Incidenti në Leposaviq – sfidë diplomatike për NATO-n dhe BE-në përballë agresionit serb

Politika

Incidenti në Leposaviq – sfidë diplomatike për NATO-n dhe BE-në përballë agresionit serb

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 6 nëntor 2025 Në ora: 21:31
Pika kufitare në Jarinjë, afër Leposaviqit. Policia e Kosovës tha se dyshohet që një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria e Serbisë në territorin e Leposaviqit.

Një incident i ri në veri të Kosovës ka ngritur shqetësime për sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Një shtetas i Kosovës, i nacionalitetit serb, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Republikës së Kosovës, në zonën e Leposaviqit.

Policia e Kosovës ka nisur hetimet dhe po bashkëpunon ngushtë me Misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR), i cili konfirmon se situata përgjatë vijës kufitare aktualisht është e qetë.

Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar rastin si cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, ndërsa kanë kërkuar që Serbia të ndalë provokimet që rrezikojnë paqen dhe sigurinë në rajon.

Në këtë kontekst, gjithnjë e më shumë po kërkohet një reagim i qartë dhe i bashkërenduar nga bashkësia ndërkombëtare – përfshirë NATO-n, Bashkimin Evropian dhe partnerët tjerë perëndimorë – për të frenuar veprimet e Serbisë dhe për të garantuar respektimin e kufijve dhe të rendit në Kosovë.

Voca: Në aspektin diplomatik dhe të sigurisë, kjo ngjarje kërkon reagim të menjëhershëm ndërkombëtar

Për këtë çështje, për “Bota sot” foli doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, si dhe ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Mirsad Voca.

Sipas tij, kjo është një shkelje serioze e sovranitetit të Kosovës dhe se nuk është ndonjë rast i izoluar.

Image
Mirsad Voca.

“Ngjarja e fundit në Leposaviq, ku nje shtetas i Kosovës dyshohet se është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës, përbën një shkelje serioze të sovranitetit dhe integritetit territorial te Republikës së Kosovës. Ky akt nuk është një incident i izoluar, por pjesë e një modeli të vazhdueshëm provokimesh që synojnë ta sfidojnë autoritetin shtetëror të Kosovës në veri dhe ta testojnë durimin e institucioneve të saj”.

Krahas kësaj, Voca kërkoi reagim të menjëhershëm nga ndërkombëtarët, si dhe të ndryshojë menjëherë qasjen e butë që ka ndaj Serbisë.

Ai tha se tani duhet të merren masa dhe jo vetëm të bëhen deklarata nga ndërkombëtarët.

“Në aspektin diplomatik dhe të sigurisë, kjo ngjarje kërkon reagim të menjëhershëm ndërkombëtar. Nuk mund të ketë stabilitet në Ballkan nëse Serbia vazhdon të sillet si shtet që vepron mbi territorin e një shteti tjetër sovran pa asnjë pasojë. Heshtja ose reagimi i butë i bashkësisë ndërkombëtare do të interpretohej nga Beogradi si leje për të vazhduar me politika destabilizuese.

Prandaj, është koha që partnerët ndërkombëtarë të ashpërsojnë gjuhën dhe qasjen ndaj Serbisë. Ka një kohë te gjatë që nuk mjaftojnë më deklaratat e ekuilibruara që i vendosin “të dy palët” në të njëjtin nivel përgjegjësie. Këtu kemi të bëjmë me një akt të njëanshëm, që vjen nga një strukturë shtetërore dhe që bie ndesh me çdo parim të marrëdhënieve ndërkombëtare”, shtjelloi doktori.

Ndër të tjera, ai shtoi se nëse nuk ndëshkohet Serbia, ajo do i përsërisë sërish veprimet e njëjta, si dhe do provokojë dhe nxisë tensione të vazhdueshme.

Sipas tij, ky rast është edhe një lloj testi për kredibilitetin ndërkombëtar në rajonin e Ballkanit.

“Nëse Serbia nuk përballet me masa konkrete ndëshkuese, qoftë përmes presionit diplomatik apo ekonomik, atëherë këto provokime do te përsëriten. Një shtet që vepron përtej kufijve të tij për të minuar stabilitetin e fqinjit nuk mund të jetë as partner paqeje, as kandidat serioz për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në thelb, kjo ngjarje është një test për kredibilitetin e rendit ndërkombëtar dhe vet BE-së në rajon. Nëse sovraniteti i Kosovës mund të cenohet pa pasoja, atëherë dëmtohet vetë ideja e shtetit të së drejtës dhe e paqes së qëndrueshme në Ballkan”, përfundoi Mirsad Voca për “Bota sot”.

Bilalli: Ndërkombëtarët të rrisin presioni politik dhe diplomatik ndaj Serbisë

Image
Lutfi Bilalli

Kurse, edhe eksperti i gjeopolitikës, Lutfi Bilalli i sheh të domosdoshme masat ndëshkuese ndaj Beogradit.

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” potencoi se nuk mjafton vetëm gjuha e ashpërsuar e ndërkombëtarëve ndaj shtetit serb, por duhen masa të ashpra sanksionuese, pasi hyrja e xhandërmërisë serbe në Kosovë është shkelje e rëndë.

“Është më se e nevojshme që ndërkombëtarët të ndërrmarrin mase jo vetëm verbale, por edhe ndëshkuese ndaj veprimeve që xhandarmëria serbe ka bërë me rastin e kindapimit të një shtetasi të Republikës së Kosovës nga komuna e Leposaviqit (Xhandërmëria serbe ka hyrë në territorin e R. së Kosovës ka plagosur një qytetar dhe më pas ka kindapuar duke e tërhequr brenda në Serbi). Dihet mirëfilli që KFOR-i ka përgjegjësi direkte mbi vëzhgimin dhe sigurimin e zonës kufitare me Serbinë (gjerësi 1000 metra) këtë e obligon edhe mandati që kanë trupat e KFOR-it.

Sa i përket pyetjes së juaj se a duhet ndërkombëtarët të ashpërsoj gjuhën dhe veprimet të jenë konkrete ndaj Serbisë: Mendoj se ndërkombëtarët kanë dy mundësi që ta ndalojnë Serbinë në raport, jo vetëm me provokimet që bën ndaj Kosovës, por e cila edhe në mënyr flagrante po shkel dhe cenon territorin e R. së Kosovës”.

Më tej, përmendi dy mundësitë se si BE dhe SHBA mund t’i ndalojnë provokimet dhe kërcënimet e Serbisë.

Një nga ato, ishte rritja e presionit dhe vendosja e masave sankionuese ndaj Beogradit.

1. Të rrisin presioni politik dhe diplomatik ndaj Serbisë qoftë edhe me masa ndëshkuese sidomos me ato që kanë të bëjnë me proceset integruese të Serbisë në UE-në. Pra evropianet kanë kapacitete dhe instrumente për ta sanksionuar Serbin duke kërkuar me ngulm që qytetarin e R. sė Kosovës ta lirojnë dhe të kthejnë në Kosovë. Por a do insistojnë në këtë ndërkombëtarët mbetet të shihet?

2.Rikujtimi i aranzhmanit ushtarak të NATO-s përmes trupave të KFOR-it në aspektin e sigurisë rreth integritetit territorial të Kosovës: Duke i përkujtuar Serbisë edhe dimenzionin e aspektit ushtarak që kanë trupat e NATO-s të cilat përmes KFOR-it janë përgjegjës për sigurinë e kufirit të Kosovës. Pra është përgjegjësi e mandatuar që KFOR-i për të reaguar me forcë ndaj çdo aventure ushtarake serbe në drejtim të kufijve të Kosovës. Besoj që NATO do i rikujtojë Serbisë se çdo aktivitet ushtarak në raport me Kosovën do sjellë reagim të fortë ushtarak nga ana e Aleancës Veri-Atlantike, ngase trupat e KFOR-it kanë mandat legjitim për ruajtjen e një ambienti  të sigurt si brenda Kosovës, por edhe të përgjegjësis së monitorimit dhe ruajtjes së vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë”, përmbylli Lutfi Bilalli për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat