Pas marrëveshjes paszgjedhore që kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, arriti me Lëvizjen Vetëvendojse, brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) janë shtuar pakënaqësitë dhe tensionet e brendshme. Kjo situatë ka sjellë një përplasje të hapur në distancë mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe Tahirit, e cila është pasqyruar edhe publikisht në deklarata të ndërsjella.
Në një reagim të tij, Lumir Abdixhiku e quajti Tahirin “qyqan”, duke kritikuar mënyrën se si ky i fundit ka vepruar në lidhje me marrëveshjen politike në Vushtrri. Ky reagim u pa si shenjë e pakënaqësisë së qendrës së partisë ndaj degës lokale, e cila sipas udhëheqjes qendrore, ka vepruar pa koordinim me strukturat e LDK-së në Prishtinë.
Ndërkaq, Xhafer Tahiri nuk e la pa përgjigje deklaratën e kreut të LDK-së. Ai iu kundërpërgjigj Abdixhikut me një mesazh të shkurtër, por me domethënie të fortë: “Lideri i mirë nuk e kall shtëpinë e tij!” – duke lënë të kuptohet se përçarjet e brendshme nuk duhet të zgjidhen me fyerje dhe akuza publike, por me bashkëpunim dhe mirëkuptim.
Kjo përplasje e pazakontë në publik po shihet nga analistët si shenjë e thellimit të krizës së brendshme në LDK. Disa prej tyre e cilësojnë ndërhyrjen e qendrës në çështjet lokale si gabim strategjik, ndërsa të tjerë e shohin si simptomë të mungesës së demokracisë së brendshme në parti.
Mehmeti: Është një gabim i rëndë i qendrës së LDK
Analisti politik, Gani Mehmeti thotë se pakënaqësitë brenda LDK-së janë të vjetra, por tani po dalin hapur. Ai kritikon qendrën e partisë për ndërhyrje në koalicionet lokale, duke e quajtur “gabim të rëndë”, sepse në nivel komunal njerëzit njihen mes vete dhe bashkëpunojnë më lehtë.
Mehmeti paralajmëron se ndërhyrje të tilla mund të thellojnë përplasjet mes qendrës dhe degëve lokale, siç po shihet edhe në rastin e konfliktit mes Lumir Abdixhikut dhe Xhafer Tahirit.
“Pakënaqësitë në LDK janë të kahershme. Ato po dalin e do dalin në shesh gradualiasht. Mirëpo, kësaj radhe mospajtimet brenda LDK dolën në shesh.
Nuk e kuptoj ndërhyrjen e qendrës së LDK në lidhjen e koalicioneve të LDk nëpër komuna. Jo, sepse, qendra është diçka tjetër, ku përfaqësimi bëhet nga gjithë Kosova si shtet, që është më i hapur territorialisht.
Në koalicione lokale njerëzit njihen njëri me tjetrin, janë më të fort, janë edhe shokë, janë bashkëpunëtorë në punë, janë miq mesvetit - dhe kjo është e mirë që të vazhdojnë me mirëkuiptime kundër një të treti, që ka qenë kundër të dyja partive deri dje e do të jetë edhe sot, po iu dha mundësia
Është një gabim i rëndë i qendrës së LDK, ky. Dhe, nëse vazhdon kështu, mospajtimet, pakënaqësitë dhe përplasjet mes qendrës dhe komunave do të rriten edhe më shumë.
Shih për këtë, kanë vazhduar përplasjet mes Abdixhikut, kryetarit të LDK-së dhe Xhafer Tahirit të Vushtrrisë. Nëse vazhdohet kështu, do bëhet edhe më keq për LDK-në”, thotë ai.
Mehmeti e quan Lumir Abdixhikun “qyqar politik”, duke thënë se ai gaboi që ndërhyri në punët e degëve lokale të LDK-së.
Sipas tij, Abdixhiku duhej t’ua linte komunave të vendosin vetë për koalicionet. Mehmeti vlerëson reagimin e Xhafer Tahirit si të drejtë dhe shton se përplasja mes tyre është e panevojshme, duke treguar për probleme të brendshme në parti.
Ai thekson se Abdixhiku nuk i ngjan aspak stilit të Ibrahim Rugovës dhe se sjelljet e tij dëmtojnë imazhin e LDK-së.
“Vërtet, nëse do bëhet fjalë për qyqarllëk, këtu do na dilte qyqar Abdixhiku. Ai do të shpëtonte më mirë sikur të mos shprehte moskënaqësinë e tij dhe t’ua linte në dorë kryetarëve nëpër degë (komuna) që t’i rregullojnë vëtë punët e tyre. Prandaj, me vend ia ka kthyer Xhafer Tahiri kryetar i komunës së Vushtrrisë, se vërtet lideri i mirë di të udhëheqë mirë, ai di të nxirret edhe në situata të pakëndshme.
Përplasja mes Abdixhikut dhe Xhafer Tahirit është krejtësisht e tepërt dhe e panevojshme. Ndodh shpesh të mos i pëlqejë sjellja e njërit ndaj tjerëve, por ato duhet të tejkalohen pa zhurmë, e kjo doemos kur gjërat kanë ndodhur.
Po, gjithsesi, kjo tregon edhe për probleme të brendshme mes LDK.
Abdixhiku nuk mund të jetë asnjëherë lider, aq më pak lider i partisë së të Madhit, Dr. Ibrahim Rugova, i cili kurrë në asnjë mënyrë nuk është marrë me njerëzit e partitë që ishin kundër tij dhe kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Abdixhikun e mbajmë mend si reagues në raste të ndryshme kundër të tjerëve, si në kuvend, ashtu edhe jashtë tij. Ai ka reaguar keq edhe pas zgjedhjes së tij kryetar i LDK.
Të jesh rugovist, duhet ë luftosh për çështjen kombëtare shqiptare dhe për shtetin e Kosovës, jo me partitë tjera.
Përplasja mes tyre është një mesazh i keq për LDK-në”, përfundon ai për “Bota sot”.
Gashi: Përplasja Abdixhiku – Tahiri: simptomë e mungesës së demokracisë së brendshme në LDK
Analisti Eduard Gashi, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se përplasja mes Abdixhikut dhe Tahirit tregon mungesë pjekurie demokratike në LDK dhe në politikën kosovare.
Sipas tij, përdorimi i fyerjeve si “qyqan” pasqyron krizën e brendshme të partisë dhe mentalitetin autoritar që ende dominon në vend, duke e dëmtuar imazhin e LDK-së si forcë e moderuar dhe qytetare.
“Kur liderët e partive i flasin njëri-tjetrit me fyerje, shoqëria kupton se demokracia ende nuk ka rrënjë të thella.
Përplasja publike mes Lumir Abdixhikut dhe Xhafer Tahirit, pas marrëveshjes paszgjedhore në Vushtrri, nuk është një episod i zakonshëm brendapartiak.
Fjalët e ashpra – veçanërisht përdorimi i termit “qyqan” nga kryetari i partisë – janë tregues i një kulture politike që ende nuk ka arritur pjekurinë institucionale që kërkon demokracia moderne.
Në vend të debatit racional dhe bashkërendimit të qëndrimeve, LDK po shfaq shenja të tensioneve personale dhe mungesës së respektit për strukturën e vet organizative.
Demokracia e brendshme në Kosovë ende nuk është e konsoliduar
Në Kosovë, partitë politike në masë të madhe funksionojnë mbi logjikën e sistemit princëror – ku individët me pushtet shihen si autoritete absolute dhe jo si pjesë të një strukture kolektive.
Kjo kulturë e trashëguar nga modelet e vjetra politike ka krijuar liderë që shpesh e shohin partinë si pronë personale, e jo si organizatë demokratike
LDK – dikur sinonim i maturisë dhe qytetarisë politike – sot po përballet me krizë komunikimi dhe përçarje që e dëmtojnë imazhin e saj si forcë serioze e qendrës politike”, thotë ai.
Më tej, Gashi thekson se në demokracitë perëndimore, si në Gjermani, degët lokale të partive gëzojnë autonomi dhe mund të bëjnë koalicione sipas kushteve të tyre, pa ndërhyrje nga qendra.
Ai thotë se edhe në LDK duhet të respektohet kjo ndarje kompetencash – qendra jep drejtim strategjik, por nuk duhet të diktojë vendimet lokale, përndryshe lindin konflikte si ai mes Abdixhikut dhe degëve komunale.
"Shembuj nga demokracitë perëndimore: autonomia e politikës lokale
Në Gjermani, partitë federale si SPD, CDU apo AfD shpesh kanë dallime të qarta midis qëndrimeve të tyre në nivel federal, landesh dhe komunal.
Kjo është pjesë e një demokracie funksionale, ku niveli lokal gëzon të drejtën e autonomisë politike.
Për shembull, SPD në disa lande gjermane (si në Berlin apo Turingi) ka formuar koalicione të majta Rot-Rot-Grün me Die Linke dhe të Gjelbrit.
Ndërkohë, SPD në nivel federal ka vendosur që të mos ndjekë këtë model, duke ruajtur një linjë më qendrore dhe më të moderuar politike.
Kjo tregon se ekziston një ndarje e qartë kompetencash: çdo nivel politik ka të drejtën të veprojë në përputhje me realitetin e tij lokal dhe elektoral, pa u ndikuar drejtpërdrejt nga qëndrmet e udhëheqjes qendrore.
Në disa komuna ndodhin edhe marrëveshje pragmatike që nuk përkojnë me orientimin qendror të partisë, por qendra nuk ndërhyn drejtpërdrejt.
Parimi është i qartë:
Kryesia qendrore nuk duhet të përzihet në politikën lokale, për sa kohë ajo zhvillohet brenda kornizës së statutit dhe të ligjit.
Ndarja e kompetencave dhe respekti institucional
Ashtu si në sistemet parlamentare, ku kryetari i partisë nuk flet në vend të kryetarit të grupit parlamentar, edhe brenda një partie si LDK duhet të respektohet ndarja e roleve.
Kryesia qendrore jep drejtimin strategjik, por nuk duhet të diktojë vendimet e degëve lokale.
Përndryshe, konflikti mes qendrës dhe bazës bëhet i pashmangshëm – dhe pikërisht kjo po ndodh sot”, deklaron ai.
Në fund, ai potencon se përplasja Abdixhiku–Tahiri tregon krizë lidershipi dhe mungesë komunikimi në LDK. Sipas tij, një lider duhet të bashkojë, jo të përçajë, ndërsa përdorimi i fyerjeve si “qyqan” dëmton autoritetin moral të partisë.
Ai paralajmëron se LDK po humbet identitetin e saj si forcë e matur dhe serioze, duke rrëshqitur drejt gjuhës populiste. Zgjidhja, sipas Gashit, është rikthimi te parimet rugoviste: debat, dialog dhe respekt institucional.
"Kriza e lidershipit dhe komunikimit politik
Deklarata e Tahirit – “Lideri i mirë nuk e kall shtëpinë e tij” – përmbledh thelbin e problemit.
Një lider i vërtetë është ai që bashkon dhe qetëson, jo ai që përçarë dhe nxit tension.
Përdorimi i termit “qyqan” nga kryetari Abdixhiku nuk është vetëm gafë verbale, por simptomë e një mendësie politike autoritare dhe emocionale, e cila e zbeh autoritetin moral të udhëheqjes.
Në një parti demokratike, kundërshtimet zgjidhen me diskutim dhe mekanizma institucionalë, jo me etiketime publike.
Mesazhi për opinionin publik
Kjo përplasje publike i dërgon qytetarëve një mesazh të qartë: LDK po përballet me krizë të brendshme dhe mungesë uniteti.
Në vend që të paraqitet si alternativë serioze ndaj populizmit të Albin Kurtit, ajo po rrëshqet drejt të njëjtës gjuhë emocionale që vetë e ka kritikuar.
Kjo jo vetëm dëmton reputacionin e saj si parti e qendrës, por edhe e bën më të vështirë rindërtimin e besimit te votuesit tradicionalë.
Përfundim: rruga drejt reformës së vërtetë
Përplasja Abdixhiku–Tahiri nuk është konflikt mes dy individëve, por shenjë e sëmundjes strukturore të partive kosovare: mungesës së demokracisë së brendshme, kulturës institucionale dhe respektit për ndarjen e kompetencave.
Nëse LDK dëshiron të mbetet një parti serioze e qendrës, ajo duhet të rikthehet te parimet që e kanë ndërtuar: maturia, debati, dialogu dhe bashkërendimi institucional.
Vetëm atëherë mund të flitet për një lidership modern që nuk e “kall shtëpinë e vet”, por e rindërton mbi themelet e respektit dhe përgjegjësisë politike”, përfundon ai për “Bota sot”.