Paralajmëron analisti: Ky person pritet të jetë kryetar i ri i PDK-së

Politika

Paralajmëron analisti: Ky person pritet të jetë kryetar i ri i PDK-së

Nga: P. R. Më: 13 nëntor 2025 Në ora: 09:48
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij. Vendimi i tij ka ardhur pas një periudhe të gjatë reflektimi brenda partisë, ndërsa zhvillimet e fundit në PDK pritet të sjellin ndryshime të rëndësishme në strukturën drejtuese të këtij subjekti politik.

“Sot, pas shumë kohe reflektimi, ka ardhur momenti i duhur, prandaj sot kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë. Ky vendim nuk është as i momentit dhe nuk lidhet vetëm me zhvillimet e fundit. Është reflektim i gjatë i imi mbi atë se çfarë i duhet më shumë partisë në fazën e ardhshme”, tha Krasniqi.

Sipas burimeve brenda partisë, kandidati më serioz për ta pasuar Krasniqin në krye të PDK-së është Bedri Hamza, ish-ministër i Financave dhe aktualisht një nga figurat më të respektuara të këtij subjekti.Krasniqi shtoi se do ta mbështesë Hamzën nëse ai garon.

 “Preferencën time për Bedri Hamzën nuk e fsheh, përkundrazi me kënaqësi e bëj publike”, tha Krasniqi.

Lidhur me këto zhvillime, analisti politik Blerim Burjani ka dhënë një prononcim për gazetën “Bota sot”, ku ka komentuar rreth dorëheqjes së Krasniqit dhe mundësisë që Hamza të marrë drejtimin e PDK-së.

Image
Blerim Burjani

“Bedri Hamza, sipas të gjitha gjasave, do të jetë kryetar i ri i kësaj partie — një njeri pragmatik, jo shumë i matur në politikë të nivelit të lartë, por me një eksperiencë profesionale të respektuar. Mendoj se Bedriu është një nga kandidatët më seriozë të këtij subjekti. Ai ishte edhe kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit”, tha Burjani për “Bota Sot”.

“Mendoj se PDK, në mungesë të një lideri karizmatik, të besueshëm, figure të pastër politike dhe pa afera, do të përcaktojë një profesionist të mirë. Tash sa ka guxim politik për të marrë hapa të mëdhenj, pritet të shihet. Nuk e besoj, por rasti i Ramizit në Drenas ishte dëm për PDK-në. Kjo parti pakënaqësit i amortizon gjithmonë, nuk i lë të lirë dhe nuk kanë guxim të deklarohen lirshëm të pakënaqurit”, përfundon analisti Blerim Burjani.

Kujtojmë se dorëheqja e Memli Krasniqit vjen në një kohë kur PDK po përballet me kërkesën për reformim të brendshëm dhe me sfidat për t’u pozicionuar si alternativë qeverisëse në zgjedhjet e ardhshme.

Dorëheqja e Krasniqit vjen pesë muaj pasi ai ishte rizgjedhur në krye të partisë për një mandat të dytë, në qershor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat