Po shtohen zërat se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara po kalojnë në një fazë ftohjeje.
Si shkak shihet qasja e kryeministrit Albin Kurti ndaj situatës në veri dhe pezullimi i Dialogut Strategjik me Uashingtonin.
Kurse, Kurti ka theksuar se sundimi i ligjit nuk mund të negociohet.
“[Arsyeja e pezullimit të Dialogut të planifikuar Strategjik] është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë”, tha Kurti.
Avokati Gazmend Halilaj, thotë se deklarata e Kryeministrit Albin Kurti për mosbërjen e kompromisave me sundimin e ligjit në veri është parimore dhe e nevojshme për të ardhmen e Kosovës.
Ai thekson se çdo kompromis do të dobësonte sovranitetin dhe do t’i hapte derën strukturave ilegale, ndërsa zgjidhja e veriut është detyrë e gjeneratës së Kurtit.
“Deklarata e Kryeministrit Albin Kurti se “s’mund të bëj kompromise me sundimin e ligjit në veri” është një qëndrim parimor dhe i domosdoshëm për të ardhmen e Kosovës. Sundimi i ligjit është themeli mbi të cilin ndërtohet shteti, dhe çdo kompromis në këtë drejtim do të nënkuptonte dobësim të sovranitetit dhe hapje të derës për strukturat ilegale që e kanë sfiduar shtetin për vite me radhë.
Kurti e ka bërë të qartë se çështja e veriut nuk është një problem që mund t’i lihet brezave të ardhshëm, por një detyrë e gjeneratës së tij për ta zgjidhur. Në këtë këmbëngulje shfaqet jo vetëm përgjegjësia institucionale, por edhe vizioni politik që Kosova nuk mund të jetë shtet i plotë nëse ka zona ku ligji nuk zbatohet”, thotë avokati për Bota sot”.
Derisa, shton se çdo kompromis me strukturat ilegale në veri do të dobësonte shtetësinë dhe do të legjitimonte autoritetin paralel serb.
Tutje, tha se mbështetja për qëndrim të Kurtit nënkupton një Kosovë sovrane, demokratike dhe me sundim të ligjit në të gjithë territorin, duke garantuar paqe dhe perspektivë të qëndrueshme.
“Rreziku që sheh Kryeministri në bërjen e kompromiseve është i qartë: çdo lëshim ndaj strukturave ilegale do të legjitimonte funksionimin paralel të autoritetit serb në Kosovë, do të minonte stabilitetin dhe do të krijonte precedent që ligji mund të negociohet sipas interesave politike. Kjo do ta dëmtonte rëndë shtetësinë dhe do të përjetësonte krizën në veri.
Prandaj, mbështetja për këtë qëndrim është mbështetje për një Kosovë sovrane, demokratike dhe me sundim të ligjit në çdo cep të territorit të saj. Vetëm kështu garantohet paqe e qëndrueshme dhe perspektivë e sigurt për vendin tonë”, nënvizon avokati Gazmend Halilaj.