Samiti i Berlinit në Londër: Mbretëria e Bashkuar konfirmoi rolin kyç në mbështetjen e Kosovës, analistët flasin për ndikim rajonal

Politika

Samiti i Berlinit në Londër: Mbretëria e Bashkuar konfirmoi rolin kyç në mbështetjen e Kosovës, analistët flasin për ndikim rajonal

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 25 tetor 2025 Në ora: 16:01
Samiti i Berlinit në Londër

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, mori pjesë në samitin e Procesit të Berlinit, i cili këtë herë u mbajt në Londër.

Kurti atje kishte marrë pjesë në pritjen mbretërore (“Royal Reception”) të organizuar nga Madhëria e Tij, Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III me rastin e Samitit të Procesit të Berlinit që zhvillohet në Londër. Pritja u organizua në pallatin “St James’s Palace”.

Në këtë pritje të veçantë, përveç Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, morën pjesë edhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Pas përfundimit të sesioneve të Samitit të 12-të të Procesit të Berlinit, i mbajtur në Londër, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim dypalësh me Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, Kurti shprehu vlerësim të lartë për udhëheqjen britanike dhe organizimin e suksesshëm të samitit. Ai theksoi rëndësinë e rolit të Mbretërisë së Bashkuar në fuqizimin e bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe paqes në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë takimit, të dy kryeministrat biseduan për temat që dominuan agjendën e samitit – sigurinë, rritjen ekonomike dhe migracionin – si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fusha me interes të përbashkët si:

energjia,

infrastruktura,

edukimi,

mbrojtja dhe siguria.

Ndihma nga Britania e Madhe dhe rëndësia e takimit

Analisti politik Gani Qarri, thotë se takimi i Kurtit me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, do të reflektojë edhe në dinamikat rajonale të Ballkanit sa i takon rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së.

Sipas tij, Britania e Madhe mund të ndihmojë shumë, përfshirë raportet Kosovë- Serbi.

Image
Gani Qarri

“Kryeministri Kurti veçoi fushën e mbrojtjes si prioritet, duke theksuar se Kosova po vazhdon të investojë në këtë drejtim. Ai falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për vendimin që Forcat e Armatosura britanike të vazhdojnë mbështetjen për misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) për të paktën tre vjet të tjerë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përveç pritjes nga mbreti Charles III në Londër, ku theksoi marrëdhëniet e ngushta mes Kosovës e Britanisë së Madhe, ai u takua edhe me Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, z.Keir Starmer të cilit i shprehi falënderimet më të ngrohta në emër të shtetit të Kosovës, ndërsa pak para fillimit të punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit, në Londër, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mirëprit në takim edhe nga Sekretarja e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, me ç`rast vlerësoi lartë rolin dhe kontributin e Mbretërsisë së Bashkuar, në çlirimin, shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, dhe shprehu mirënjohjen më të thellë Mbretërisë së Bashkuar, si shtet mik dhe partner shumë i rëndësishëm për Kosovën, duke theksuar se Partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar është kyç edhe për mbrojtjen efektive nga lufta hibride e Rusisë”.

“Veçanërisht takimi me kryeministrin Britanik ishte një takim shumë i frytshëm që sinjalizoi dhe dha një rikonfirmim edhe më të fuqishëm të mbështetjes britanike, si mike shumë e sinqertë, për integrimin euroatlantik të Kosovës, të cilit kryeministri në detyrë z. Albin Kurti iu falënderua se ata na kanë ndihmuar shumë, ndihmë që si vend dhe popull i vogël, nuk do ta harrojmë kurrë dhe në shenjë mirënjohje, është obligim i joni që tu ndihmojmë edhe ne juve aty ku keni nevojë dhe aq sa mundemi e arrijmë ne me mundësitë dhe kapacitetet tona. Ky takim do të reflektojë edhe në dinamikat rajonale të Ballkanit sa i takon rrugëtimit të Kosovës drejtë BE-së, ani pse Mbretëria e Bashkuar nuk është anëtare e BE-së, marrëdhëniet e ngushta të saj me vendet më të fuqishme të BE-së, si Gjermania e Franca, por edhe Italia, dëshmojnë se megjithatë, Britania e Madhe mund të ndihmojë shumë, përfshirë raportet Kosovë–Serbi, edhe pse ndikim vendimtar në këto raporte, që kur ka nisur agresioni ushtarak rus në Ukrainë, ka ndikuar shumë edhe në qasjen e Perëndimit ndaj dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, andaj siç edhe po shihet, aktualisht nuk fokusohet aq energji dhe as investohen përpjekje të mëdha të Perëndimit lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, qëndrim që mendohet se kryesisht do të varet edhe nga epilogu i zhvillimeve, gjegjësisht mënyra e përfundimit të luftës në Ukrainë”, deklaron Qarri.

Në anën tjetër, nga opozita nuk ka pasur ndonjë reagim rreth këtyre takimeve të Kurtit, theksojmë këtu se ata shpesh herë deklaronin për një kryeministër që i ka larguar ndërkombëtarë, ndërsa sipas Qarrit, opozita vendos interesat grupore e partiake mbi interesat e qytetarëve dhe për atë nuk priten deklarata më optimiste.

“Lidhur me opozitën, unë personalisht jam i bindur se një opozitë si kjo e jona, nuk do ta dëshironte askush në vend të vetin, kritikat e tyre, shpesh më duken si kopje të përkthyera nga serbishtja, për të mos thënë edhe të servuara direkt nga ashtuquajtura “listë serbe” me obligim për ti lexuar opozita jonë, para opinionit shqiptar në Kosovë, kundër të cilës asnjë parti opozitare nuk guxon të ekspozohet publikisht, një opozitë që po me këtë dorë të zgjatur të Serbisë në Kosovë, ka ndërtuar qeveritë dhe premtuar me dokumente zyrtare formimin brenda tre muajsh të “zajednicës” një etnike serbe, por që sot, kur Kosova ka më së shumti nevojë për Qeveri legjitime dhe institucione shtetërore, refuzon bashkëpunimin me partinë më të madhe shqiptare, prandaj nga një opozitë që vendos interesat grupore e partiake mbi interesat e qytetarëve dhe ato të shtetit të Kosovës, sipas mendimit tim, nuk mund të priten deklarata më optimiste as të ndryshme nga ato zyrtare të Aleksandër Vuçiqit, veçanërisht për Kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës”, shprehet analisti.

Ai shton se Kurti ka arritur ta shtrijë sovranitetin e plotë shtetëror të Republikës së Kosovës edhe në veri të vendit dhe ai ka arritur që për herë të parë ta vendos Kosovën si shtet në vendin e parë për rend e ligj në Evropë dhe të tretin në botë.

“Ndërsa sa i takon kryeministrit në detyrë z. Albin Kurti, fal rendit e ligjit dhe luftimit të vendosur të korrupsionit e krimit të organizuar, duke arritur që për herë të parë pas lufte ta shtrijë sovranitetin e plotë shtetëror të Republikës së Kosovës edhe në veri të vendit, si dhe për herë të parë në histori, ta vendos Kosovën si shtet në vendin e parë- për rend e ligj në Evropë dhe të tretin në Botë, takimet e tij me ndërkombëtarët jo vetëm se kanë vazhduar pa ndërprerë dhe është pritur kudo nga Evropa në Amerikë me nderimet më të larta nga ndërkombëtarët, por një udhëheqës i tillë, i cili nuk e vjedh vendin e vet, nuk e keqpërdor pozitën zyrtare dhe në vijimësi kërkon nga organet e rendit dhe të drejtësisë që të luftohet çfarëdo lloj keqpërdorimi, e korrupsioni dhe çdo formë e krimit të organizuar, nuk ka se si të mos pritet e takohet me respekt nga udhëheqësit më të lartë të të gjitha vendeve të demokracisë së avancuar europerëndimore, pa u lëshuar këtu, në kritikat artificiale të opozitës, të cilës duket se i ka humbur rruga në oborr dhe nuk di se si ti mbulojë dobësitë e veta, derisa takimet në Mbretërinë e Bashkuar e forcojnë edhe më tepër imazhin e kryeministrit Albin Kurtit si lider i vërtet dhe me ndikim të respektueshëm ndërkombëtar”, përfundon Qarri.

Punimet e Samitit të 12-të të Procesit të Berlinit janë mbyllur të martën në Londër, ndërsa pas përfundimit të punimeve, Kurti publikoi fjalimin e tij të mbajtur gjatë samitit, ku theksoi se përparimet e arritura në Kosovë mbeten nën “hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm” nga Serbia, duke kërkuar që Beogradit të mos i lejohet të veprojë “me pandëshkueshmëri”.

Ai rikujtoi se sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, i ndodhur në shtator të vitit 2023, nuk duhet të injorohet. Kurti kujtoi se për këtë sulm përgjegjësinë e ka marrë Milan Radoiçiq – ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – por, sipas tij, Radoiçiq ende nuk po përballet me drejtësi.

“Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara”, shkroi Kurti, sipas fjalimit të publikuar në Facebook.

Kosova ka kërkuar vazhdimisht që Serbia ta ekstradojë Radoiçiqin, ndërkohë që në vend po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tre prej dhjetëra të akuzuarve për rastin Banjskë, ku një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra nga një grup serbësh të armatosur. Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar që përgjegjësit për ngjarjen të përballen me drejtësi.

Gjatë fjalimit në samit, Kurti bëri thirrje për forcimin e unitetit evropian përballë presioneve të jashtme dhe “dyshimeve të brendshme”. Ai theksoi se ky unitet duhet të përfshijë edhe Ballkanin Perëndimor, i cili ndodhet gjeografikisht brenda kufijve të BE-së dhe NATO-s, por mbetet jashtë strukturave të tyre.

“Një unitet i tillë duhet të shtrihet edhe në juglindje të kontinentit tonë. Ballkani Perëndimor gjendet gjeografikisht brenda kufijve të BE-së dhe NATO-s, por të gjitha vendet mbeten jashtë BE-së dhe gjysma jashtë traktateve të NATO-s. Kjo nuk është as e mençur dhe as solide. Për ta frenuar ndikimin rus apo kinez në Evropë, nuk duhet të lëmë asnjë vakum,” ka thënë Kurti.

Sipas tij, në një kohë kur lufta midis Rusisë dhe Ukrainës po vazhdon, Londra “mund të ndihmojë shumë duke mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor që duan t’i bashkohen NATO-s, duke mbyllur kështu këtë boshllëk të rrezikshëm të sigurisë”.

Mbretëria e Bashkuar mbështetë Kosovën

Image
Ramadan Gjanaj

Politologu Ramadan Gjanaj, thotë se fakti që Mbretëria e Bashkuar mban të hapur kanalin e komunikimit me Kosovën edhe gjatë kësaj periudhe, përbën një shenjë të qartë të qëndrueshmërisë së mbështetjes së saj për integrimin euroatlantik të Kosovës.

“Takimi ndërmjet kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe kryeministrit britanik Keir Starmer në Londër pasqyron një vazhdimësi të interesit britanik për stabilitetin e Kosovës. Mbretëria e Bashkuar ka qenë tradicionalisht një mbështetëse e fortë e pavarësisë dhe e aspiratave euroatlantike të Kosovës. Megjithatë, në këtë fazë – kur qeveria është në detyrë prej gati nëntë muajsh – pritshmëritë për përparime konkrete mbeten të kufizuara. Në këtë kontekst, takimi shihet si një gjest diplomatik që synon mirëmbajtjen e marrëdhënieve dypalëshe, më tepër sesa ndonjë hap i ri strategjik. Megjithatë, fakti që Mbretëria e Bashkuar mban të hapur kanalin e komunikimit me Prishtinën, edhe gjatë periudhës së tranzicionit politik, përbën një shenjë të qartë të qëndrueshmërisë së mbështetjes së saj për integrimin euroatlantik të Kosovës”, deklaron Gjanaj.

Ai thotë se qeveria në detyrë ka kapacitete të kufizuara për të ndërmarrë nisma të reja diplomatike apo për të ndikuar në procesin e dialogut, por takimi me kryeministrin britanik shërben garanci e vazhdimësisë së përkrahjes ndërkombëtare.

“Në kontekstin aktual, ndikimi i takimit në dinamikat rajonale do të jetë më shumë simbolik sesa substancial. Qeveria në detyrë ka kapacitete të kufizuara për të ndërmarrë nisma të reja diplomatike apo për të ndikuar drejtpërdrejt në procesin e dialogut me Serbinë. Megjithatë, vetë fakti që Britania e Madhe ruan kontaktet në nivel të lartë tregon se Perëndimi nuk dëshiron të lejojë vakum diplomatik në Prishtinë – sidomos në një periudhë kur tensionet në rajon mbeten të ndjeshme dhe kur Serbia po kërkon të shfrytëzojë çdo pasiguri politike brenda Kosovës. Në këtë mënyrë, takimi shërben si garanci e vazhdimësisë së përkrahjes ndërkombëtare, por jo domosdoshmërisht si faktor që mund të ndryshojë ekuilibrat në dialogun Kosovë–Serbi”, shprehet politologu.

Ai shton se takimi ndihmon në ruajtjen e perceptimit të një vazhdimësie në politikën e jashtme të Kosovës.

“Nga opozita Kurti shpesh u kritikua si person kundër ndërkombëtarëve. A ndihmon ky takim në forcimin e imazhit të Albin Kurtit si lider me ndikim ndërkombëtar? Në rrethana normale, një takim bilateral në këtë nivel do të interpretohej si konfirmim i rritjes së profilit ndërkombëtar të liderit. Por meqë z. Kurti është në detyrë tash nëntë muaj, efekti politik dhe simbolik është më i kufizuar. Ky takim, megjithatë, ndihmon në ruajtjen e perceptimit të një vazhdimësie në politikën e jashtme të Kosovës, duke treguar se pavarësisht ngërçit politik të brendshëm, institucionet e vendit ende kanë qasje dhe vëmendje nga partnerët ndërkombëtarë. Në plan të imazhit personal, z. Kurti mund ta përdorë këtë si dëshmi se ende gëzon besueshmëri ndërkombëtare — por ndikimi real në forcimin e pozitës së tij do të varet nga zhvillimet e brendshme politike dhe nga momenti kur vendi të ketë një qeveri të re me mandat të plotë”, përfundon Gjanaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat