Ekspertët komentojnë hyrjen e xhandarmërisë serbe në Kosovë, ja dy mesazhet

Politika

Ekspertët komentojnë hyrjen e xhandarmërisë serbe në Kosovë, ja dy mesazhet

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 6 nëntor 2025 Në ora: 12:13
Foto ilustrim

Rasti i fundit në veri të Kosovës, ku Policia e Kosovës raportoi se xhandarmëria serbe është futur brenda territorit të Republikës së Kosovës, ka plagosur dhe rrëmbyer një qytetar serb të Kosovës, ka ngritur shqetësime serioze për gjendjen e sigurisë dhe kontrollin e kufijve të vendit. 

Sipas autoriteteve, incidenti përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Serbisë dhe një shkelje të sovranitetit të Kosovës, ndërsa ekspertët e sigurisë e konsiderojnë këtë një prej akteve më të rënda të agresionit në vitet e fundit.

Elezi: Ky është një ndër veprimet më të rënda të sigurisë

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, ka deklaruar se ky veprim është një nga në të rëndat në vitet e fundit. 

“Raportimi i Policisë së Kosovës në lidhje me agresionin e Serbisë, ku theksohet se xhandarmeria serbe është futur brenda territorit të Republikës së Kosovës duke plagosur një qytetar të Republikës së Kosovës nga komuniteti serb dhe duke e rrëmbyer ata, është njëri ndër veprimet më të rënda të sigurisë kohëve të fundit.”

Sipas tij, rasti përbën agresion të drejtpërdrejtë dhe tregon se objektiv i autoriteteve serbe janë qytetarët që nuk i binden urdhrave të Beogradit.

“Ngase ka në mënyrë të drejtpërdrejtë agresion, dhe se shënjestër janë të gjithë qytetarët të cilët nuk i binden urdhrave të autoriteteve të Serbisë, posaçërisht njësive të veçanta siç janë ato të inteligjencës. Referuar këtij fakti i cili është konfirmuar nga Policia e Kosovës, atëherë mund të themi se Kosova ka dështuar të ofrojë siguri për qytetarët e Kosovës të komunitetit serb, të cilët jetojnë në komunat me shumicë serbe në Kosovë", thotë Elezi.

Image
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi

Ai ka theksuar se Kosova nuk është në nivelin e duhur sa i përket strukturimit dhe ruajtjes së sovranitetit të saj, duke paralajmëruar rrezik të vazhdueshëm nga ndërhyrjet e Serbisë.

“Ky fakt tregon qartazi se Kosova nuk është në nivelin e duhur sa i përket strukturimit, organizimit dhe ruajtjes së sovranitetit dhe kufijve të saj, dhe se ekziston mundësia që Serbia të cenojë sigurinë e Republikës së Kosovës, duke depërtuar edhe brenda saj, duke arrestuar, plagosur, vrarë, apo çështje tjera që lidhen me qytetarët e Republikës së Kosovës", shprehet Elezi. 

Elezi ka kujtuar se Kosova ka dështuar të bindë qytetarët serbë që janë lojalë ndaj institucioneve të saj se mund të kenë garanci sigurie.

“Ne e kemi thënë në vazhdimësi se Kosova ka dështuar për t’i bindur apo garantuar serbët që në rast se ata janë lojal ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës dhe janë të gatshëm me u integru krahas ligjeve normative që Kosova ka, dhe në fakt ky rast e dëshmon saktësisht shqetësimin tonë nëse Policia e Kosovës apo institucionet e sigurisë së Kosovës mund t’iu ofrojnë qytetarëve të Republikës së Kosovës të komunitetit serb siguri brenda territorit të Kosovës të cilët e konsiderojnë reale, faktike, dhe normale – dmth sovranitetin e Republikës së Kosovës.”

Sipas tij, qëllimi i këtij veprimi është i dyfishtë.

“Ky arrestim apo plagosje mund të themi është bërë për dy qëllime: E para, për t’i treguar Kosovës se Serbia mund të kalojë brenda territorit të Republikës së Kosovës dhe se e konsideron vijë kufitare, dhe jo kufi, apo vijë administrative siç e ka quajtur KFOR-i në deklaratën e saj. E dyta, se çdo serb i cili nuk bindet, nuk i nënshtrohet urdhrave dhe veprimeve të autoriteteve të sigurisë së Serbisë, do të ketë të njëjtin fat, siç e kishte edhe ky qytetar.”

Eksperti i sigurisë kërkon reaksion të menjëhershëm nga institucionet. 

“Me këtë rast, institucionet e Kosovës duhet urgjentisht të mbledhin Këshillin e Sigurisë Nacionale, dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet duke kërkuar nga KFOR-i sqarime shtesë si përgjegjës i kufijve të Kosovës, përkatësisht i cili garanton sovranitetin e Republikës së Kosovës përmes ruajtjes së kufijve, dhe njëkohësisht duke e vendosur këtë çështje në nivel të trajtimit ndërkombëtar në lidhje me agresionin që Serbia i ka bërë Kosovës", thekson Elezi. 

Duke e krahasuar situatën me veprimet e Rusisë në Ukrainë, Elezi paralajmëron për rrezik të ngjashëm.

“Ju kujtohet që veprime të ngjashme ka pasur edhe nga Rusia në pjesën e Ukrainës, përkatësisht në zonën e Krimesë, para se ajo të aneksohej. Dhe ky është sinjal i drejtpërdrejtë i Serbisë që e njëjta mund të veprojë brenda territorit të Republikës së Kosovës duke aneksuar edhe pjesë të caktuara", thotë Elezi. 

Në fund, ai thekson se duhet të ketë hetim të detajuar dhe llogaridhënie nga ata që nuk kanë vepruar për të garantuar sigurinë.

“Andaj në rastin konkret duhet të kemi fillimisht një hetim të detajuar në lidhje me rastin që ka ndodhur dhe ndoshta edhe përgjegjësi kundrejt atyre të cilët nuk kanë ndërmarrë veprimet e duhura për të ofruar dhe garantuar siguri për të gjithë qytetarët, qofshin edhe ata të komunitetit serb, sepse tanimë nga ky rast çdo qytetar i komunitetit serb që jeton brenda territorit të Republikës së Kosovës është i pasigurt, dhe se mund të konsiderohet e cenueshme siguria nga autoritetet e sigurisë së Republikës së Kosovës. Njëherë mund të them se ky rast është niveli më i lartë i cenimit të sigurisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës", përfundon Bedri Elezi për "Bota sot".

Haziri: Ky është veprim armiqësor që synon frikësimin e serbëve lojal ndaj institucioneve të Kosovës

Ndërsa njohësi i zhvillimeve në vend, Nexhat Haziri, ka thënë se veprimi serb është veprim armiqësor.

“Është një veprim armiqësor dhe shkelje e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës nga ana e Serbisë, që ka qëllim frikësimi e të gjithë serbëve kosovarë që punojnë në institucionet e shtetit të Kosovës dhe që janë lojal ndaj shtetit ku ata jetojnë, dhe përmes frikës dhe kërcënimeve Beogradi po synon ta mbajë kontrollin e plotë te serbët".

Ai thekson se ky është veprim i planifikuar për ta tensionuar situatën në veri të vendit.

“Natyrisht se kjo është edhe një veprim i paramenduar që ka gjithashtu synim për ta tensionuar situatën në veri të vendit, në periudhën e tranzicionit të pushtetit lokal në katër komunat veriore, që ky tranzicion mos mund të bëhet në mënyrë demokratike dhe konform ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, por të ketë sa më shumë probleme dhe incidente për të dëmtuar imazhin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar", deklaron Haziri. 

Image
Nexhat Haziri

Haziri kërkon reaksion ndërkombëtar të menjëhershëm për lirimin e qytetarit të rrëmbyer.

“Ajo që kërkohet nga institucionet shtetërore të Kosovës, pas këtij kidnapimi të qytetarit serb të Kosovës nga organet e sigurisë së Serbisë, është që të bëhet trysni përmes faktorit ndërkombëtar që qytetari i Kosovës të lirohet sa më shpejt, por të kërkohet edhe nga Brukseli dhe Washingtoni që të dënohet ky provokim nga ana e Serbisë ndaj Kosovës, dhe të bëhet e qartë se provokimet e tilla, sulmet e Serbisë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, do të mund ta përshkallëzojnë situatën e sigurisë në mes të dy vendeve dhe minojnë çdo përpjekje për normalizim të raporteve në mes dy shteteve", përfundon Nexhat Haziri. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat