Kanalet propagandistike që operojnë në platforma si Telegram, duke përdorur simbole dhe retorikë ruse, përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës.
Kështu ka paralajmëruar eksperti i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, ku ka shtuar se këto kanale nuk janë thjesht faqe propagandistike, por pjesë e mekanizmave të luftës hibride.
“Fenomeni i kanaleve propagandistike në platforma si Telegram, që operojnë nën emra si “Zëri i Rusisë në Serbi” apo përdorin simbole dhe retorikë ruse, përbën një rrezik real e seripz për sigurinë informative dhe stabilitetin e Kosovës.
Këto kanale nuk janë thjesht faqe propagandistike, por shpesh pjesë e mekanizmave të luftës hibride që Rusia dhe strukturat e saj partnere në rajon përdorin për të ndikuar në opinionin publik, sigurisht për të krijuar ndasi etnike dhe për të shtyrë narrativën se Kosova është “territor i përkohshëm” ose “i okupuar”.
Kryesisht në përmbajtjet e tyre, vërehet delegjitimimi i institucioneve të Republikës së Kosovës, nxitja e mosbesimit ndaj partnerëve perëndimorë dhe madje thirrje të hapura për ndërhyrje ushtarake apo për mobilizim të strukturave paralele serbe. Kjo përbën jo vetëm propagandë, por nxitje të urrejtjes dhe destabilizimit të rendit kushtetues”, ka thënë ai.
Tutje, Elezi ka paralajmëruar rreziqet nga fushatat propagandistike.
“Në aspektin e sigurisë kombëtare, një fushatë e tillë është jashtëzakonisht e rrezikshme, sepse:
1. Ushqen tensionet ndëretnike dhe synon të krijojë frikë e pasiguri te qytetarët e Kosovës.
2. Ndikon në perceptimin publik duke synuar ta paraqesë Kosovën si shtet të dështuar.
3. Forcon ndikimin rus dhe serb në hapësirën informative, në një kohë kur Kosova përpiqet të konsolidojë imazhin e saj ndërkombëtar”, ka deklaruar ai.
Në fund, Elezi ka theksuar se autoritetet e sigurisë duhet të forcojnë njësitë për siguri kibernetike, të bashkëpunojnë me platformat ndërkombëtare dhe të monitorojnë kanalet propagandistike.
“Autoritetet e sigurisë në Kosovë duhet të trajnojnë dhe pajisin njësitë për siguri kibernetike dhe kundër-dezinformim, të bashkëpunojnë me platformat ndërkombëtare dhe agjencitë perëndimore, si dhe të monitorojnë në mënyrë të koordinuar këto kanale që veprojnë përmes rrjeteve sociale.
Në fund, është thelbësore që qytetarët të jenë të vetëdijshëm se shumë prej këtyre përmbajtjeve janë të fabrikuara për qëllime politike dhe se lufta informative është një instrument modern po aq i rrezikshëm sa edhe ai ushtarak”, ka përfunduar Elezi.