhe jetën e qytetarëve, pasi sipas tij vijnë në shprehje grupet kriminale.

“Sekuestrimi i pajisjeve ushtarake dhe i municionit në veri të Kosovës është një dëshmi e qartë e vendosmërisë së institucioneve tona për të mbrojtur rendin dhe sigurinë publike. Ky aksion i Policisë së Kosovës, në koordinim me strukturat e inteligjencës, tregon një nivel të lartë profesionalizmi, vigjilence dhe aftësie për të vepruar në kohën dhe vendin e duhur.

Çdo depo ilegale armësh paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe jetën e qytetarëve tanë, sepse ato shpesh përdoren nga grupe kriminale apo struktura që synojnë destabilizimin e vendit. Prandaj, ndërhyrje të tilla nuk janë vetëm të nevojshme, por edhe strategjike për të garantuar se Kosova mbetet një shtet i sigurt dhe i mbrojtur nga kërcënimet hibride apo terroriste”, nënvizoi ai.

Krahas kësaj, Shala përmendi edhe mbështetjen e inteligjencës për Policinë, derisa tha se suksesi i tillë është si rezulatat i funksionimit të ligjit.

“Ky rast konfirmon gjithashtu se Policia e Kosovës, e mbështetur nga shërbimet e inteligjencës, po zhvillon një rol parandalues e proaktiv, duke mos lejuar që grupet e armatosura të krijojnë terren për sulme të reja apo përpjekje destabilizuese. Është me rëndësi të theksohet se çdo sukses i tillë është rezultat i punës së përkushtuar, i mbështetjes së qytetarëve dhe i funksionimit të shtetit ligjor”.

Ndër të tjera, eksperti shtoi se ky është mesazh për personat dhe grupet që synojnë të sfidojnë ligjin.

“Në këtë kontekst, aksione të tilla jo vetëm që duhen ndërmarrë, por edhe përshëndeten nga të gjithë ata që e shohin të ardhmen e Kosovës si pjesë të një hapësire të sigurt, demokratike dhe euroatlantike. Ky është një mesazh i qartë për këdo që mendon të sfidojë ligjin: institucionet e sigurisë janë vigjilente, të vendosura dhe të afta të mbrojnë integritetin e vendit dhe sigurinë e çdo qytetari, pa dallim”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.

Softa: Zbulime të tilla i japin të drejtë autoriteteve të jenë vigjilente dhe të ndërmarrin masa të përqendruara

Ndërsa, eksperti tjetër, Fatjon Softa foli mbi rreziqet që vë në pah ky aksion i policisë, derisa tha se ka një klimë të ngarkuar.

Image
Fatjon Softa

“Po, ka një rrezik serioz të shtuar — aq më tepër sot, në një klimë të ngarkuar, në një gjendje të vështirë për vetë Europën dhe Ballkanin, kur bota po armatoset me shpejtësi dhe kampet me Rusinë në krye po zhvillojnë stërvitje ushtarake, ndërsa NATO është në gatishmëri të plotë dhe po patrullon krahun e saj lindor”.

Softa në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” vlerëson se zbulimet e tilla të bëjnë të domosdoshme që autoritetet të ruajnë vigjilencën dhe të ndërmarrin veprime të synuara

“Këto grupime paramilitare të armatosura kishin arritur të grumbullonin pajisje ushtarake, municione dhe armë brenda territorit të Kosovës, duke përbërë një kërcënim serioz për sabotim, sulme ndaj forcave të rendit dhe destabilizim lokal. Ngjarjet në Banjskë treguan se grupe të armatosura mund të kryejnë sulme të koordinuara; prandaj, zbulime të tilla i japin të drejtë autoriteteve të jenë vigjilente dhe të ndërmarrin masa të përqendruara”, shpjegoi ai.

Në fund, eksperti kërkoi vigjilencë nga aksionet, derisa i dha disa propozime për këtë çështje.

“Është gjithashtu e rëndësishme të dallohen ndërmarrjet ligjore të policisë nga veprimet arbitrare që mund të shkaktojnë tensione etnike.

Për autoritetet:

Operacionet e policisë duhet të jenë të koordinuara me forcat paqeruajtëse.

Të forcohet kontrolli kufitar dhe menaxhimi i kufirit, si dhe bashkëpunimi rajonal për të bllokuar rrugët e trafikut të armëve.

Mendoj se mund të ndërmerret një amnisti për mbledhjen dhe dorëzimin e armëve të vogla, me garanci ligjore për komunitetet që bashkëpunojnë”, përmbylli Fatjon Softa për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat