Glauk Konjufca, alternativa teknokratike për qeverinë kalimtare

Politika

Glauk Konjufca, alternativa teknokratike për qeverinë kalimtare

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 15 nëntor 2025 Në ora: 14:30
Glauk Konjufca

Përkundër faktit që në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet më 12 shkurt, vendi ende nuk ka një qeveri. Kjo sepse partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka numrat e nevojshëm për krijimin e Qeverisë së Kosovës, në krye me Albin Kurtin.

Ndërkaq, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i ka dhënë edhe një mundësi të dytë VV-së, duke e mandatuar Glauk Konjfcen për të formuar qeverinë e re. Mirëpo, VV-ja dhe partitë opozitare po kërkojnë zgjedhje të reja.

Ka edhe nga ata që propozojnë krijimin e një qeverie kalimtare derisa të mbahen zgjedhjet. Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka deklaruar se një qeveri e tillë mund të përbëhej nga figura civile. 

“Mendoj që do të ishte mirë të pajtohemi që të mos jemi pjesë e ekzekutivit. Nuk po flas për një qeveri teknike, por për një qeveri kalimtare, me figura civile në shoqëri të përgatitura dhe të kualifikuara”, ka thënë ai në emisionin “DPT te Fidani”.

Mandati i presidentes Osmani përfundon në prill të vitit të ardhshëm.

Ramadani: Glauk Konjufca si alternativë teknokratike për kryeministër

Opinionisti Albert Ramadani, në një prononcim për “Botas sot”, e ka komentuar deklaratën e Haradinajt, duke shtuar se Kosova mund të qeveriset nga një teknokrat ose një unifikues deri në zgjedhjen e presidentes në prill 2025.

Image
Opinionisti Albert Ramadani

“Por, nëse i referohemi propozimit të Daut Haradinajt, ku ndoshta AAK-ja si parti ka arritur në nivel lokal të ruajë votat dhe komunat ku ka qeverisur – 5 komuna sa i kishte – i mbajti në zgjedhjet e 12 tetorit dhe të Bolatazhit më 9 nëntor.

Por, AAK-ja, sa mund të ruajë votat dhe, si e vetme, a mund të hyjë në Kuvend pa ndonjë koalicion parazgjedhor, nëse shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme ku u mbajtën zgjedhjet për nivel qendror, e ende jemi në vendnumërim pa krijuar qeverinë e re?

Unë, si mendim, që nuk do të ketë qeveri që do të udhëhiqet nga emri Albin Kurti, e kam thënë që nga tetori i vitit 2024 dhe kam shkruar disa herë se Kosova do të qeveriset nga një teknokrat apo një unifikues deri në zgjedhjen e presidentes në prill të 2025”, ka thënë ai.

Po ashtu, Ramadani ka cilësuar se nëse AAK mbështet një qeveri kalimtare të udhëhequr nga Glauk Konjufca, situata ndryshon.

“Por tani kam një mendim tjetër: nëse AAK vendos ta mbështesë me vota në Kuvend formimin e qeverisë siç pretendohet – qeveri kalimtare deri në prill nga mandatori i dytë Glauk Konjufca – atëherë situata ndryshon. Po nëse AAK-ja dhe pakicat jo-shqiptare krijojnë një qeveri ku AAK nuk merr pjesë, sipas mendimit tim, kur të vijë afati i përfundimit të mandatit të presidentes, nuk do të kemi zgjedhje, sepse deputetët e rinj, të cilët me shumë mund dhe shpenzime financiare kanë zënë vend në Kuvend si deputetë, nuk do ta “djegin” veten. Këtu shtohen partitë që në kohën kur futen në ciklin e prillit, dhe PDK-ja, me gjasë, do të ketë një kryetar të ri të partisë pas dorëheqjes së Memli Krasniqit”, ka deklaruar ai.

Më tej, Ramadani ka theksuar se qeveria e ardhshme mund të udhëhiqet nga një mandatar që nuk ishte kandidat kryesor gjatë fushatës, si Glauk Konjufca i VV-së, i cili për të konsiderohet një kryeministër teknokrat.

“Unë mendoj se do të kemi zhvillime të reja (qoftë qeveri kalimtare apo përkohshme) nga një mandatar i cili nuk ka qenë i nominuar për kryeministër nga partia gjatë fushatës për zgjedhjet qendrore. Në këtë rast, i nominuari i VV-së ishte ish-kryeministri Kurti, dhe kur u pamundësua zgjedhja e tij si “Kurti-3”, VV mbledhi kryesinë dhe Këshillin e Përgjithshëm dhe e nominoi Glaukun si alternativë – dikush i VV-së që të ketë mundësinë të udhëheqë qeverinë, ose një emër jashtë çdo partie si profil teknokrat.

Por unë prapë mendoj: nëse zgjidhet Glauk Konjufca kryeministër, për mua ai është kryeministër teknokrat”, ka nënvizuar Ramdani.

Aliçakaj: Kah po shkon kosova jonë dardane

Kurse, veprimtari Agim Aliçakaj ka deklaruar se është e dhimbshme dhe e pakuptueshme që zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë ende nuk kanë sjellë krijimin e institucioneve shtetërore.

Image
Agim Aliçakaj

“Është e dhimbshme dhe e pakuptueshme që zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Republikën e Kosovës ende nuk janë kurorëzuar me krijimin e institucioneve shtetërore. Populli i Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, po e ndjek me habi dhe zemërim lojën politike të partive politike të Kosovës. Natyrisht, secili fajëson tjetrin sipas interesave të veta.

Duke e ndjekur situatën në mënyrë të pavarur, jopartiake, mund të thuhet me besueshmëri të plotë se fajin kryesor për këtë bllokadë politike të paparim ka opozita e dikurshme e Kosovës: PDK, LDK, AAK dhe NISMA.

Pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2021 — me meritë — kjo opozitë ka marrë një drejtim të gabuar dhe krejtësisht të çoroditur. Në vend se të ndryshojnë dhe të bëhen një opozitë konstruktive, ata kanë hyrë në një cikël të errët veprimesh negative nga i cili vështirë të dalin

Në mungesë të propozimeve konkrete dhe programeve reale për zhvillimin dhe forcimin e shtetit, gjithë angazhimet e tyre janë drejtuar në veprime destruktive dhe bllokada institucionale, nënshtrim të plotë ndaj ndërkombëtarëve dhe nënshtrim ndaj kërkesave shkatërruese të regjimit fashist serb dhe dorës së tij të zgjatur në Kosovë, organizatës armiqësore “Lista Serbe””, ka thënë ai.

Sipas tij, propozimet për një qeveri të përkohshme “teknike” apo “të unitetit” janë joreale dhe shkojnë në të njëjtin qëllim: marrjen e pushtetit me mjete joligjore dhe duke cenuar sovranitetin e Kosovës.

Ai ka theksuar se ndërkohë që Kurti bën përpjekje për kompromis dhe zgjidhje reale, humbësit e zgjedhjeve, të nxitur nga interesa të jashtme dhe lidhje me shtetin serb, refuzojnë çdo bashkëpunim, duke synuar largimin e tij nga politika.

“Gjithë shpresat e tyre për marrjen e pushtetit janë përqendruar në bllokimin e institucioneve dhe krijimin e kaosit, me shpresën për ta bindur popullin dhe bashkësinë ndërkombëtare për “paaftësinë” e LVV-së dhe koalicionit të udhëhequr nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për të qeverisur. Të paaftë për të fituar me votë, ata po përpiqen të marrin pushtetin me mjete joligjore, duke bërë lëshime në sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Propozimet e disa përfaqësuesve të partive humbëse për një qeveri të përkohshme “teknike” apo “të unitetit” shkojnë në këtë drejtim. Këto propozime janë joreale, të pabazuara dhe krejtësisht të panevojshme. Nëse ata refuzojnë në çdo mënyrë të formojnë koalicion dhe të bashkëpunojnë me LVV-në, partinë fituese me një qeveri të ligjshme, si mund të presin të bashkëpunojnë brenda një qeverie artificiale, joligjore?

Interpretimet e njëanshme dhe të interesuara të Kushtetutës, duke shfrytëzuar edhe hapësirat e paqarta, janë bërë absurde. Kuptohet që Kushtetuta lejon votë të lirë dhe vullnet të lirë, por kjo nuk arsyeton bllokimin e shtetit vetëm sepse dikush nuk e pëlqen fituesin e shumicës.

Ndërkohë që fituesi i zgjedhjeve Albin Kurti, po përpiqet ta zgjidhë situatën me propozime dhe kompromise reale e të kuptueshme, humbësit e zgjedhjeve, të shtyrë nga proserbi Grenell, proserbi Edi Rama dhe oligarkë të lidhur me shtetin serb, nuk pranojnë asnjë kompromis, duke deklaruar haptazi se qëllimi i tyre i vetëm i përbashkët është largimi i Kryeministrit Kurti nga politika.

Problemi i tyre i madh është se nuk kuptojnë që Albin Kurti, me veprën e tij shtetërore dhe kombëtare deri tani, është për ta i paarritshëm. Ai ka — dhe nëse vazhdon me të njëjtin angazhim do të vazhdojë të ketë — mbështetjen e popullit për një kohë të gjatë”, ka vlerësuar ai.

Tutje, Aliçakaj ka deklaruar se propozimi i LVV-së për të mandatuar Glauk Konjufcën nuk është kompromis i lehtë për Kryeministrin Kurti.

Ai ka shtuar se Presidentja Osmani ka ofruar mundësi për kompromis, por pengesat ndaj këtij procesi vetëm zbulojnë qëllimet e shkatërrimit të shtetit.

“Propozimi i LVV-së për të mandatuar z. Glauk Konjufca për formimin e qeverisë nuk është kompromis i lehtë për Kryeministrin Kurti. Nëse partitë opozitare dhe deputetët e tyre nuk e votojnë, ata do të mbajnë përgjegjësi për rrezikimin e funksionalitetit të shtetit. Ata që bllokojnë, që refuzojnë të votojnë buxhetin e shtetit dhe marrëveshjet ndërkombëtare të dobishme, janë thjesht armiq të Kosovës.

Mundësia tjetër e kompromisit për këto çështje është krijuar edhe nga Presidentja Vjosa Osmani, duke ofruar t’i paraqesë vetë propozimet ligjore. Vënia e pengesave të ndryshme ndaj kësaj gjëje nuk do të ketë fare kuptim dhe do t’i zhvesh plotësisht qëllimet e atyre që kërkojnë të shkatërrojnë shtetin.

Pas gjithë vështirësive dhe bllokadave të krijuara nga opozita lidhur me konstituimin e institucioneve shtetërore, zgjedhjet e reja janë bërë të paevitueshme. Ata që i bllokojnë institucionet do të ndëshkohen nga vota e popullit. As oligarkët, as Ramët, as Grenellët, as diplomatët e padrejtë ndërkombëtarë, as gazetarët-komentatorë të shitur tek armiqtë e Kosovës nuk do t’i ndihmojnë dot.

Pas dorëheqjes së kryetarit të Partisë Demokratike, z. Memli Krasniqi, ka shpresë që kjo parti do të bëjë ndryshime në interes të shtetit, dhe që e njëjta të ndodhë me LDK-në dhe partitë e tjera. Përndryshe, do të mbeten përgjithmonë në opozitë.

Demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës nuk mund t’i rrëmbejë askush. Kosova jonë Dardane është në rrugën e drejtë dhe të shenjtë, e mbrojtur nga populli i saj, nga gjaku i dëshmorëve, nga drejtësia amerikane dhe nga vetë Zoti i Plotfuqishëm”, ka përfunduar Aliçakaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat