Prishtina para një revolucioni të heshtur demokratik

Politika

Prishtina para një revolucioni të heshtur demokratik

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 7 tetor 2025 Në ora: 10:20
Foto ilustrim

Fushata zgjedhore ka hyrë në javën e fundit, duku shtuar kështu edhe angazhimet e partive politike me tubime, takime për të shpalosur planprogramet e tyre dhe duke tentuar që medoemos të fitojnë karrigen e kryetarit të komunës, apo një ulëse në kuvend komunal.

Për zgjedhjet komunale të 12 tetorit, janë të certifikuara 93 subjekte politike, prej të cilave 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5,626 kandidatë, prej të cilëve 206 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 5 mijë 420 për anëtarë të Kuvendeve Komunale.

Ndërsa në Prishtinë, gara po zhvillohet mes: Përparim Ramës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hajrullah Çekut nga Lëvizja Vetëvendosje, Uran Ismailit nga Partia Demokratike e Kosovës, Besa Shahini nga Partia Socialdemokrate. Kurse, kandidatët të tjerë janë: Agim Krasniqi nga iniciativë “Prishtina në dorën tënde” dhe Fatmir Selimi, kandidat i pavarur.

Balotazhi në Prishtinë i pashmangshëm

Politologu Albinot Maloku, thotë se kandidatët që adresojnë çështje konkrete dhe shqetësime të përditshme të qytetarëve mund të fitojnë më shumë mbështetje.

Sipas tij, qytetarët në Prishtinë i shohin zgjedhjet si një mundësi reale për ndryshim, në varësi të ofertave që paraqesin kandidatët.

“Gara për zgjedhjet e 12 tetorit në Komunën e Prishtinës pritet të jetë mjaft konkurruese, me një pjesëmarrje aktive të kandidatëve nga subjektet kryesore politike. Kandidatët që adresojnë çështje konkrete dhe shqetësime të përditshme të qytetarëve mund të fitojnë më shumë mbështetje, veçanërisht në një qytet ku kërkesat për qeverisje më efikase janë të larta. Prishtina ka një histori të alternimit të pushtetit, dhe kjo ka sjellë dinamizëm e reflektim në mënyrën si qeveriset qyteti. Kjo e bën të mundur që qytetarët të shohin zgjedhjet si një mundësi reale për ndryshim, në varësi të ofertave që paraqesin kandidatët. Megjithatë, rrugëtimi politik, përvoja dhe imazhi publik i secilit kandidat do të luajnë rol vendimtar në përcaktimin e fituesit”, thotë Maloku.

Image
Politologu Albinot Maloku

Ai konsideron se balotazhi pritet të zhvillohet mes Përparim Ramës dhe njërit nga rivalët e tij kryesorë, Uran Ismailit ose Hajrulla Çeku.

“Balotazhi duket pothuajse i pashmangshëm, duke pasur parasysh garën e ngushtë dhe mungesën e një favoriti të padiskutueshëm. Prishtina di të tregojë se nuk mjafton vetëm emri i partisë. Qytetarët kërkojnë performancë konkrete dhe ndryshim të prekshëm në jetën e përditshme. Në këtë kontekst, balotazhi më së shumti pritet të zhvillohet mes Përparim Ramës dhe njërit nga rivalët e saj kryesorë, Uran Ismailit ose Hajrulla Çekos në varësi të asaj se cili prej tyre arrin të bindë votuesit e zhgënjyer dhe ata që kërkojnë një drejtim të ri për kryeqytetin. Fryma për ndryshim është e dukshme, dhe zgjedhjet mund të jenë moment vendimtar për të kthyer fokusin te rezultatet, jo vetëm te premtimet. Në një garë si ajo për Prishtinën, strategjike dhe me peshë politike të veçantë, "koalicionet e heshtura" janë jo vetëm të pritshme, por ndonjëherë edhe vendimtare. Kjo ndodh sidomos kur një parti e tretë nuk arrin të hyjë në balotazh, por ka një bazë të konsiderueshme votash që mund të ndikojë rezultatin final. Pra, mund të pritet që balotazhi të mos jetë vetëm mes dy kandidatëve, por edhe një lojë më e gjerë politike ku partitë tentojnë të ndikojnë rezultatin përmes orientimit të elektoratit të vet”, shprehet politologu.

Prishtina me kryetarë ndër vite

Lidhja Demokratike e Kosovës ka qeverisur në Prishtinë që para pavarësisë së Kosovës.

Isa Mustafa nga kjo parti ka qenë kryetar i kryeqytetit nga viti 2007 deri në vitin 2013.

Ai u zgjodh për herë të parë në zgjedhjet lokale të vitit 2007 dhe u rizgjodh në vitin 2009. Mandati i tij përfundoi në fund të vitit 2013, kur Shpend Ahmeti e zëvendësoi pas balotazhit të atij viti.

Shpend Ahmeti ka qeverisur në Komunën e Prishtinës për dy mandate të plota: mandati i parë: nga dhjetori 2013 deri në dhjetor 2017 si dhe mandati i dytë: nga dhjetori 2017 deri në dhjetor 2021

Ai u zgjodh për herë të parë në zgjedhjet lokale të vitit 2013, duke mposhtur Isa Mustafën në balotazh. U rizgjodh në vitin 2017, përsëri pas një balotazhi të ngushtë.

Në zgjedhjet e vitit 2021, Shpend Ahmeti nuk kandidoi për mandatin e tretë, dhe në vend të tij u zgjodh Përparim Rama nga LDK. Ahmeti ka qenë kryetar i Prishtinës për 8 vjet rresht: 2013–2021.

Përparim Rama, ka fituar në kryeqytet pas një balotazhi me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia.

Ai ka qeverisur që nga 2021 deri tani, ku vazhdon të kërkojë edhe një mandat tjetër.

Nga vlerësimet e performancës: Komuna e Prishtinës është vlerësuar si më transparente ndër komunat e Kosovës për vitin 2021, sipas indeksit për transparencë të KDI-së.

Prej 206 premtimeve për 2021- 2025 deri më tani Rama ka realizuar ose pjesërisht realizuar 78 prej tyre; ka sektorë (infrastrukturë, shërbime publike) ku ka vonesa apo nuk ka progres të mjaftueshëm.

Projekte si transformimi i George Bush Street, përmirësimi i hapësirave për këmbësorë, përfshirja në hartimin e planeve mobiliteti, janë ndër nismat që kanë marrë vëmendje. Por shpesh hasen sfida me leje, heritage, koordinim me institucionet qendrore.

Revolucioni në Prishtinë

Analisti Sadri Ramabaja, thotë se qytetarët e Prishtinës mund të ndërmarrin një revolucion të heshtur.

“Më 12 tetor 2025, qytetarët e Prishtinës kanë një mundësi historike:

Përmes votës së lirë dhe demokratike, ata mund të ndërmarrin një revolucion të heshtur:

të largojnë nga vendimmarrja hallkat e krimit politik, dhe ta vendosin në krye të Komunës një qytetar me integritet dhe kapacitet të dëshmuar – në kuptimin e plotë të fjalës”, deklaron Ramabaja.

Image
Analisti Sadri Ramabaja

Sipas tij, përzgjedhja e Lëvizjes Vetëvendosje përputhet plotësisht me pritjet, nevojat dhe vullnetin e qytetarëve.

“Kandidatura që mishëron këtë ndryshim është Hajrullah Çeku.

Për herë të parë që nga çlirimi i vendit (12 qershor 1999), ndodh që:

përzgjedhja e organizatës politike (Lëvizja Vetëvendosje),

përputhet plotësisht me pritjet, nevojat dhe vullnetin e qytetarëve të Prishtinës. Pse Hajrullah Çeku? Ai përfaqëson një profil të jashtëzakonshëm profesional dhe qytetar [shihni biografinë më poshtë]. Ka përvojë të thellë në qeverisje, menaxhim dhe përfaqësim të interesit publik. Është i përkushtuar ndaj vlerave të transparencës, drejtësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, shton analisti.

Ai shton se Çeku do të fitojë pa balotazh.

“Pritshmëria është e qartë: Fitorja e Hajrullah Çekut që në raundin e parë, pa nevojë për balotazh – si një reflektim i besimit qytetar dhe vendosmërisë për ndryshim të mirëfilltë në qeverisjen lokale”, përfundon Ramabaja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat