Emërimi i Olta Xhaçkës si nënkryetare e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KiE) është cilësuar si një zhvillim i rëndësishëm për rajonin. Për Shqipërinë, ky është një sukses diplomatik që rrit peshën e saj në Evropë, ndërsa për Kosovën shihet si një mbështetje e mundshme në rrugën drejt anëtarësimit në këtë institucion prestigjioz.
Në një postim në Facebook, Xhacka shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë dhe theksoi se kjo zgjedhje është një mesazh i fuqishëm që tregon se Shqipëria ka zë, vizion dhe rëndësi në vendimmarrjen evropiane. “Ky rol nuk është vetëm një detyrë e re, por një përgjegjësi për të mbrojtur dhe avancuar vlerat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut në Evropë,” tha ajo.
Në këtë funksion, Zëvendëspresidentja Xhacka do të jetë një avokate e fuqishme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën. Ajo u angazhua që të mbështesë me vendosmëri procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke theksuar rëndësinë e integrimit të këtij shteti të ri në institucionet ndërkombëtare, për të forcuar stabilitetin, demokracinë dhe bashkëpunimin rajonal.
Procesi i anëtarësimit të Kosovës në KiE është një hap kyç në konsolidimin e shtetësisë së saj dhe njohjes ndërkombëtare. Mirëpo, se si pritet të ndikojë roli i Shqipërisë dhe pozita e re e Olta Xhaçkës në procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE?
Fehlinger: Jam i bindur se në vitin 2026, Kosova do të jetë një anëtare e respektuar e Këshillit të Evropës
Fillimisht, në lidhje me këtë temë dhe atë se si mund të ndikojë ky emërim, për “Bota sot” foli eksperti austriak, Gunther Fehlinger.
Ai rritjen e ndikimit të Shqipërisë në KiE, e cilësoi si një lajm të mirë për Kosovën, pasi vlerëson se do ndikojë në anëtarësimin e saj në këtë organizatë ndërkombëtare.
“Zgjedhja e deputetes shqiptare Olta Xhaçka si Nënkryetare e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës është një lajm i shkëlqyer për të gjithë rajonin.
Ajo pasqyron njohjen në rritje të rolit konstruktiv evropian të Shqipërisë dhe forcon zërin e Evropës Juglindore brenda institucionit më të vjetër politik të Evropës.
Marrja e një pozite kaq të lartë pikërisht tani është një simbol i fortë i gatishmërisë së Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian më 1 maj 2029.
Për Kosovën, kjo është veçanërisht pozitive. Rritja e ndikimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës do të kontribuojë në përshpejtimin e rrugëtimit të Kosovës drejt anëtarësimit të plotë. Është një sinjal i qartë se destinacioni evropian i Kosovës është i pakthyeshëm dhe se reformat e saj demokratike dhe pro-evropiane po vlerësohen në nivelet më të larta”, theksoi ai.
Gjithashtu, Fehlinger kërkoi nga Xhaçka që menjëherë ta vendosë në agjendë anëtarësimin e Kosovës në KiE, madje nuk duhet ta pranojnë asnjë “jo” për këtë pikë.
“Bëj thirrje që Nënkryetarja Olta Xhaçka të vendosë menjëherë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në agjendën e sesionit të tetorit dhe të ushtrojë presion maksimal për t’ia dhënë Republikës së Kosovës vendin që e meriton prej kohësh në familjen evropiane të kombeve.
Ajo nuk duhet të pranojë asnjë “jo” si përgjigje dhe nuk duhet të lejojë që të bëhen pazare të ndyra me Republikën e bukur të Kosovës.
Jam i bindur se në vitin 2026, Kosova do të jetë një anëtare e respektuar e Këshillit të Evropës, duke ecur hap pas hapi drejt anëtarësimit në BE – dhe më së miri, në vitin 2029, së bashku me Shqipërinë dhe Malin e Zi”, shpjegoi ai.
Ndër të tjera, eksperti austriak konsideron se, Olta do të jetë lajm i keq për Serbinë dhe lajm shumë i mirë për Kosovën.
“Pozita e re e Olta Xhaçkës është pjesë e këtij rrugëtimi të gjerë të integrimit evropian për Ballkanin Evropian — për të gjithë, përveç Serbisë, në BE.
Jam i sigurt se Olta do të jetë e ashpër ndaj Serbisë dhe do të bëjë çmos që ta mbajë Serbinë përgjegjëse për krimet e saj ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve, si dhe për qëndrimin e saj të papërgjegjshëm, imoral dhe neutral gjatë luftës së agresionit rus.
Olta do të jetë lajm i keq për Serbinë — dhe lajm shumë i mirë për Kosovën”, përfundoi Gunther Fehlinger për “Bota sot”.
Duhanaj: Sigurisht që kemi një situatë më të avancuar edhe si shtet i Kosovës
Ndërsa, edhe analisti politik, Leon Duhanaj e vlerësoi si lajm pozitiv për Kosovën emërimin e Xhaçkës si nënkryetare të KiE-së.
“Zgjedhja e znj. Olta Xhaçka si zëvendëspresidente e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës është lajm sensacional dhe tepër pozitiv për Shqipërinë në veçanti, por edhe për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi”.
Duhanaj në bashkëbisedimin me “Bota sot” potencoi se Kosova ka një avancim në procesin e anëtarësimit në KiE me Xhaçkën në krye, por që edhe shteti ynë duhet t’i bëj detyrat e tij.
“Sigurisht që kemi një situatë më të avancuar edhe si shtet i Kosovës, e cila mund dhe do të japë kontributin e saj pozitiv në procesin e anëtarësimit të Kosovës në këtë Këshill të Evropës.
Megjithatë, edhe përkundër faktit që tashmë kemi një aset të madh në duar si komb, nuk do të mjaftojë nëse nuk i kryejmë detyrat e shtëpisë”, tha ai.
Në fund, analisti shtoi se, qeveria jonë duhet të koordinohet me shtetet anëtare për të kaluar procesin e votimit në KiE.
“Në fund të fundit, çdo proces kalon përmes votimit, dhe për të siguruar votat, Kosova, përkatësisht qeveria, duhet të ketë koordinim dhe bashkëpunim me shtetet anëtare për të kaluar procesin e votimit, pra anëtarësimit.
Pra, lajmi është tepër pozitiv, por për të realizuar qëllimet e anëtarësimit, kemi nevojë të sillemi si shtet i përgjegjshëm në radhë të parë ndaj shtetit tonë e pastaj edhe ndaj shteteve mike”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot”