Muhamet Kelmendi me akuza të rënda: Këta ishin “shkatërruesit” e strukturës organizative së UÇK-së

Politika

Muhamet Kelmendi me akuza të rënda: Këta ishin “shkatërruesit” e strukturës organizative së UÇK-së

Nga: A.SH Më: 12 nëntor 2025 Në ora: 15:54
UQK

Në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Dëshmitari Christopher Hill ka thënë se Thaçi s’ishte vendimmarrës në UÇK.

Edhe dëshmitari i kaluar, James Rubin ka thënë se Hashim Thaçi nuk ishte vendimmarrës në UÇK.

“UÇK-në e udhëhoqën komandantët, jo Thaçi - ai nuk kishte kompetenca”

Profesori Muhamet Kelmendi thotë se në mars–prill 1998, UÇK-ja dhe LPK-ja u përça me ndihmën e Francës, Tiranës dhe strukturave greko-serbe. Sipas tij, u krijua një grupim i rrezikshëm i udhëhequr nga Hashim Thaçi, Xhavit Haliti, Azem Syla e Kadri Veseli, që synonte të shkatërronte UÇK-në nga brenda — diçka që, sipas Kelmendit, po konfirmohet sot nga dëshmitarët në Gjykatën Speciale

“Organizimi i brendshëm i UÇK-së dhe vetë LPK-ja u thyen shumë ashpër në mars-prill të vitit 1998. Me ndihmën e Francës, në bashkëpunim me politikën në Tiranë, si dhe në përkrahje të strukturave greko-serbe, u ndërtua një grupim politik shumë i rrezikshëm në kuadër të organizimit ilegal. Grupimi udhëhiqej nga Hashim Thaçi, Xhavit Haliti, Azem Syla dhe Kadri Veseli. Ndihmës ishin disa forca të tjera që e morën udhëheqjen e LPK-së dhe dolën në anën e Drejtorisë Politike të Hashim Thaçit. Qëllimi ishte mu ky që sot në Gjykatën Speciale po e deklarojnë dëshmitarët si James Rubin dhe ish-ambasadori Hill — të ndërtojnë, duke shkatërruar UÇK-në dhe LPK-në nga brenda. Thyerjen e këtij organizimi të brendshëm e tha edhe gjenerali Clark”, thotë ai.

Më tej, Kelmendi thotë se në vitin 1998 grupi i udhëhequr nga Thaçi, Haliti, Syla e Veseli rrëzoi udhëheqjen legjitime të LPK-së e UÇK-së, duke e përçarë organizimin.

“U krijuan struktura formale pa fuqi reale, ndërsa UÇK-ja mbeti pa komandë të organizuar. Lufta u mbajt gjallë vetëm nga komandantët në terren”.

Sipas tij, Thaçi e Çeku e likuiduan përfundimisht UÇK-në dhe LPK-në, të cilat më pas u shkrinë në PDK.

“Në vitin 1998 e sulmoi grupimi i tillë udhëheqjen e LPK-së dhe udhëheqjen legjitime politike të UÇK-së

Në shënjestër ishte Fazli Veliu, Muhamet Kelmendi dhe Ali Ahmeti. Alin e thyen dhe ai doli në anën e grupimit të tillë anti-çlirimtar. Emrush Xhem iku dhe Adem Grabovci kaloi në kuadër të këtij grupimi.

Në krye të LPK-së sollën Bedri Islamin, Bardhyl Mahmutin e Jashar Saliun. Së bashku këta e thyen organizimin e brendshëm të UÇK-së dhe e shkatërruan LPK-në. UÇK-ja mbeti pa strukturë të organizuar. I formuan disa organe: Drejtorinë Politike të UÇK-së, të udhëhequr nga Hashim Thaçi Përfaqësuesin Politik të UÇK-së, të udhëhequr nga Jakup Krasniqi dhe E vazhduan me fondin “Vendlindja Thërret”, të udhëhequr nga Jashar Saliu. Në krye të këtyre grupimeve vendosën Hashim Thaçin. Komandant të UÇK-së e caktuan Azem Sylën. Me këtë, në pranverën e vitit 1998, shkatërruan tërë organizimin e brendshëm të radhëve ilegale dhe çlirimtare.

Pikësynimi ishte:

Shqiptarët mos të arrijnë të bëjnë një luftë të suksesshme çlirimtare.

UÇK nuk kishte udhëheqje ushtarake. Ekzistonin disa emra, por ata ishin sa për opinion.

Edhe atë Shtab ushtarak që ishte në ndërtim e thyen. E vendosën Bislim Zyrapin sa për formë dhe në janar të vitit 1999 u caktua Agim Çeku komandant i Shtabit. Këto ishin organe formale pa asnjë kompetencë. Grupimi i ndërtuar nga Franca dhe Tirana e lanë UÇK-në pa organizim dhe strukturë komanduese. Komanda mbeti nëpër komandantët e zonave luftarake. UÇK nuk kishte mundësi të vazhdonte një luftë çlirimtare të organizuar dhe të udhëhequr nga një komandë. Vetëm falë vullnetit të çeliktë të luftëtarëve të lirisë dhe komandantëve nëpër zona u zhvillua një luftë e suksesshme çlirimtare.

Tërësisht e humbi UÇK-ja strukturën e vet organizative, ndërsa LPK-në e shndërruan në një subjekt që mbledhte ndihma, pa asnjë kompetencë. Madje një vit më vonë e likuiduan LPK-në. UÇK-ja u likuidua në vitin 1999 nga Hashim Thaçi dhe Agim Çeku. U shkatërruan këto dy subjekte që ishte punuar mbi tri dekada për t’i ndërtuar. Ndihmë të madhe në kuadër të kësaj pune dhanë edhe disa forca karrieriste në kuadër të LPK-së. Ata u futën në Kryesi të LPK-së. Kështu u shkatërruan LPK dhe UÇK. Pas luftës u bashkuan në PDK” – përfundon ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat