Njohja e Kosovës, Ramadani: Sot Siria tregon mbështetje për bllokun demokratik

Politika

Njohja e Kosovës, Ramadani: Sot Siria tregon mbështetje për bllokun demokratik

Nga: A.M. Më: 29 tetor 2025 Në ora: 22:04
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit në Riad me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, dhe përfaqësuesin e Sirisë, Presidentin Al Sharaa, pas marrëveshjes historike për njohjen e Republikës së Kosovës nga Siria.

Republika Arabe e Sirisë ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës. Lajmin e bëri të ditur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke e cilësuar këtë si një akt historik që pasqyron sakrificën dhe qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës për liri dhe sovranitet.

Ajo falënderoi gjithashtu Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman, për mbështetjen në arritjen e kësaj marrëveshjeje dhe Presidentin sirian Al Sharaa për vendimin e njohjes.

“Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot në Riad arritëm marrëveshjen përmes së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Lidhur me këtë çështje, opnionisti Albert Ramadani, në një prononcim për “Bota sot” ka deklaruar se çdo njohje ndërkombëtare për Kosovën ka rëndësi, pasi rrit numrin e shteteve demokratike dhe aleate që e mbështesin vendin.

Sipas tij, njohjet e reja, sidomos me ndërmjetësimin e SHBA-së dhe Emirateve të Bashkuara, forcojnë këtë rrjet demokratik.

Image
Opnionisti Albert Ramadani                                               

“Çdo njohje ka vlerë, duke ditur se Kosovës i duhen njohjet dhe duke u rritur njohjet për Kosovën.

Sa vende që ishin skeptike ndaj pavarësisë së Kosovës, çdo njohje për Kosovën shton numrin e shteteve si bllok demokratik dhe si aleancë demokratike.

Tani, kur kemi edhe një njohje me ndërmjetësim të SHBA-së dhe Emirateve të Arabisë si shtete aleate me SHBA-në, këtu radhiten dhe grumbullohen shtetet me demokraci dhe me të drejta të njeriut.

Duke pasur parasysh që Siria ka kaluar, siç dihet, për dekada nën një regjim ku pas rënies së tij populli sirian pa se sa i errët ishte regjimi, duke vrarë, persekutuar dhe burgosur çdo banor që kishte menduar ndryshe nga politikat e regjimit”, ka shpjeguar ai.

Gjithashtu, Ramadani ka theksuar se njohja e Kosovës nga Siria pasqyron ndryshimin gjeopolitik të vendit dhe e vendos atë në krah të aleatëve demokratikë si SHBA dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Tani Kosova ka pranuar një njohje nga një vend, edhe pse ende i rënduar me një udhëheqje të përkohshme që udhëhiqet nga një kushtetutë e përkohshme, dhe dihet se edhe flamuri i ish-Sirisë në kohën e regjimit nuk valon më.

Por për Kosovën, shumë vlen njohja e 120-të nga Siria, dhe kjo tregon edhe radhitjen e shteteve si strategji gjeopolitike. Pas rënies së regjimit, Rusia nuk ka më ndikim, dhe me rënien e ndikimit rus ka ndryshuar edhe qasja e Sirisë ndaj fqinjëve dhe shteteve demokratike.

Sot mund të themi se Siria gjendet në krahun e aleatëve demokratikë, së bashku me SHBA dhe Emiratet e Bashkuara Arabe”, ka deklaruar Ramadani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat