Paralajmëron eksperti: Ky është rreziku nëse Kosova shkon në zgjedhje të reja

Politika

Paralajmëron eksperti: Ky është rreziku nëse Kosova shkon në zgjedhje të reja

Nga: P.R. Më: 28 tetor 2025 Në ora: 15:56
Foto ilustrim

Mosvotimi i Qeverisë Kurti 3 ka hapur një kapitull të ri të tensioneve politike në Kosovë, duke nxjerrë në pah mungesën e stabilitetit institucional dhe etjen e partive për pushtet. 

Në një prononcim për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, si dhe ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Dr. Mirsad Voca, e ka cilësuar këtë situatë si një fazë të re të krizës politike, e cila po e vë në provë demokracinë e vendit.

“Mosvotimi i Qeverisë tregon një fazë të re të krizës politike në Kosovë që ka të bëjë me një krizë që nuk buron nga përplasja e ideve, por nga etja për pushtet dhe mungesa e kulturës institucionale,” ka deklaruar Voca për “Bota sot”.

Image
Mirsad Voca

Sipas tij, në vend të ndërtimit të stabilitetit, vendi po përballet me logjikën e përçarjes dhe bllokimit politik.

“Është shqetësuese të shihet se në vend të ndërtimit të stabilitetit, po përballemi me një logjikë të përçarjes dhe të bllokimit politik, ku interesi i ngushtë partiak mbizotëron mbi përgjegjësinë shtetërore,” ka theksuar ai.

Voca e ka quajtur të papranueshme mundësinë që Kosova të shkojë në tri palë zgjedhje brenda një viti.

“Është e papranueshme që Kosova të rrezikojë të shkojë në tre palë zgjedhje brenda një viti. Kjo nuk është shenjë e forcimit të demokracisë, por dëshmi e brishtësisë së saj. Humbjet nuk do të ishin vetëm financiare, por do të prekeshin themelet e besimit qytetar dhe të kredibilitetit ndërkombëtar që është ndërtuar me vështirësi gjatë këtyre viteve,” ka paralajmëruar Voca.

Duke folur për pasojat politike të mosvotimit, Voca ka theksuar se vendi po hyn në një rreth vicioz përçarjesh dhe bllokadash.

“Në vend që të mësojmë nga përvojat e dhimbshme të së kaluarës, po kthehemi në një rreth vicioz përçarjesh dhe bllokadash. Kjo periudhë është një provë e vërtetë për demokracinë kosovare lidhur më atë se a do të fitojë logjika e institucioneve apo ajo e pazareve të fshehta,” ka shtuar ai.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare ka theksuar se zhvillimet e fundit mund të sjellin ose një riformatim politik, ose zgjedhje të reja – por rreziku më i madh, sipas tij, është që përmbajtja e skenës politike të mos ndryshojë.

“Zhvillimet e fundit mund të çojnë në një riformatim politik ose në zgjedhje të reja, por rreziku më i madh është që skena politike të mos ndryshojë realisht në përmbajtje. Nëse partitë opozitare, por edhe shoqëria civile, nuk reformohen në qasje e mendësi, do të vazhdojmë të përsërisim të njëjtin cikël politik, pra me një rotacion pushteti pa evolucion shoqëror,” ka deklaruar Voca.

Në fund, ai ka dërguar një mesazh të qartë për klasën politike, duke nënvizuar se shteti nuk është pronë që fitohet, por përgjegjësi që mbahet.

“Në këtë kontekst, është thelbësore që klasa politike ta kuptojë një ditë se shteti nuk është një pronë që fitohet, por një përgjegjësi që mbahet. Vetëm përmes këtij kuptimi mund të ndërtohet një Kosovë serioze dhe e respektuar në arenën ndërkombëtare,” ka theksuar Voca.

“Kur duhet ta kuptojmë se nuk është më kohë për protagonizma personale apo për fitore afatshkurtra? Kur duhet të mësojmë se është koha për maturi politike dhe përgjegjësi kombëtare? Fatkeqësisht, askush nuk po e di kur, por një gjë e dijmë të gjithë se kush luan me funksionimin e institucioneve, luan me vetë themelet e shtetit. Dhe historia nuk i fal ata që për pushtet sakrifikojnë stabilitetin dhe dinjitetin e vendit,” ka përfunduar Voca për “Bota sot”.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat